Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të shmangen 'valëvitjet' partiake të stërzgjatura!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
Të shmangen 'valëvitjet' partiake të stërzgjatura!

Harresë apo shfaqje mendësie e partisë-shtet?

Disa ditë më parë, në një udhëtim për në Elbasan me një mik të huaj, vura re se, që nga dalja e Tiranës, në shumicën e shtyllave të rrugës kombëtare valëviteshin vetëm flamuj të PD-së! Kjo edhe pse fushata zgjedhore kishte një muaj që kishte përfunduar. Ndoshta, nuk do të reagoja në këtë shkrim për këtë fakt imponues, nëse ai miku i huaj të mos më pyeste për flamujt e varur. Pyetja e tij ishte fare e thjeshtë: ai mendoi se bëhej fjalë për flamuj të veçantë me ndonjë vlerë mbarëkombëtare dhe se valëvitja e tyre lidhej me ndonjë ngjarje të rëndësishme… Dhe ai nuk kishte si të mendonte ndryshe, aq më tepër që vinte nga një vend me krenari, sa të ligjshme, po aq dhe të fuqishme, kombëtare! Nga shpjegimi im mbi këta flamuj thjesht partiakë ai mbeti i befasuar. A mund të besonte ai se edhe pas 20 vjetësh, Shqipëria, politika shqiptare, mbi të gjitha ajo qeverisëse, vetë shoqëria dhe qytetari shqiptar mund të lejonin të ushqehej apo të vazhdohej të ushqehej një tip mendësie e llojit të shtetit-parti apo të partisë-shtet.

Natyrisht, dhe unë nuk kisha si të mos reflektoja; pasojë e këtij reflektimi janë dhe këto radhë. Madje, edhe për mua, valëvitja e këtyre flamujve partiakë nuk mund të quhet thjesht një “harresë” vendore, por është një nga shfaqjet konkrete (sado në pamje të parë si gjoja e parëndësishme!); një trysni e drejtpërdrejtë e “fitimtarit”, një mishërim sjelljeje i pushtetmbajtësit, një ethe e mbajtur ndezur e akumuluesit të pushtetit; Një pasqyrim kuptimplotë në morinë e pasqyrimeve të panumërta të kësaj mendësie anakronike të partisë-shtet, fuqimisht të pranishme në jetën politike-institucionale dhe social-ekonomike shqiptare. Aq më tepër, që çdo flamur partiak, jashtë një veprimtarie partiake apo elektorale, nuk i shërben unitetit qytetar apo kohezionit social, por përçarjes e ndasive. Kjo, për fat të keq, dhe pas 20 vjetësh tranzicion!…

Simbolet partiake

Kudo në botë, partitë politike kanë simbolet e tyre, nëpërmjet të cilave realizohet në një pamje të parë edhe dallimi midis tyre. Në fakt, ideja e një simboli të zgjedhur mirë, por edhe historia e tij, është një farë “grepi” që militanti apo anëtari i kësaj partie, duke qenë në kontakt me këtë simbol, të ndiejë përkatësinë e vet partiake, për të kaluar në një fazë më serioze që lidhet me afeksionin, frymëzimin prej idealeve, programit dhe qëllimeve të këtij grupimi politik. Në këtë kuptim, krahas drejtimit karizmatik, ngjyrat, dizajni përkatës, konfiguracioni i simboleve apo shenjat e tjera partiake luajnë një rol jo të vogël në manifestimet e këtij grupimi, në mënyrë të veçantë në fushatat zgjedhore, në reagimet masive politike, situatat festive partiake etj. Edhe krahu politik ka orientimet e veta, p.sh., simbolet “majtas” lidhen me liberalizmin, kurse ato “djathtas” me konservatorizmin…

Gjithashtu, ashtu si simbolet kombëtare, edhe simbolet partiake, përgjithësisht kanë historinë, origjinën, interpretimin e tyre, pse jo dhe rastësitë e veta. Kjo vlen dhe për flamujt partiakë ku shumë shpesh edhe ngjyrat kanë kuptimin e tyre. Kështu, ngjyra e kuqe apo rozë është ndeshur më shpesh në grupime partiake me orientim politik për nga social-demokracia, socializmi e komunizmi, kurse në rastin e Partisë Naziste gjermane, në fushën e kuqe të flamurit të saj ishte vendosur një rreth i bardhë me një kryq të zi të thyer në mes. Ngjyra blu është ndeshur më parë tek orientime konservatore, monarkike etj., ndryshe nga bluja dominuese në flamurin e NATO-s apo të BE-së. Të zezën e ndeshim më shpesh si simbol të anarkizmit (por Edhe si veshje simbolike është për fashizmin); Po ashtu, shpesh të zezën e ndeshim të kombinuar me ngjyra të tjera edhe në flamujt shtetërorë të shumë vendeve arabe etj.
Në SHBA, historikisht ngjyra blu ka mishëruar pikëpamjet liberale të karakterit politik e social, ndërsa e kuqja ka manifestuar më shumë pikëpamjen konservatore. Kjo vihet re edhe në ngjyrosjen e hartës së shteteve pas zgjedhjeve federale (ngjyrosje me blu për fitore të demokratëve dhe me të kuqe për fitore të republikanëve). Këto dy ngjyra ndeshen sot të ndërthurura në dy partitë kryesore, të pasqyruara në dy simbolet përkatëse të tyre. Kështu, p.sh., simboli për Partinë Demokratike është gomari si mishërues i krahut politik liberal apo “të majtë” (shpesh i ngjyrosur në blu sipër dhe i kuq poshtë, me katër yje të bardhë në pjesën blu, me kokë të orientuar majtas); Ndërsa për Partinë Republikane ky simbol është elefanti si mishërim i krahut konservator apo “të djathtë” (shpesh i ngjyrosur në të kuq në gjysmën e poshtme, në blu në gjysmën e sipërme me tri yje të bardhë në zonën blu dhe me kokë djathtas).
Jo vetëm në Amerikë, por dhe në vende të tjera, ngjyra e gjelbër, në kuptimin politik, mishëron kryesisht orientimin mjedisor ose agrar, ndërsa në disa vende myslimane ajo ngjyrë lidhet dhe me fenë bazë  – islamin etj.

Rasti shqiptar

Në Shqipëri, krahët partiakë dhe ngjyrat politike përkatëse nuk pasqyrojnë ndonjë orientim të mirëfilltë të grupimit shtresor apo përkatësive klasore. Konkretisht, për dy partitë kryesore, në flamurin e PD-së dominon bluja, ndërkohë që në atë të PS-së, në vend të fushës në ngjyrë të kuqe, dominon aktualisht roza. Ashtu si dhe “konfuzioni” shqiptar i ngjyrave, është dhe leximi i sjelljes politike konkrete apo pikëpamjet e deklaruara të reformave ekonomike! Për më tepër, në rastin shqiptar, më të varfrit, që e quajnë veten “çuditërisht” dhe të djathtë, kanë një frymëzim pëdëist ose janë në shumicë militantë të PD-së (të rreshtuar formalisht në spektrin e partive të krahut të djathtë  apo të qendrës së djathtë), ndërsa shumë biznesmenë janë shumë më të afruar me PS-në ose janë pjesë të rëndësishme të strukturave drejtuese dhe përfaqësuese-institucionale të saj. Veçse ky absurditet shqiptar shkon deri atje, sa disa media, në shërbim të qartë të qeverisë, të “gëzohen” që krahu politik i djathtë na qenka sot mbizotërues në BE!…

Nga ana tjetër, në mjaft raste, mendësia e partisë-shtet e bën tepër të vështirë procesin e demokratizimit të jetës partiake pluraliste. Madje, çdo përpjekje për shndërrimin real të partive politike shqiptare në parti thjesht elektorale vazhdon të pengohet si nga mendësia parti-shtet e drejtuesit (e drejtuesve), ashtu dhe “devocioni” militant i anëtarësive partiake. Po ashtu, ndërkohë që në botë, në proceset elektorale, peshën kryesore e kanë programet partiake-elektorale dhe personaliteti i kandidatëve konkretë, në Shqipëri vazhdon të ketë më shumë vlerë sigla partiake apo flamuri partiak dhe “përzgjedhjet” e liderit, sesa programi dhe kandidatët konkretë. Kjo është bërë edhe më e dukshme me zbatimin e sistemit proporcional rajonal në dy proceset zgjedhore të fundit.

Duhet shtuar dhe diçka tjetër. Ndarja e votuesve militantë e besnikë në dy gjysma elektorale pothuajse të njëjta (pa një përfshirje të qytetarisë gri në këto procese) po i bën proceset zgjedhore gjithnjë e më problematike. Pa atë përfshirje nuk mund të arrihet aktualisht, më shumë se numerike, një zgjidhje stabilizuese-qeverisëse. Ndoshta, duhet rikthyer tek sistemi i përzier zgjedhor (sistemi kushtetues i mëparshëm me dy raunde), ku më shumë se imponimi i liderit (kryetarit), merr vlerë personaliteti i vetë kandidatit dhe vota e qytetarit jo partizan, jo ajo e votuesit militant, besnik deri në “budallëk”…

Një shërbim militant deri në fund

I ndodhur në shtratin e vdekjes, një mbështetës i përhershëm i një partie politike, duke përjetuar çastet e fundit të jetës, vendosi të ndryshojë anëtarësinë partiake dhe për këtë firmosi dokumentin e anëtarësimit në partinë e re. Një nga miqtë e vjetër, i çuditur dhe i zhgënjyer nga ky vendim i papritur, e pyeti: “Si është e mundur?! Ne  kemi milituar besnikërisht vite së bashku në atë parti, duke jetuar gëzimet e dhimbjet, sukseset e dështimet, fitoret e humbjet, ngritjet e zbritjet e saj,… si mund ta ndryshosh këtë përkatësi partiake tani?!”…

Por, ai, në grahmat e vdekjes, duke artikuluar me vështirësi fjalët e fundit, shpjegoi: “Pikërisht, për ato përjetime që sapo përmende, sepse ai që po vdes, nga çasti në çast, nuk është më yni, por i atyre!…”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama