Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Monopolet, korrupsioni dhe (i)moraliteti i politikës

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
Monopolet, korrupsioni dhe (i)moraliteti i politikës

Kabllogramet që kanë mbushur ditët e fundit faqet e gazetave dhe emisionet e lajmeve duhet të kishin krijuar një tronditje të vërtetë në gjirin e politikës. Në njërin krah po tentohet që të shfrytëzohen ato për epërsi politike, ndërkohë që në krahun tjetër duket e qartë përpjekja për t’i minimizuar e shpërfillur ato kabllograme. Në fakt, edhe pse diçka e papëlqyeshme, “tërmeti” i provokuar prej tyre duhet të trondiste seriozisht të dy krahët e politikës shqiptare, duke u shoqëruar edhe me dorëheqje, hetime e procedime…

E thëna dhe e bëra

Kanë qenë tipike këndvështrimet mbi moralen dhe imoralen në raportin e individit me shoqërinë e njëri-tjetrin jo vetëm në ditët tona, por që në kohë të lashta. P.sh., në shoqërinë romake ky raport lidhej ngushtë me ndryshimin midis së thënës e së bërës, me atë që romakët thoshin dhe atë që bënin. Po aty, në kuptimin e moralit dhe imoralitetit, veçohej udhëheqja apo elita nga pjesa tjetër e popullsisë, madje elita shihej si morale, kurse turma me prirje përgjithësisht si imorale. Në këtë mënyrë i mundësohej elitës që të justifikonte qeverisjen e saj dhe ta konsideronte atë si morale, duke kontrolluar e minimizuar sjelljen jo morale të popullit apo turmës. Madje, nëpërmjet një ideje të tillë kanalizohej edhe vetë qëllimi i kontrollit. Në ditët tona, një diçka e ngjashme ndeshet e “transplantuar” jo pak në gjirin e politikës, sidomos të asaj qeverisëse në mjaft vende, përfshi dhe Shqipërinë, kur shpesh në realitet ndeshet e kundërta!…

Karta e moralit

Në luftën ndaj imoralitetit, për të reduktuar abuzimin e korrupsionin në institucionet politike e publike krijohen procedura konkrete për të kontrolluar aktivitetin e zyrtarëve të tyre. Veçse, nëpërmjet këtyre procedurave kontrolluese e koercitive realizohet edhe imponimi mbi qytetarët. Bile, në këtë proces, futet në lojë “karta e moralit”, diku me një prirje pozitive, diku tjetër për të kamufluar të vërtetën dhe mbuluar korrupsionin në veprimtarinë qeveritare.

Vetë “karta e moralit” prodhon edhe qëndrime pozitive, veprime e reagime progresive apo sjelljen e duhur të qytetarëve. Por, a mund shfrytëzohet kjo kartë, a mund të jepen leksione morali në një parlament, kur vetë morali i tij mund të vihet në pikëpyetje? Dhe, jo thjesht e vetëm në respektimin e kuadrit rregullator, pjesëmarrjes e debatit konstruktiv, transparencës së votimit, apo edhe korrektësisë, ndershmërisë e pastërtisë në miratimin e ligjeve, ndërveprimit e kompromisit politik, fuqizimit të zërit qytetar etj. Problemi rezulton akoma më serioz kur preket ose “sëmuret” edhe institucioni i votës së lirë e demokratike, aq më keq brenda vetë Parlamentit! Madje, në proceset zgjedhore shqiptare janë shfaqur jo pak abuzime me listat zgjedhore, dokumentet e votimit e infrastrukturën zgjedhore, në përgjithësi. Janë ndeshur shkelje e deformime në zbatimin e Kodit, në garantimin e respektimin e votës, në numërimin korrekt të saj etj.

Edhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor si KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor kanë shfaqur dobësi serioze, më e pakta për paaftësi profesionale, më e shumta për komandë e tutelë partiake. Tepër të paqarta janë dhe “manovrimet” partiake mbi financimin e zgjedhjeve apo veprimtaritë partiake. Po ashtu, tepër delikate mbetet çështja e përzgjedhjes, cilësisë dhe ndershmërisë së kandidatëve për deputetë e këshilltarë, për kryetarë bashkie e komune, apo dhe probleme banale si ato të diplomimit abuziv, ato të shkeljes apo kamuflimit të ligjit të konfliktit të interesave etj. Nisur dhe nga kabllogramet e fundit, një situatë e tillë, qoftë dhe në perceptim, duhet të analizohet e korrigjohet me shpejtësi, për të mos kryqëzuar duart pak më vonë! Po ashtu, nuk mund të lihet mënjanë edhe fakti, që në kushtet shqiptare të një regjimi hibrid, me gjithë progresin e dukshëm social-ekonomik e teknologjik-kulturor vazhdon të mbijetojë të menduarit politik anakronik (deri mesjetar) dhe ai autokratik (deri diktatorial), deri marrja përsipër e detyrës së gardianëve të moralit publik për të diktuar atë që është e mirë apo e keqe për këdo.

Kjo “karta e moralit” po shfrytëzohet sot edhe në përgjigje të përkeqësimit të krizës ekonomike globale apo “apendicitit” aktual – të krizës së borxhit publik. Madje, nisur dhe nga pamjet konkrete të “pranverës arabe”, segmente të shoqërisë e politikës në mjaft vende me demokraci problematike kanë shprehur frikën se papunësia në rritje dhe shtresimet e pakënaqura të popullsisë mund të shoqërohen me frustrime deri veprime radikale, si në rastin e Greqisë. Prandaj, mjaft qeveri, duke “inkurajuar” moralin, nga njëra anë, dhe duke fuqizuar masat koercitive, nga ana tjetër, synojnë ta minimizojnë apo dobësojnë këtë lloj “disidence”.

Pse jo, edhe duke i veshur asaj apo dhe çdo reagimi antiqeveritar “rrobën” e konservatorizmit, antiglobalizmit, komunizmit etj. Dhe, ndërkohë që frustrimet bëhen më të pranishme, politikanët e korruptuar, në qeveri apo jashtë saj, vazhdojnë të ruajnë pozicione kryesore partiake e publike. Kurse politikanë të ndershëm ose mënjanohen plotësisht apo “shumohen” për ta shuar zërin e tyre. Akoma më ironik, deri dhe qesharak, është fakti që një pjesë e politikanëve të korruptuar veshin rrobën e moralistit, për të mbuluar korrupsionin apo praktikat e tyre autokratike. Madje, deri duke i konsideruar reagimet ndaj tyre si imorale apo duke akuzuar e sulmuar individë, gazetarë e politikanë, prokurorë e gjyqtarë fare të papërfolur. Në ndonjë rast, duke bërë dhe teatrin e radhës, duke mbuluar korrupsionin e madh dhe proceduar e dënuar atë të voglin; mjaft shpesh edhe duke monopolizuar debatin mbi atë që mund të klasifikohet sjellje morale ose imorale, tamam si në fabulën e Ezopit, ku “varen hajdutët e vegjël ndërkohë që ata të mëdhenjtë caktohen në zyra publike”. Kjo vlen edhe për ne shqiptarët. Bile, nuk ka asgjë më të keqe për një popull sesa ngritja në piedestal të një hipokrizie të tillë! Pa dënimin e gjithanshëm të këtij realiteti si mendësi e praktikë në qeverisje, demokracia shqiptare mund të asfiksohet e të pësojë një vdekje të ngadalshme…

Lufta kundër padrejtësisë si akt moral

Në përgjithësi, kërkesa për barazi është një e drejtë morale, por dhe hedhja poshtë e politikave të padrejta, antipopullore e korruptive, është një akt moral. Pikërisht që demokracia të mbetet përfaqësuese e popullore! Por jo gjithmonë ndodh kështu! Jo rrallë, qeverisja realizon të kundërtën, deri duke kryer versionin e saj të “agresionit” mbi pjesën tjetër të shoqërisë, që nuk e mbështet ose e “voton” atë. Pra, në vend të krijimit të bindjes, këtu e ka burimin përdorimi i forcës. Aq më tepër që kjo forcë (e bazuar në një forcë tjetër), e mbështetur në një shumicë popullore, mund të ndikojë mbi vetë politikën e politikanët. Këta të fundit, nën euforinë e këtij “ushqimi”, mund të pretendojnë që po bëjnë gjëra të mira, deri duke shfrytëzuar rrugë imorale, korruptive apo antipopullore. Pse jo, dhe të sfidojnë e kapërcejnë të drejtat e njerëzve për të qenë produktivë në kuadër të lirisë, deri duke shfrytëzuar instrumente të qeverisjes për të strukturuar tregun sipas interesave të tyre, dhe jo zgjedhjes individuale. Por, një proces i tillë nuk është as moral, as racional, as i drejtë, më shpesh as dhe efektiv! Ai bëhet akoma më problematik, deri tragjik në situata krize, kur në parametrat shoqërues të tij mishërohen abuzimi qeveritar, arroganca, korrupsioni, paaftësia e jo profesionalizmi. Normalisht, në vende demokratike kjo reflektohet padyshim në zgjedhjet pasuese!

Kjo duhet të arrihet me domosdo edhe në realitetin shqiptar…

Një shqetësim tjetër është rritja e kufizimeve nëpërmjet një sistemi rregullator mbytës, shoqëruar me manovrime të tjera për të penguar apo reduktuar lirinë e fjalës dhe shprehjes, shtypit të lirë, organizimit etj. Aq më tepër që, në pikëpamje liberale e morale, rregullat e rregullimet e ashpra i dhunojnë keqas të drejtat individuale dhe ato pronësore! Po ashtu, sot, shumë biznese kanë lidhje intime me qeveritarë të ndryshëm (qendrorë e vendorë), ligjvënës dhe administratorë shtetërorë. Në njëfarë mënyre, biznese të tilla pasqyrojnë një shtrirje jo morale të sistemit etatist, duke shfrytëzuar fuqinë qeverisëse në krijimin e avantazhit mbi të tjerët në treg, pse jo dhe duke e dëmtuar apo shuar tërësisht konkurrencën në fushën përkatëse. Në një farë kuptimi, edhe marrëveshjet e tregtisë së lirë midis shteteve pasqyrojnë në një mënyrë apo tjetrën ndikimet e korporatave multinacionale, sidomos në mbulimin e disa shpenzimeve prej qeverive vendore (pra dhe qytetarëve të thjeshtë!). Po ashtu, organizime të tilla e theksojnë më tej ndarjen midis pronarëve dhe menaxherëve, zotërimit e administrimit, pronës dhe punës, duke e bërë më pak të drejtpërdrejtë vendimmarrjen.

Dhe, ndërkohë, agjencitë përkatëse shtetërore legale e financiare krijojnë hallka të reja apo shtojnë labirintet e ndërlikimit. Bëhet, kështu, më i sofistikuar rrjeti i korruptimit, d.m.th. dhe i abuzimeve të politikanëve, zyrtarëve të sistemit rregullator apo sistemit të Drejtësisë. Madje, një shqetësim në vete është ky i fundit, prania e korrupsionit apo e mbulesës juridike brenda tij, që në kushtet e një menaxhimi të papërgjegjshëm dhe imoral, e rrit ndjenjën e pasigurisë (jo vetëm në investim, por dhe në jetën njerëzore) pavarësisht deklarimit e shpresës për mbrojtje qeveritare. Një shprehje e tij është dhe greva e minatorëve të Bulqizës, ndaj zgjidhjes së cilës qeveria vazhdon të mbetet memece!…

Nuk duhet harruar, po ashtu, se në një ekonomi të lirë, shumica e konsumatorëve e përqendron gradualisht vëmendjen jo më tek çmimi, por tek cilësia e mallit dhe e shërbimit, garancitë apo mënyra e dhënies së tij. Madje, në këtë këndvështrim, në vend të synimit për më shumë rregullime, p.sh. në emër të përgjegjësisë sociale, interesave të komunitetit apo mbrojtjes së mjedisit, duhet synuar fuqishëm në goditjen e korrupsionit qeveri-biznes. Dhe, mbi të gjitha, në thjeshtësimin e burokracive përkatëse (në nivel qendror apo vendor), që ndikojnë në vetë çmimet, në investimet infrastrukturore, tek shëndeti, edukimi, siguria etj.

Shpesh thuhet se ligjet, aktet ligjore, rregullat e procedurat në një vend janë pasqyrime të etikës së vetë popullsisë. Por nuk është gjithmonë kështu! Gjynahe jo të pakta dhe të drejtpërdrejta ka dhe vetë politika, sjellja imorale e saj. Nëse kjo e fundit beson se të qenit i pandershëm apo i paarsyeshëm të ndihmon në suksesin e një biznesi apo të përfshirjes në politikë, atëherë nënkuptohet se një “besim” i tillë reflektohet edhe në operimin apo veprimtarinë e agjencive të ndryshme rregullatore. Dhe kjo transmetohet edhe në gjirin e popullsisë. Bile, apatia ndaj korrupsionit qeveritar shpreh dhe dorëzimin ndaj virtytit të integritetit në nivel politik e ekonomik. Situata bëhet shumë më e rëndë kur njerëzit gjithmonë e më të zhgënjyer nuk besojnë më që mund të bëhet diçka në pastrimin e sistemit politik e qeverisës. Aq më pak, kur, sipas fabulës ezopiane, dënohen për fasadë më të vegjlit dhe harrohen fare të mëdhenjtë. Por, nuk duhet harruar se vjen një fund për gjërat e këqija të prodhuar nga vetë njerëzit, në radhë të parë të atyre të politikës!…

Rregullimet e tepërta si shprehje imoraliteti

Presidenti Regan, duke komentuar pikëpamjen qeverisëse mbi ekonominë, thekson: “Nëse diçka lëviz, taksoje atë, nëse vazhdon lëvizjen, rregulloje atë dhe nëse ndalon së lëvizuri, subvencionoje atë”. (“If it moves, tax it. If it keeps moving, regulate it. And if it stops moving, subsidize it.”). Por, ama, të mos teprohet! Rregullimet synojnë të zëvendësojnë gjykimin e sipërmarrësve apo pronarëve dhe të proceseve të tregut me ato të burokratëve. Aq më keq kur midis tyre kanë peshë më të korruptuarit. Një proces tillë, në një moment të dhënë e kushte të caktuara, mund të bëhet jo funksional. Ky është fundi i rrugës së shkatërrimit të ekonomisë nëpërmjet qeverisë.

Pa dyshim nga tregu i lirë dëmtohen ata që duan të imponojnë vullnetin dhe interesat e tyre mbi të tjerët. Bile, nëse tregu është tërësisht i lirë, nëse zgjedhjet individuale dhe prona respektohen e garantohen plotësisht, atëherë bëhet gjithmonë më e vogël nevoja për politika publike të sofistikuara, për trysni mbi media apo blerje të tyre, për politikanë demagogë e mashtrues, për më tepër agjenci rregullatore, burokratë, lobistë, spindoktorë etj.; për rregulla të stërholluara e rregullime deri qesharake. Një argument për këtë është se ekonomitë më të fuqishme janë gjithnjë më të lirat. Madje, edhe liritë apo mundësitë e njerëzve më të varfër në këto vende janë shumë më të mëdha. Pra, rregullimet e tepruara ndikojnë në mënyrë negative mbi jetën, lirinë, pronën, shoqërizimin. Por, ato janë dhe shprehje e qartë e imoralitetit politik e qeverisës, sepse ato, në vetvete, favorizojnë abuzimin, mitmarrjen e korrupsionin. Ato prekin drejtpërsëdrejti dhe konsumatorin, aq më tepër që të gjithë qytetarët janë konsumatorë (marrin pjesë në ekonominë e tregut, janë konsumatorë të disa shërbimeve qeveritare – dokumentimit, regjistrimit dhe kontrollit të pasurisë, punës tonë nëpërmjet taksimit dhe rregullimeve të ndryshme etj.).

Pra, çdo qytetar, që nga i pari tek i fundit, është një konsumator. Përveç ligjeve bazë ekonomike, si p.sh. ai i kërkesë-ofertës, edhe çmimet apo varietetet e mallra-shërbimeve që ne konsumojmë varen sot dhe nga ajo që bën qeveria me paranë tonë, nikoqirllëkun dhe cilësinë e shpenzimeve të saj. Në këtë kuptim, çdo kapardisje qeveritare për investime me para të taksapaguesve është gati “qesharake”! Por, po aq e rëndësishme është dhe ajo që bën një qeveri për të penguar, drejtuar e ndaluar rrjedhjen e informacionit, qarkullimin e lirë të mallrave e shërbimeve në treg. Pra, vetë shteti me interferencat e shpeshta dhe të pakuptimta shfaq një aspekt negativ në ekonomi, sidomos me ndërhyrjet e veta të padrejta mbi lirinë, duke ushqyer abuzimin. Në këtë kuptim, biznesi lufton për fitimin e tij (ai i ndershmi edhe duke u mbështetur te ligji e reputacioni), ndërsa qeveria mbledh paratë prej “konsumatorëve” të saj (jo vetëm nga bizneset, por dhe të gjithë qytetarët) duke u mbështetur në një forcë koercitive (policore, tatimore, doganore, gjyqësore etj.) dhe në “statusin monopol” në këtë “biznes”. Nëse ajo abuzon me këtë “status”, nga imoraliteti ekonomik ajo mund të hidhet në prehën e imoralitetit politik!…

Politika si biznes

Politika në jo pak raste është kthyer gati në një “biznes me shtetin”. Problematike janë fuqitë politike që u jepen institucioneve qeveritare ekzekutive (nëpërmjet taksimit e monopolizimit) në prekje të parimeve bazë të ekonomisë së lirë të tregut. Tepër kritike janë mjaft aksione arrogante e konfrontuese, krejtësisht imorale, ndaj lirisë, pronës, sovranitetit personal. Ato shfaqin efekte serioze negative mbi prodhuesit e konsumatorët, duke rritur abuzimin e korrupsionin.

Por, le të imagjinojmë për një moment që bizneset do të reagojnë duke mos iu nënshtruar presioneve nga individë me “pushtet” në organet politike, tatimore, doganore, shëndetësore, mjedisore etj. Në “darën” e këtij reagimi, shoqëruar me mbështetjen qytetare e opozitare, vetë sistemi i korrupsionit do ta ketë gjithmonë e më të vështirë manovrimin. Pse jo dhe qeveria me “disiplinimet” e rregullimet e dyshimta; emërimet publike, masat mbi sigurinë publike, mbrojtjen e konsumatorit etj.! Por, ama, e kundërta, heshtja e pranimi, apatia e mosreagimi, e bën imoralitetin si dukuri të zakonshme qytetare, bile një normë politike e ekonomike mbijetese. Dhe, kështu, arrihet në korrupsionin kapilar, në ushqimin e kultivimin e tij! Situata merr ngjyra tragjike kur arrihet në një kombinim toksik të korrupsionit me shtetin policor. Aty, apo edhe në variante më të lehta, korrupsioni politik dhe ai në gjirin e biznesit, mitmarrja konstante, taktikat e egra policore apo funksionimi i gjykatave “kangur” etj., shprehin pamjet më kuptimplota të deformimit politik-institucional e social-ekonomik të një vendi, komandimit të tij nëpërmjet një lordi ose disa lordësh feudalë, aq sa dhe shkelje ligjore-kushtetuese për lejim monopolesh nuk ia “dredhin qerpikun” politikës! Bile, për “çudi”, shumë politikanë parapëlqejnë të flasin për sëmundje të tilla, me pretendimin e të qenit imun apo me “betimin” e të qenit të paprekur prej tyre. Kjo, për fat të keq, u perceptua dhe në rastin e konferencës rajonale kundër korrupsionit në Tiranë! Aq më tepër po të kihet parasysh dhe pretendimi “biografik” i një opozitari të djeshëm me rol prokurori apo të Kryeministrit prokuror të sotëm! Qoftë dhe ai pohimi “olimpik” i sulmeve ndaj Nanos “për fushatë elektorale”!…

Por le ta ndalojmë këtu shkrimin, sepse kjo historia e imoralitetit, e pandershmërisë dhe e cilësisë së një pjese të politikës është sa e hershme, po aq dhe e përditshme, sa lineare, po aq dhe e valëzuar, sa momentale apo aq dhe e pafundme, sa pjesore po aq dhe tërësore. Prandaj, për një relaksim të lexuesit, po rikujtoj një ngjarje mjaft të largët:

Ka sa të duash në sipërfaqe!

Në Egjiptin e lashtë, në një nga dinastitë e tij u “vendos” të ngrihej “Kulti i Krimbit”. Ishte ideja e kryepriftit egjiptian për ndërtimin e një vendi të shenjtë në nderim të krimbit të famshëm në ngjyrë të verdhë të deltës së Nilit. Në fakt, vetë faraoni e kapi këtë krimb kur po shkonte të peshkonte me grep. Ai, i mahnitur nga ngjyra e tij e verdhë, nuk e shfrytëzoi atë si karem, por e veçoi dhe e mori me vete në pallat. Atje, të gjithë shprehën një “admirim” të dukshëm mbi këtë “gjetje” natyrore. Shumë më e dukshme ishte kënaqësia e kryepriftit. Ai, mbi të gjitha, ishte një politikan dinak, që e dinte mirë “zanatin” e tij në manipulimin e njerëzve.

Vendosi, pa një pa dy, ta shfrytëzonte ngjarjen dhe krimbin e verdhë, duke e kthyer këtë të fundit në një objekt kulti, devocioni e kontrolli. Porositi një kuti flori të mbuluar me gurë të çmuar, ku futi krimbin dhe disa gjethe për ta ushqyer atë. Nuk e pati të vështirë të bindte faraonin dhe njerëzit rreth tij se ai krimb ishte Krimbi i pavdekshëm i zotëve, simboli i perandorisë dhe i pavdekshmërisë. Në fakt, qëllimi kryesor i tij ishte të krijonte njëlloj feje të re që të depërtonte në zemrat dhe mendjet e egjiptianëve. Por, dhe faraonit i pëlqeu një gjë e tillë, aq më tepër që ai po vriste mendjen prej kohësh për riorganizimin e fesë në dinasti, në fuqizim të pushtetit të tij. Prandaj, ai, pa e zgjatur, urdhëroi arkitektët më të shquar të perandorinë për të ndërtuar tempullin në nderim të krimbit të verdhë.

Dhe, nuk vonoi që në tempull, nga të gjitha anët e perandorisë, të vinin njerëz për ta parë e nderuar krimbin e verdhë të zotëve të pavdekshëm dhe faraonëve. Ata përkuleshin para kutisë së artë brenda së cilës ky krimb vazhdonte ushqim-marrjen e tij…Por, me gjithë kujdesin e bërë, fundi nuk ishte aq i këndshëm për krimbin. Ai jo vetëm nuk ishte i pavdekshëm, por dhe me jetëgjatësi sa të mjaft krimbave të tjerë. Nuk e kaloi dot javën, pavarësisht të jetuarit në një kuti floriri!…

Prifti, i bindur se një krimb i ngordhur nuk mund të ngjallte besimin e duhur mbi pavdekësinë, u nis fshehtas drejt deltës së Nilit. Aty, sapo po fuste lopatën në baltën e Nilit, dëgjoi zërin tallës të një peshkatari plak: “Po kërkoni për krimba të verdhë? Mos u lodhni me lopatë, por fusni dorën në baltë. Këta krimba janë tamam si politikanët: ata jetojnë në pjesën më të plehëruar dhe të pasur të llumit. Prandaj, nuk ka pse të gërmohet thellë, ka sa të duash në sipërfaqe!”…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama