Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të shmanget me ligj ndikimi i jashtëm në fushatë!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
Të shmanget me ligj ndikimi i jashtëm në fushatë!

Shmangia e tij – pasqyrë e emancipimit demokratik

Në fillimet e tranzicionit shqiptar, politika e “shiste” si gati-gati “qiellore” shfaqjen në publik të ndonjë drejtuesi të saj me përfaqësues (qoftë dhe pa peshë) të komunitetit ndërkombëtar. Madje, dhe vetë suksesi nuk llogaritej në bazë të shkaqeve të brendshme, por i atribuohej mbështetjes ndërkombëtare për grupimin politik konkret ose ndonjë individi të veçantë.

Ky kompleks inferioriteti ndaj të huajit gjente deri diku ushqim edhe në gjirin e shoqërisë shqiptare, për arsye dhe të izolimit të saj në dekada. Arrihej deri aty sa dhe një regjistrim fare i rastit, deri i kërkuar pa dinjitet, i ndonjë lideri shqiptar apo qoftë dhe ndonjë “fotografi e marrë me zor”, të shitej si mbështetje e vlerësim ndaj tij. Por, fatmirësisht, në mjaft drejtime, situata aktuale është shumë ndryshe! Jo se disa politikanë e qeveritarë shqiptarë nuk vazhdojnë që ta luajnë kartën e jashtme apo që të tregojnë ende sot atë “përrallën” vizive të mbështetjes, suksesit e vlerësimit, por sepse ngjitja në popull prej një “teknologjie” të tillë është gati-gati minimale, pse jo, në mjaft raste, dhe krejt e papërfillshme. Me të nuk mund të luhet më thjesht me slogane e receta si më parë! Në fund të fundit, me gjithë defektet ende serioze, shoqëria shqiptare ka marrë tipare të qarta europiane-perëndimore, sa sovrane, po aq të ndërvarura.

Aq më e dukshme është një sjellje e tillë e brendshme për shoqërinë e emancipuar franceze, gjermane, angleze etj. Madje, votuesi francez, gjerman, anglez etj., ndikohet pothuajse shumë pak prej “paradave” të jashtme, pa interferencë konkrete në ecuritë e brendshme politike-institucionale e social-ekonomike. Por, ama, ai ndikohet pothuajse tërësisht prej ecurive të tilla kombëtare, prej rezultateve të brendshme, tepër konkrete për jetën e tij. Megjithatë, pavarësisht kësaj, përpjekja për ndikim, ndonjëherë e interpretuar dhe si ndërvarësi, vihet re, edhe pse mjaft rrallë, brenda politikës europiane, më shpesh në kampin e djathtë. Veçse, pasqyrimi publik i kësaj “minindërhyrje” (që nuk e prek në thelb votën qytetare), mund të shoqërohet (për gjoja ngjashmëri!) me deformime serioze në vendet me demokraci të brishtë si, p.sh. Shqipëria. Bile, mund të shkohet deri aty sa të lejohet “përpunimi” ose falsifikimi i rezultatit, nëpërmjet gjoja ndërhyrjes! Për këtë arsye, meqë në Shqipëri po punohet aktualisht për reformën zgjedhore, duhet të përfshihen në Kod edhe nenet apo kufizimet përkatëse ligjore, deri dhe penalizimet partiake, për të mos lejuar këtë interferencë të drejtpërdrejtë zgjedhore. Por, jo vetëm kaq! Shmangia e ndikimit të jashtëm në fushata zgjedhore kombëtare është dhe një shenjë e rëndësishme e emancipimit politik-shoqëror. Prandaj u reagua jo pak ndaj interferencës së fundit të Kancelares Merkel për Presidentin Sarkozi…

Një mbështetje e panevojshme në prag zgjedhjesh

Para pak ditësh, në Paris, në zemrën politike të Francës, Kancelarja Merkel mbështeti hapur Presidentin Sarkozi në betejën e tij të ardhshme presidenciale. Edhe pse ajo e konsideroi këtë interferencë si normale në kuadër të konfiguracionit partiak europian apo së njëjtës “familje politike”, kjo sjellje joinstitucionale solli mjaft pakënaqësi e pështjellime në jetën politike të dy vendeve dhe kampet përkatëse. Edhe komentet shoqëruese ishin deri kontradiktore në mediat franceze e gjermane. Për të qetësuar disi gjakrat, vetë znj. Merkel e argumentoi vizitën e radhës në Paris me mbledhjen e përbashkët të dy kabineteve, edhe pse gjatë këtij takimi gjëja e parë që spikati dukshëm ishte mbështetja e saj për z. Sarkozi në fushatën e tij kundër kandidatit socialist, Holand. Edhe Sarkozi, në këtë takim, ashtu si dhe në mjaft raste të tjera kohët e fundit, nuk hezitoi të shpaloste entuziazmin e tij mbi modelin ekonomik gjerman mjaft të dobishëm edhe për Francën e sotme…

Në fakt, kohë më parë, Franca e Gjermania shiheshin si “lokomotivat” binjake të BE-së, por sot, Parisi, me gjithë përpjekjet e Sarkozisë, është shndërruar në një partner të dobët të këtij binomi. Nga ana tjetër, nisur dhe nga situata kritike në eurozonë, sidomos nga pakënaqësia masive në mjaft vende të BE-së, kandidati socialist, në këto 2-3 muaj para zgjedhjeve shfaqet si më mirë në sondazhe. Kjo gjë e ka frikësuar znj. Merkel, sepse pas zgjedhjeve, një administratë e majtë në Francë mund të jetë kundër planit të saj të masave të ashpra ekonomike. Aq më tepër që për Holandin, “kompakti fiskal” ka nevojë të negociohet përsëri, krejt ndryshe nga Merkel, që e konsideron thelbësore axhendën e saj të reduktimit të borxhit, pra dhe të deficitit, për vetë kohezionin e eurozonës.

A mjafton justifikimi me përkatësinë politike?

“Ne i përkasim së njëjtës familje politike. Ai më ka mbështetur mua më parë. Është e natyrshme që dhe unë ta mbështes atë në fushatën e tij”, – theksoi Kancelarja Merkel gjatë intervistës televizive me Presidentin Sarkozi. Madje ajo vlerësoi punën e përbashkët me Presidentin francez, “atmosferën miqësore” në angazhimin e ndërsjellë për krizën e borxheve në eurozonë. Sipas saj, një gjë e tillë lidhej edhe me marrëdhëniet personale shumë të mira midis tyre. Për ta “zbutuar” deri diku këtë mbështetje eksplicite, jonormale në marrëdhëniet institucionale midis drejtuesve kryesorë të shteteve të ndryshme në prag fushate elektorale, Sarkozi, gjatë përgjigjeve të tij, theksoi se “është populli francez që vendos vetë, ashtu si gjermanët kanë vendosur në mënyrë të lirë”, por, ama, “kur dikush, për të cilin keni afeksion e  admirim, i mbështet hapur aksionet tuaja, kjo të jep një kënaqësi të veçantë”…

Po ashtu, në konferencën e shtypit, Kancelarja Merkel hodhi poshtë kritikat për këtë mbështetje, duke shtuar se “është normale që të mbështesim parti që janë mike”. Aq më tepër që edhe Sarkozi e kishte mbështetur atë në vitin 2009, në fushatën e saj elektorale. Sipas saj, edhe kandidati socialist, Holand, kohët e fundit zhvilloi në Gjermani mjaft takime me social-demokratët gjermanë (por, pavarësisht kësaj “analogjie” justifikuese të Merkelit, takimet e Holandit nuk ishin shtetërore, por thjesht partiake, pa rrjedhoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet midis shteteve). Edhe Sarkozi e falënderoi Merkelin për “miqësinë dhe besimin e saj”. Ai, po ashtu, pa përmendur emrin e Holandit, e sulmoi ashpër deklaratën e tij për negocimin e kompaktit fiskal të eurozonës. Aq më tepër që ky kompakt, në Berlin (Merkel) dhe në Paris (Sarkozi), shihet sot si zgjidhje e domosdoshme për krizën e borxheve. Në këtë sulm pa emër, Sarkozi synonte të rriste më tej ndjeshmërinë e vetë Merkelit, edhe kështu të “frikësuar” nga mundësia e ardhjes së një administrate të majtë në Francë; gjë që mund ta pengonte atë në realizimin e planit të saj të ashpër, gati-gati spartan, për kapërcimin e krizës…

Përpjekje për amortizim

Shtrajter, zëdhënësi i Kancelares gjermane, e vlerësoi mbështetjen e znj. Merkel për Sarkozinë në prag të fushatës së tij presidenciale (edhe pse ende të padeklaruar zyrtarisht në atë kohë), thjesht si një angazhim “personal” të znj. Merkel, jo si zyrtare e lartë e Gjermanisë, por si drejtuese partiake e CDU-së. Një përpjekje e ngjashme u vu re dhe te deklarimet e sekretarit të Përgjithshëm të CDU-së, Groehe. Po ashtu, për disa politikanë e analistë mbështetja nga Merkel për Presidentin Sarkozi ishte e motivuar me përpjekjet e shumëfishta të saj për të reformuar Europën. Madje, sipas saj, në kushtet e krizës në eurozonë, Presidenti Sarkozi ishte një partner përgjithësisht mbështetës; të paktën jo i pozicionuar kundër saj. Për më tepër, ndryshe nga kohë më parë, kur ishin konstatuar jo pak tensione Merkel-Sarkozi, aktualisht, edhe sipas llogaritjeve taktike të Merkelit, të dyja vendet (pra, dhe qeveritë) kanë nevojë për godinën e përbashkët europiane, si për ruajtjen e saj, ashtu dhe të vetë euros…

“Më mirë të vdekur, se të kuq”.

Interferenca të drejtpërdrejta, me ndikim elektoral, janë ndeshur edhe në proceset zgjedhore shqiptare. Bile, ky ndikim ka qenë jo i vogël në fillimet e tranzicionit, por shumë më pak në ditët tona. Më tepër për arsye të emancipimit politik të elektoratit, të vetë votuesit, sesa të politikës! Sidoqoftë, rast i një interference tipike ka qenë, p.sh., ai i Xheims Trafikantit, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në periudhën 1985 – 2002, i njohur në Shqipëri për deklaratat dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në mitingjet e PD-së (në shkelje të ligjit zgjedhor të kohës), deri duke nxitur emocione agresive të militantëve në këto takime. Madje, në atë kohë, në PD vlerësohej si lapidare shprehja e tij: “Më mirë të vdekur, se të kuq”! Pikërisht për këtë “mbështetje” ai konsiderohej dhe si “hero i vërtetë” për drejtuesit kryesorë të kësaj partie. Veçse, pas fillimit të hetimit kriminal ndaj tij, ky “heroizëm” u harrua menjëherë.

Emri i tij nuk u përmend më dhe gjithçka u mbulua me një heshtje “absolute”!… Në të vërtetë, nisur nga faktet e akuzat e shumta ndaj tij (mitmarrje e evazion fiskal, marrje parash nën dorë, detyrime e pagime nën trysni) Komiteti i Etikës i Kongresit, pas një analize të thellë, rekomandoi përjashtimin e tij nga Dhoma e Përfaqësuesve. Në korrik 2002, ky rekomandim u miratua me rezultatin 420:1 (vetëm me një votë kundër!). Trafikanti u përjashtua, kështu, nga kjo dhomë. Megjithatë, pas burgosjes, ai ishte ndër të paktët në historinë e SHBA-ve që u përfshi, nga qelia e burgut, në garën elektorale për të njëjtin vend të përfaqësuar më parë.

Në ato zgjedhje, edhe pse i dënuar, ai fitoi afro 15% të votave. Pra, sipas konceptit: “më mirë i kuq se i vdekur” (krejt ndryshe nga ai i hedhur në qarkullim në mitingjet shqiptare!), Trafikanti nuk ishte prej tyre që dorëzoheshin. Bile, më 2010-n, afro një vit pas përfundimit të dënimit 7-vjeçar, ai kandidoi përsëri për të njëjtën zyrë si kandidat i pavarur, por dhe në atë rast nuk mund të ndodhte ndryshe, veçse t’i humbiste dhe ato zgjedhje…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama