Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiptarët si faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 12 vite më parë

Rexhep Meidani
Shqiptarët si faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan

Ashtu si përfaqësues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, edhe Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë të Komisionit Europian, gjatë vizitës së fundit në Shqipëri e nënvizoi rolin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve si faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Mesazhi i tij ishte kuptimplotë përballë ngjarjeve të fundit në rajon. Agresiviteti policor ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës e Maqedoni, shoqëruar me arrestime masive dhe të pabaza apo frymëzimet e manifestimet antishqiptare, të mbarsura me thirrje shoviniste e urrejtje etnike, janë realisht për t’u shqetësuar.  Por dhe për të reaguar si komb në bashkëveprim me forcat progresive rajonale dhe strukturat politike të BE-së. Aq më tepër që në kushte krize, nacionalizmi ushqehet shumë lehtë duke fuqizuar grupimet politike radikale si “Agimi i Artë” në Greqi. Prandaj, komisioneri Fyle, i vëmendshëm për zhvillimet dhe ngjarjet e fundit në rajon, i mëshon qartë mesazhit të tij që Shqipëria “të mbetet një forcë stabiliteti në rajon; Bashkimi Europian e vlerëson përherë rolin që luan ajo, sidomos përsa u përket qëndrimeve nacionaliste dhe ekstremiste”…

Integrimi kombëtar e demokratizimi si proces stabilizues.

Afro 100 vjet më parë, ndërsa Ballkani ziente nga pakënaqësia e revolta dhe Perandoria Osmane tkurrej në kufijtë e saj, 83 shqiptarë të mençur e trima, përfaqësues të tri feve, me në krye I. Qemalin, L. Gurakuqin, B. Currin e H. Prishtinën, u mblodhën në Vlorë në Kuvendin Kombëtar. Ata, në një nga momentet më delikate për mbijetesën e popullit shqiptar, shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, 100 vjet më vonë, pas vështirësive të panumërta, para kombit shqiptar janë ditë shumë më premtuese; jo se Europa ka vendosur të lajë borxhet e vjetra të Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, por sepse në procesin e zhvillimit, demokratizimit e integrimit shqiptarët si popull kanë përqafuar rrugën e paqes e lirisë, të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit e mirëkuptimit. Orientimi liridashës e paqedashës, por dhe solidariteti e humanizmi, si orientime historike, ashtu si në Luftën e Dytë ndaj çifutëve apo ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë, u rishfaqën fuqishëm gjatë lëvizjes çlirimtare të Kosovës, që, në bashkëpunim me NATO-n, i ktheu lirinë pjesës tjetër të popullit shqiptar nën kolonizimin serb. Një fitore, pavarësisht vonesave të derisotme, është Marrëveshja e Ohrit si një mishërimi i përpjekjeve të shqiptarëve për paqe e bashkëjetesë, për të drejta politike e njerëzore në Maqedoni. Po aq kuptimplotë është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Dhe kështu, në një proces ngritës, shqiptarët, hap pas hapi, janë kthyer në rajon e botë në faktor paqeje e stabiliteti.

Historia e Shqipërisë është e re në pikëpamje të organizimit shtetëror modern, por mjaft e vjetër për nga thellësia e tipareve kombëtare, rezistencës e përpjekjeve për ekzistencë e mbijetesë. Për më tepër, nëse shteti “sajohet” në një mënyrë apo tjetrën, kombi ka shtresime të brendshme, që lidhen me rrënjët dhe historinë e popullit, me gjuhën, kulturën, traditën, psikologjinë, zakonet, mitet e tij. Shtresime të tilla vijnë nga thellësitë e shekujve dhe mbeten bazë solide e së sotmes dhe të ardhmes së tij. Midis tyre, krahas karakteristikave bashkëshoqëruese e fisnike si gatishmëria, humanizmi e solidariteti njerëzor, dëshira për fqinjësi e paqe, janë dhe ato që lidhen me mbrojtjen e familjes, tokës, dinjitetit, lirisë e sovranitetit. Është pikërisht kjo lidhje historike me lirinë dhe paqe-dashjen, me respektin njerëzor që ushqen sot kohezionin midis komuniteteve fetare shqiptare…

Në fakt, institucionet ndryshohen më lehtë se njerëzit, se mentaliteti i tyre individual e kolektiv. Për më tepër, krahas institucioneve demokratike, një shoqëri të lirë dhe të emancipuar e bën sjellja e njerëzve, ndershmëria, humanizmi e solidariteti, në gjirin e saj. Në rastin e shoqërisë shqiptare një nivel mahnitës solidariteti e humanizmi u shfaq gjatë krizës kosovare. Madje, në këtë moment delikat për mbijetesën shqiptare shpalosja e tyre ishte marramendëse në sytë e qytetarëve të mbarë botës. Është kjo sjellje brenda shoqërisë dhe ndryshimet e thella në mendësi, që e mbrojnë lirinë dhe e përforcojnë atë. Nën trysninë e kësaj lirie shteti vihet më mirë në shërbim të qytetarëve, por dhe qytetarët vihen më mirë në shërbim të shoqërisë, shtetit e ligjit, nëpërmjet një pjesëmarrje aktive dhe të përgjegjshme; mbi të gjitha, duke ruajtur e zhvilluar respektin mbi pakicat, fqinjësinë e mirë, integrimin rajonal.

Janë këto veçori që e po e bëjnë gjithnjë e më të dukshëm rolin i shqiptarëve në rajon, si një faktor paqeje e stabiliteti. Këtë e kanë favorizuar, po ashtu, edhe shndërrime të tilla si: a) demokratizimi i mëtejshëm i sistemit politik-institucional; b) transformimi ekonomik, ku një hallkë e rëndësishme mbetet tranzicioni social; c) tranzicioni i identitetit me ndryshime në “luajalitet” (sovranitet kombëtar) dhe relativizmi i tij në procesin e ndërvarësisë, përfshirë vetintegrimin kombëtar nëpërmjet integrimit europian; d) integrimi më i plotë në sistemin perëndimor (tranzicioni diplomatik). Pjesë e këtij të fundit është dhe tranzicioni ushtarak me kulmim të pritshëm anëtarësimin në BE. Janë arritur e synohen më tej përmirësime në 4 nivele: mikro (në edukim, shëndet, punësim); mezo (në qeverisjen kombëtare qendrore e vendore); makro (në adoptimin e politikës fiskale e monetare në nivel europian); global (në kuadër të globalizimit e ndërvarësisë në rritje). Po ashtu, në realizimin e standardeve të BE-së, do të dimensionohen veçori të tilla si: dialogu demokratik në zgjidhjen e problemeve; alternimi politik-social i fuqisë, ndërlidhja e problemeve sociale me shpërndarjen e të mirave materiale; korrelacioni midis treguesve politikë, ekonomikë e juridikë në luftën kundër korrupsionit, më tepër efektivitet në fusha të tilla si reduktimi i varfërisë, punësimi, edukimi e mjedisi (në nivelet mikro dhe mezo); kohezioni e fuqizimi i kapitalit social etj.

Populli shqiptar si faktor paqedashës e stabilizues në rajon e botë

Me gjithë zigzaget e tranzicionit, shqiptarët, në të gjithë hapësirën e tyre kombëtare, në ndërveprim me NATO, BE dhe SHBA, po ecin të sigurt në rrugën e vendosjes së themeleve të sigurisë njerëzore. Paralelisht me të, Shqipëria, nga ana saj, po jep kontributin e saj modest në Bosnjë, Afganistan, Irak etj. Madje, ajo nga një konsumator sigurie është shndërruar aktualisht në një prodhues sigurie në rajon. Roli i saj paqedashës e stabilizues aty është i rëndësishëm edhe për arsyet e mëposhtme:
1. Përhapja rajonale e popullsisë shqiptare dhe zëri i rëndësishëm i Shqipërisë në popullsinë shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.

2. Pozicioni gjeopolitik i Shqipërisë si një portë midis detit Adriatik dhe Gadishullit të Ballkanit, që kanalizon e lehtëson daljen e Kosovës dhe Maqedonisë në detin Adriatik.

3. Modeli shumë pozitiv i bashkekzistencës fetare e etnike që ka zhvilluar historikisht populli shqiptar nëpërmjet solidaritetit e respektit ndaj grupeve fetare e etnike. Bile, ky model është një kontribut tradicional, sa historik, po aq aktual në plotësimin e parametrave të domosdoshëm të zhvillimit demokratik e garantimit të sigurisë njerëzore, brenda sigurisë rajonale e globale.

Mbështetja e plotë dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në koalicionin botëror kundër terrorizmit dhe materializimi hap pas hapi i objektivave të zhvillimit demokratik e sigurisë njerëzore mbeten sot elemente shumë të rëndësishme të kompaktësimit të mëtejshëm të bashkësisë shqiptare. Gjithashtu, shqiptarët, duke pasur një qëndrim të njehsuar si komb, e kanë bërë krejtësisht të qartë se integrimi në BE (pas anëtarësimit edhe të hapësirave të tjera shqiptare në NATO), mbeten dëshira e vullneti, ëndrra, vullneti i tyre, një epërsi absolute e politikës kombëtare. Gjithashtu, pavarësisht problemeve të diferencuara e specifike që kanë shqiptarët në territoret e tyre autoktone, duket tashmë qartë se me faktorin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në zona të tjera të rajonit e kudo në diasporë, përfshirë dhe bashkësinë çame, në kushtet e reja të hapjes dhe zhvillimeve përfshirëse e ndërvepruese, nuk mund të luhet më. Dhe ky proces është sa emancipues e sovran, po aq solidar dhe i ndërvarur. Kush nuk e kupton apo e pengon këtë, nuk punon për të ardhmen e tij, të familjes e popullit të vet.

Aq më tepër që vetë kombi shqiptar, pas një viktimizimi të gjatë dhe “pagesës” krejtësisht të padrejtë në “kompromiset e të mëdhenjve”, përfshirë dhe ato në Konferencën e Londrës e Kongresin e Berlinit, është sot shumë më i ndërgjegjësuar se kurrë. Por dhe është kuptuar tashmë nga të gjithë shqiptarët që, krahas lirisë, sigurisë e progresit ekonomiko-shoqëror, në perspektivën e anëtarësimit në BE, ata do të arrijnë të realizojnë e konkretizojnë aspiratën e tyre integruese e vetintegruese. Mbetet që një thelb i tillë të kuptohet edhe në qendrat vendimmarrëse të politikës ndërkombëtare.

Sepse proceset historiko-shoqërore, si më të komplikuarat nga përmbajtja, forma e përfshirja, janë vetëm të pakthyeshme. Dhe sot kjo pakthyeshmëri është në favorin tonë. Në shërbim e funksion të saj, krahas integrimit, është dhe bashkëveprimi e unifikimi në të gjithë hapësirën shqiptare. Brenda kësaj optike është dhe marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, status që e meriton kombi shqiptar në prag të 100-vjetorit të pavarësisë.

Mbi çështjen e pazgjidhur shqiptare

Në kuadër të binomit sovranitet – ndërvarësi, si çështje thelbësore për ne shqiptarët mbetet po ajo e një shekulli më parë – çështja kombëtare. Si do të çohet më tej ajo në përputhje me proceset integruese e globalizuese? Si mund të realizohet unifikimi apo bashkimi kombëtar në situata të tilla? A mund të mbyllet, në një fazë të dytë, procesi i integrimit dhe vetintegrimit me plotësimin e aspiratës historike të një bashkimi të mirëfilltë? Cili është probabiliteti i shndërrimit të tij nga mundësia në realitet në kuadër të projeksionit politik të vetë BE-së, sidomos në perfeksionimin potencial të organizimit administrativ të saj si një entitet me pamje federale? Natyrisht, këto pyetje kërkojnë përgjigje në një fazë të dytë, megjithatë, nëse integrimi politik-territorial apo bashkimi juridik-administrativ që, veç faktorëve të brendshëm e mjedisit shqiptar, varen dhe nga aktorë ndërkombëtarë, para nesh ka një mori aspektesh unifikimi e ndërveprimi kombëtar, që mund dhe duhet të thellohen, zgjerohen e përmirësohen brenda fushave kryesore të jetës sonë kombëtare, shpirtërore e materiale. Kështu, pritet të thellohet më tej kooperimi mbarëshqiptar në rrafshin politik-diplomatik, ekonomik-doganor, kulturor-edukativ etj., ku një rol thelbësor kërkohet të marrë funksionimi më i mirë i hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare.

Në këtë kuadër, besoj se do të rezultojë parësor unifikimi i tregjeve, rritja e hapësirave të veprimit ekonomik e financiar, jo thjesht atyre territoriale, por dhe atyre njerëzore, kapitaleve, investimeve, shërbimeve; lufta e përbashkët kundër korrupsionit, krimit ekonomik e financiar etj. Më konvergjente nevojitet të jetë veprimtaria kombëtare në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë, deri duke shfrytëzuar, kur është e mundur, infrastrukturë materiale të përbashkët, p.sh. në shërbimin diplomatik e konsullor. Akoma më intensiv duhet të jetë bashkëveprimi legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, ndërveprimi midis parlamenteve, dikastereve, institucioneve të pavarura, gjykatave e prokurorive, përfshirë gjykatat kushtetuese, strukturat “ndërmjetëse”, p.sh. dhomat e tregtisë dhe industrisë, organizimet e bizneseve të njëjtit profil; realizimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore me bashkim kapitalesh e ekspertize.

Një rol të veçantë, pavarësisht vonesave aktuale, do të marrë dhe kooperimi energjetik, deri unifikimi i tij nëpërmjet shumëllojshmërisë dhe plotësisë binomiale: hidro – termo. Një rëndësi më të madhe duhet të marrë shkollimi i përafërt, pse jo dhe i njëjtë në sistemin publik, në nivelin parauniversitar e universitar, me programe e botime të përbashkëta, shkëmbime pedagogësh, praktika e vizita të ndërsjella, veprimtari shkencore në fushën e mësimdhënies, veprimtari akademike, projekte kërkimore-shkencore. Më tepër përkrahje kërkohet nga strukturat publike dhe mjedisi privat për veprimtari letrare, aktivitete kulturore, festivale, shfaqje të ndryshme, panaire librash, veprimtari sportive, prodhim filmash dokumentarë e artistikë shqiptarë me fonde të përbashkëta etj. Shpresoj se gradualisht do të rritet kooperimi, deri unifikimi i mjaft shërbimeve, në bazë materiale e ekspertizë, përfshirë dhe analiza e shërbime të ndryshme laboratorike (mjedisore, shëndetësore, radiologjike, kriminalistike etj.). Edhe pse nuk mungojnë arritjet, një vëmendje më të madhe kërkon media e shkruar dhe elektronike, krahas rritjes së bashkëveprimit midis gazetarëve, gazetave, stacioneve radio e televizive në transmetimin e cilësinë e informacionit dhe verifikimit të tij. Edhe shoqëria civile, duke tejkaluar barrierat e deritanishme, do të sintetizojë më tej maturi, kohezion e organizim gjithëshqiptar në fusha të ndryshme, përfshirë dhe përshtatjet e domosdoshme sipas kornizës ligjore europiane. E kështu, më tej…

Vetëm kështu ne do të realizojmë me dinjitet e vlera ëndrrën tonë europiane. Jo thjesht si përkatësi gjeopolitike dhe historike-kulturore, por dhe si sistem politik demokratik, si integrim e vetintegrim kombëtar…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama