Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza europiane dhe dobësimi i shtetit social

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 12 vite më parë

Rexhep Meidani
Kriza europiane dhe dobësimi i shtetit social

Kriza në vendet e Ballkanit

Vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, si shumë vende me të ardhura relativisht të ulëta, fillimisht nuk u prekën në mënyrë të dukshme nga kriza financiare.  Kjo dhe në sajë të nivelit të dobët të integrimit të tyre me tregjet financiare ndërkombëtare. Por me kalimin e kohës, në kushtet e globalizimit, çdo vend, në një mënyrë apo tjetrën, rezulton i integruar me vendet e tjera, nëpërmjet lidhjeve tregtare, eksportit e importit, investimeve të huaja të drejtpërdrejta, dërgesave nga jashtë, etj. Aq më tepër, që në kushtet e një vendi europian, nuk ka sesi të mos pasqyrohet situata ekonomike e përkeqësuar e vendeve të BE-së në vetë ekonominë shqiptare. Veçanërisht, ndikim të konsiderueshëm ka gjendja e vështirë në Greqi apo turbullimet jo të vogla të ekonomisë italiane, për arsye dhe të përmasës së emigracionit shqiptar në të dyja këto vende, nivelit të shkëmbimeve, shkallës së depërtimit në ekonomi, sidomos në tregti etj.

Po ashtu, rritja e vështirësive ekonomike në Greqi e Itali, rënia e shkallës së punësimit, shkurtimet e ndryshme në pagë apo në cilësinë dhe sasinë e shërbimeve sociale etj., janë shoqëruar me goditje të tjera ndaj këtij emigracioni. Madje, çdo falimentim biznesi e humbje vendi pune në këto vende po pasqyrohet drejtpërsëdrejti në rënie të dërgesave valutore, me kthime në Shqipëri; e thënë ndryshe me rënie ose reduktim konsumi. Aktualisht, kjo po ndjehet në çdo sektor, përfshirë dhe sektorin e ndërtimit, që kanë qenë “avangardi” i rritjes ekonomike. Kështu, reduktimi i nivelit të konsumit, po indukton gradualisht një spirale tjetër rënieje të ritmeve të rritjes ekonomike…

Sipas BERZH-it, Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të vuajë pasojat e krizës ekonomike, bile ai nuk do ta ketë të lehtë, që të rikthehet në normat e rritjes ekonomike të periudhës së para krizës. Edhe Shqipëria, ashtu si i gjithë Ballkani Perëndimor, pavarësisht propagandës qeveritare e pro qeveritare, po përballet në një mënyrë apo tjetrën me pasojat e krizës, shoqëruar dhe me një valë falimentimesh. Madje, edhe pse ajo nuk është prekur tërësisht nga kriza globale, kjo situatë krize po e goditet ekonominë reale duke e ulur më tej nivelin e pritshmërisë së rritjes ekonomike. Krahas rritjes së shqetësimeve sociale, të lidhura me rënien e dërgesave së emigrantëve, një problem në vete për ekonominë shqiptare mbetet ruajtja e qëndrueshmërisë makroekonomike, mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe e deficitit fiskal. Në këtë kuptim, vlen të analizohet në mënyrë publike alternimi i dy pikëpamjeve: një stimul shtesë për ekonominë dhe një qëndrim i qartë politik mbi taksat e shpenzimet për të shmangur rritjen e borxhit publik.

Në vetvete, ky duhet të jetë debati i kohës për shkallën e stimulimit, nga njëra anë, dhe reduktimin e deficitit të buxhetit, nga ana tjetër, nëpërmjet pakësimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave… Aq më tepër, që zëra të fuqishëm si ai i nobelistit Krugman, janë kundër marrjes së masave tepër të ashpra e shtrënguese, që mund ta thellojë dhimbjen ekonomike, deri duke gjeneruar borxhe publike më të larta. Bile, shtrëngimet fiskale si ato të ideuar nga kancelarja Merkel e Presidenti Sarkozi, mund të çojnë jo në shërim krize, por deri në “vetëvrasje ekonomike të Europës”. Sipas tij, ulja e shpenzimeve qeveritare me një euro e redukton borxhin me afro 40 cent (për pak kohë)  njëkohësisht shkakton një humbje prej 1.25 euro në prodhim…

Në kushte të tilla të pafavorshme, në trajtimin e problemeve ekonomike kërkohet me domosdo konsensus e kompromis politik. Sidomos, pa transparencë e ndërveprim politik, ka shumë mundësi që të mbulohet, të paktën për një kohë të shkurtër, ngritja e mëtejshme e tavanit të borxhit publik. Nga ana tjetër, me një efekt negativ të menjëhershëm mund të rezultojë dhe rritja e mëtejshme e taksave apo rritja e shpenzimeve. Ndërkohë, me ndikim të dobët mund të rezultojnë dhe stimuj të ndryshëm për rritjen e prodhimit dhe konsumit. Siç dhe duket se nuk mund të vazhdohet më tej me “teknologjinë” e investimeve të mëdha publike, apo të shkurtimeve buxhetore të njëpasnjëshme (që mund të prekin rëndë fusha të tilla si shëndeti, edukimi, mbrojtja e mjedisit etj.). Kjo është akoma më shqetësuese për ekonominë shqiptare, që e ka të kufizuar hapësirën e vet fiskale për të realizuar mjaft shpenzime të domosdoshme në fushën e shëndetit, mjedisit, edukimit etj.

Mbi shtetin e mirëqenies sociale.

Në konceptin e shtetit social është ende ai që merr përsipër mjaft përgjegjësi për jetesën e qytetarëve, veçanërisht në fusha të tilla si ajo e shëndetit, edukimit, punësimit, rendit e sigurisë sociale. Pikërisht, ky etatizëm social nënkupton qeverisjen ku shteti luan rol kryesor në garantimin e mirëqenies ekonomike e sociale të qytetarëve, mbrojtjen e tyre. Brenda kësaj skeme janë programet e shërbimet publike në zonën e shëndetit, edukimit e trajnimit (përfshirë atë të tregut të punës) e shërbimet sociale (përfshirë asistencën, strehimin etj.). Po aty futen edhe sigurimet (shoqërore, shëndetësore) për të garantuar mbështetjen e nevojshme në periudha të vështira (p.sh., në moshë të thyer, për trajtimin e sëmundjeve kronike, në kushte papunësie etj.). Niveli i ndërhyrjeve dhe pamja e tyre ndryshon nga vendi në vend. Europa, pavarësisht pamjes konkrete, vazhdon të paguajë çmimin e këtij etatizmi e “socializmi” të tepruar.

Parë me këtë sy, a mund të konsiderohet sot si i suksesshëm modeli europian i shtetit social? Në fakt, kriza aktuale e borxhit, veçanërisht në Greqi, Itali, Portugali, Spanjë, etj., ka nxjerrë në pah dobësitë e sistemit etatist të mirëqenies sociale. Le të fillojmë me Francën, të konsideruar deri vonë me një sistem të përsosur të mirëqenies sociale. Borxhi kombëtar i saj është afro 1.5 trilion euro (82.33% të GDP-së, në 2010-n, sipas FMN-së apo 85.2% të GDP-së, në vitin 2011, sipas Eurostat e CIA-s), pa përfshirë detyrimet e pritshme që lidhen me sistemin shtetëror të pensioneve. Një situatë e tillë e detyroi qeverinë franceze që të propozonte rritjen e moshës së pensionit. Edhe në sistemin shëndetësor po rritet bashkë-pagesa, duke përfshirë dhe forma të tjera të përballimit të shpenzimeve. Në rastin e Gjermanisë, borxhi publik është afro 2 trilion euro; ai vlerësohet sipas FMN-së 83.96% të GDP-së, në vitin 2010 apo, sipas Eurostat dhe CIA-s: 81.8% të GDP-së, në vitin 2011. Në kushte të tilla, janë ulur shpenzimet qeveritare, dhe ndër masat e marra ka qenë ndryshimi i moshës së pensionit nga 65 në 67, futja e një tarife për shkollimin në universitete etj. Masa të ngjashme janë marrë në Britaninë e Madhe, Itali, etj. Ndërsa, Spanja po përballet sot me krizën më të rëndë në dekadat e fundit. Aty, në masat e marra janë zvogëlimi i shpenzimeve qeveritare, janë hequr shtesat familjare për lindjen e fëmijëve, janë shkurtuar pagesat e invaliditetit, është propozuar rritja e moshës së pensionit për burrat nga 65 në 67 vjeç etj.

Pra, shteti i mirëqenies sociale në Europë, i rrezatuar dhe në vende të tjera në botë, po përjeton një tronditje të thellë, të bërë shumë më të dukshme në kushtet e krizës financiare. Për përballimin e saj, janë të mundshme dy rrugë: a) axhustimi i butë (duke e ruajtur shtetin social), dhe b) axhustimi i fortë me heqjen dorë në shumë zëra prej tij. Në thelbin e vet, shumë më afër “variantit” të dytë, sidomos në pikëpamje të mbulimit e qëndrueshmërisë, është dhe Shqipëria! Borxhi publik i saj sipas FMN-së është vlerësuar 58.22% i GDP-së, në vitin 2010, kurse sipas Eurostat e CIA-së: 59.4% i GDP-së në vitin 2011…

Sëmundja serioze e sistemit social në rastin shqiptar

Në fakt, ashtu si në vende të tjera, edhe në rastin shqiptar, përballimin e skemave sociale, krahas korrupsionit e abuzimit, e “asfiksojnë” mjaft faktorë, ndër të cilët janë dhe rritja e moshës mesatare të popullsisë, niveli i lartë i papunësisë etj. Aq më tepër që zvogëlimi i forcave të afta për punë e bën gjithnjë më të vështirë mbështetjen e skemave të pensionit.

Kjo bëhet akoma më e rëndë me përqindjen aktuale të papunëve, përfshirë dhe largimet politike nga puna (me kosto që rezulton gati dyfishe). Gjithashtu, mungesa e një reforme serioze në sistemin e sigurimeve shoqërore, sidomos sigurimeve shëndetësore, e bën Shqipërinë një vend me një mbrojtje minimale sociale në Europë, gjë që pasqyrohet dhe në paketën e detyrueshme për fitimin e statusit të vendit kandidat. Jo të vogla, krahas korrupsionit, janë dhe ndikimet negative të lidhura me abuzimet dhe shpenzimet e pajustifikueshme në shërbimet sociale. Pra, edhe në Shqipëri, si në mjaft vende europiane, “shteti social” është praktikisht në kolaps, nga vetë pesha e “rëndë” e tij. Prandaj, duhen sistemuar më mirë, deri reduktuar kostot e këtij sistemi pa prekur kapacitetet kryesore apo skemat asistenciale të tij. Madje, duhen fuqizuar disa skema si ajo e invaliditetit.

Këtij qëllimi i shërben dhe diferencimi i kostove të ndryshme, sipas moshave e problematikës konkrete. Po ashtu, vlen të dimensionohet ajo pjesë e të ardhurave që u transferohet skemave të pensioneve, madje pa një zhvillim të mëtejshëm të skemave private, skema publike po bëhet gjithnjë e më anemike, me rrezik imediat të një tipi “piramidal”… Edhe në botë, nisur nga struktura e popullsisë së këtij shekulli, ritmet e rritjes së fondeve për kostot e ndryshme të asistencës apo mbështetjes sociale po bëhen të gjithnjë e më të papërballueshme. Kështu, p.sh., në Britaninë e Madhe, në vitin 1981, fondet sociale përfaqësonin 25% të GDP-së, ndërsa pas ndryshimeve reduktuese, në vitin 1989, u bënë afro 22% të GDP-së. Ndërkohë, sipas llogaritjeve, nevojitet një rritje prej 5% për të mbështetur sistemin britanik të mirëqenies sociale për një kohë 40-50 vjeçare (që nënkupton një zhvendosje të kostos totale të këtij sistemi për nga vlera 30% e GDP-së). Kjo mund të rezultojë e papërballueshme nga ana fiskale. Në rastin e Shqipërisë, krahas nivelit të ulët të mbulimit të përbërëseve kryesorë të skemës sociale (si pensioni, asistenca sociale) ose vonesave ligjore e strukturore (p.sh. në sigurimin shëndetësor), konstatohen probleme shtesë të lidhur me kohezionin e kapitalin social, efektet e tij. Ato, të lëna jashtë vëmendjes gjatë viteve të tranzicionit shqiptar, po bëhen dita-ditës gjithnjë e më shqetësuese.

Aq më keq me prognozat jo optimiste për vitet e ardhshëm! Kështu, sipas parashikimit të FMN-së, borxhi publik këtë vit do të arrijë vlerën e afro 830 miliardë lekëve, ose afro 61.7% të GDP-së, pra përtej kufirit për borxhin, i cili sipas një ligji të miratuar në vitin 2008, nuk duhet të kalojë shifrën prej 60%. Po sipas FMN-së, për Shqipërinë priten vite të vështirë deri në vitin 2017 me një rritje ekonomike mesatare prej afro 2.5% në vit. Por, ka një lidhje të ngushtë midis nivelit të borxhit publik dhe ritmit të rritjes ekonomike. Sa më i madh borxhi i qeverisë aq më keq ecën ekonomia; bile, në këtë rast, qeveria tërheq më shumë para, që shfrytëzohen prej saj me një efektivitet shumë më të ulët se sektori privat.

Po kështu, rritja e borxhit dhe tkurrja e ritmit të rritjes ekonomike shoqërohet me rritje të varfërisë. Sepse, sipas vlerësimeve teknike, rritja ekonomike përftohet fillimisht nga shtresat e pasura, më tej nga ato të mesme dhe në fund ato të varfra. Bile, pranohet se për një rritje ekonomike prej 3% fitojnë, praktikisht, vetëm të pasurit; në intervalin 3-6% përfton dhe shtresimi i mesëm i popullsisë, kurse rritjen mbi 6% fillojnë ta ndjejnë dhe shtresat e varfra. Kështu, p.sh., rritja ekonomike prej 2-3% e vitit të fundit, e ka bërë të dukshme rënien e konsumit, gjë që flet për një rënie të qartë të mirëqenies…

Së fundi, edhe në rrafshin konceptor, sistemi i mirëqenies sociale nxjerr në pah krizën e tij të brendshme. Ai po rezulton zhgënjyes, duke vazhduar të ushqejë gabimisht njerëzit në pritshmërinë e tyre të tepruar. Madje, edhe pas zgjidhjes së problemeve kryesore të natyrës fiskale, për funksionimin e skemave të tilla si sigurimi shëndetësor, pensionimi, asistenca etj., nevojiten reforma shumë më tërësore dhe të thella. E thënë ndryshe, pavarësisht rezistencës qytetare e sindikaliste, ky lloj shteti duhet të reformohet. Edhe globalizimi si proces e ka reduktuar ndikimin sovran të shtetit, duke fuqizuar karakterin e ndërvarur të tij. Vetë sovraniteti po bëhet gjithnjë e më relativ dhe ndërvarësia gjithnjë e më absolute.

Shkurt, ky lloj shteti nuk mund të qeverisë si më parë! Në këtë ndryshim qeverisjeje përfshihet dhe riorganizimi i shërbimit shëndetësor, arsimor e mjedisor, menaxhimi i skemave të pensioneve në binomin publik-privat, thjeshtësimi i kostove jo funksionale të asistencës sociale, etj. Madje, një rrugëdalje, krahas kooperimit e mbulimit mbikombëtar, mund të jetë dhe transferimi i mëtejshëm i shërbimeve drejt nivelit vendor, nëpërmjet shpalosjes (devolucionit) e decentralizimit, nga njëra anë, dhe privatizimit e agjentifikimit, nga ana tjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama