Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Blushi: Rruga ndryshe që sjell PS në pushtet

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 13 vite më parë

Henri Çili
Blushi: Rruga ndryshe që sjell PS në pushtet

Java e shkuar u mbyll me replikat banale Topi - Topalli, ndërkohë që ngjarja më e rëndësishme duket se u sfumua nga media dhe është refuzimi për herë të dytë i hapjes së negociatave për statusin kandidatit të Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Për ta rikthyer këtë ngjarje në vëmendjen që meriton, është rasti të analizojmë realisht shkaqet e këtij bllokimi të integrimit europian. 

Duke thënë se përgjegjësia kryesore për ngecjen e axhendës së integrimit është qeveria, sepse në fund të fundit qeveria ka shumicën dhe i takon asaj të çojë përpara punët e vendit, përfshi dhe procesin jetik për këtë vend dhe këtë komb: integrimi europian, diskutimi nuk mund të ndalet këtu.

Por, përtej kësaj klisheje, e cila është legjitime në gojën e opozitës dhe kritikëve të qeverisë, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes thelbi i konfliktit tonë politik lidhur me integrimin që ka lënë për dy vjet Shqipërinë në vendnumëro në këtë proces: Opozita nuk pranon të votojë një numër ligjesh të cilat kërkojë dhe votën e saj, ose më saktë janë me shumicë të cilësuar prej 84 votash, duke kushtëzuar këtë votim me një numër kërkesash, që këto dy vjet kanë shkuar nga kërkesa për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 e deri së fundi me 10 pikat e  “Paktit kombëtar për integrimin”. Sigurisht ka dhe disa pika të tjera të cilat varen nga performanca e qeverisë në fuqi, por ato nuk ka ardhur ende koha të shqyrtohen, për shkak se nuk është kapërcyer pengesa bazë: mosvotimi i ligjeve që kërkojnë 3/5 nga ana opozitës. Ngecja jonë e fundit në procesin e integrimit ka një mijë arsye, por, ashtu si dhe në atë fabulën “Pse nuk bien kambanat”, para se të shqyrtojmë të tjerat, kemi pengesën kryesore: mosvotimin e këtyre ligjeve që kërkojnë domosdoshmërish dhe votën e opozitës.

Opozita është në të drejtën e saj sovrane të ngrejë një apo disa çështje lidhur me ecurinë e vendit, por asnjë prej këtyre çështjeve, përveç çështjes së zgjedhjeve të lira, nuk janë aq të rëndësishme që opozita të bllokojë integrimin e vendit në shkëmbim të këtyre votave në Parlament për këto ligje që, sipas Kushtetutës, kërkojnë votë të cilësuar.

Tani le ta shohim në thelb çështjen e mosvotimit të këtyre ligjeve, kur përveç kërkesës për standardet e zgjedhjeve, çdo gjë tjetër është  shumë e parëndësishme, ose çështje të debatit të brendshëm demokratik që mund të jetë pafund. Lidhur me zgjedhjet, çdo sakrificë brenda sistemit demokratik ia vlen të bëhet dhe në këtë mes opozita është e përligjur. Kryeministri Berisha ka së paku dy vite që përsërit, qoftë dhe më mënyrë demagogjike, se i “ofron opozitës ta shkruajë vetë ligjin elektoral dhe ai do të votojë çdo propozim të shumicës”. Ndoshta ai nuk e mban fjalën, por ende nuk është në provë, sepse opozita nuk e ka sfiduar në këtë premtim publik që ai ka bërë.

Brenda këtij premtimi publik për zgjedhjet e ardhshme, qeveria ka përmbushur kushtin bazë: të gjitha lëshimet opozitës për standardet e zgjedhjeve.

Atëherë në çfarë situate jemi: Mbështetur mbi argumentin e përmirësimit të standardit të zgjedhjeve, një argument i pranueshëm për opinionin dhe interesin publik, por pa bërë realisht asnjë hap konkret lidhur me këtë, opozita i ka bërë një bllokim të rrezikshëm procesit të integrimit, që rrezikon të shndërrohet në një precedent të rrezikshëm: ai i kushtëzimit të problemeve të brendshme politike me votimin e ligjeve për integrimin europian.

Sikur për një moment ta zhvendosim këtë precedent në skenën europiane, sot nuk do të kishim BE, sot nuk do të kishim avancim të integrimit europian. Në çfarëdo vendi të BE-së, apo të vendeve aspirante, procesi i integrimit është jashtë axhendës së luftës së brendshme politike për pushtet mes dy krahëve politikë.
Nëse në të gjithë Europën njëra parti apo tjetra, kur janë në opozitë, të kushtëzojnë votimin e ligjeve për integrimin me problemet e brendshme politike përveç zgjedhjeve të lira, atëherë kësaj rruge pa krye nuk i dihet fundi. Kështu mund të bëjë pastaj dhe forca tjetër, kur del në opozitë, dhe nuk kemi as jetë politike normale dhe as proces integrimi.

Cilado qoftë forca politike në opozitë që kondicionon votën e saj të domosdoshme për procesin e integrimit me çështjet e brendshme, nuk duhet të tolerohet. Madje, ajo meriton të ndëshkohet në opinionin publik dhe nesër me votë. Ky precedent i rrezikshëm për jetën tonë politike kërkon një “non pasaran” të madh nga të gjithë dhe kjo do të ndodhte në çdo vend të BE-së apo aspirant për t’u bashkuar me familjen europiane. Aq më tepër për ne shqiptarët, ku procesi i integrimit është jetik më shumë se kudo tjetër. Këtë precedent vendet e BE-së e kanë tejkaluar me kohë dhe asnjë opozitë serioze që pretendon pushtet, nuk guxon të vihet kaq përballë interesit publik, pasi merr një ndëshkim të madh në opinionin publik dhe në zgjedhje. Një opozitë anti-integrim nuk duhet të tolerohet as te ne. Sidomos te ne.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama