Pse jam me opozitën… e pushtetit lokal

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 9 vite më parë

Henri Çili
Pse jam me opozitën… e pushtetit lokal

Po, në këto zgjedhje lokale, ia vlen të jemi me opozitën lokale për më shumë se një arsye, përtej faktit që të jesh me opozitën është në vetvete fisnike. Sidomos në aksin Tiranë-Durrës-Elbasan- Korçë, në të cilin kemi shumicën e fuqisë ekonomike, kulturore, intelektuale të Shqipërisë. Këta qytete janë qeverisur nga opozita socialiste që prej vitit 2007 dhe kemi rastin e lumtur kur zgjedhësi të kërkojë llogari për bilancin e këtij mandati.

Por secili prej problemeve që  ka secili nga  katër këta qytete është i ndryshëm nga tjetri, profili i një kryetari bashkie është i ndryshëm prej tjetrit. Nëse në Tiranë është problem thelbësor rikandidimi për herë të katërt i Ramës dhe pozita e dyfishtë e tij edhe si kryetar i opozitës dhe mëtimi i mëtejshëm për kryetar bashkie; nëse në Durrës problem mbetet përcaktimi i një të ardhmeje reale për fizionominë e Durrësit të nesërm, si pjesa e dytë e asaj që po njihet gjithnjë e me shumë nga teknicienët e zhvillimit Rajonal si “Durrana”, pra “qyteti Tiranë-Durrës”; nëse në Elbasan është problem absolut arkaizmi i menaxhimit të qytetit që pret të bëhet pas tunelit të ri Tiranë–Elbasan, qyteti i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë; nëse në Korçë ka alarm për të shpëtuar në minutën e fundit shfytyrimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, bastion i fundit i traditës sonë qytetare, ka megjithatë diçka të përbashkët që i lidh të katër këta qytete: politizimi i tejskajshëm i qeverisë së këtyre katër qyteteve sipas modelit të politizuar të qeverisjes së Tiranës nga Edi Rama, për shkak të cilësive të veçanta të Edi Ramës si kryetar i PS-së dhe opozitës.  Qeverisja e këtyre katër qyteteve vërtet i ngjan gjithnjë e më tepër modelit Rama. Kudo flitet për ristrukturimin e qendrës së qytetit, për restaurimin e fasadave etj. Dhe si gjithnjë, edhe të mirat e një modeli mund të merren, por bashkë me të edhe efektet negative të shterimit të fushatës.

Ndaj, këta katër qytete, ky gjerdan që opozita politike e ka vënë në brez në luftën e saj politike për të mundur Sali Berishën dhe qeverinë e tij, është në të njëjtën mënyrë, i ekspozuar para një rishqyrtimi të dyfishtë nga elektorati si edhe Tirana, kryemodeli i këtij aksi.

Qytetarët e këtij aksi kanë për të zgjidhur së paku dy çështje në këto zgjedhje. Së pari, kanë nevojë të shqyrtojnë bilancin e kryebashkiakëve aktualë në këta qytete, ku realisht ka nevojë për  përgjegjësinë e premtimeve të dhëna. Dhe kjo është gjëja e parë normale: shqyrtohet ai që është në karrige, kërkohet llogari, miratohet ose refuzohet bilanci dhe puna e bërë.

Së dyti, qytetarët kanë për të dhënë verdiktin e tyre lidhur me vijimin apo ndëshkimin e modelit tejet të politizuar në drejtimin e qyteteve të sipërmendur, sipas modelit të Tiranës dhe Edi Ramës. Jo më kot administratat e këtyre bashkive janë shndërruar në zyrat e vërteta të opozitës socialiste në këta qytete, duke zëvendësuar praktikisht partinë socialiste lokale.

Jo më kot administrata lokale e fryrë, shërben shpesh, për simetri edhe të asaj që bën qeveria me administratën qendrore, si kontingjenti kryesor për mitingjet në Tiranë apo qytet. Shkurt, një gradë e papranueshme politizimi së cilës i duhet dhënë një zgjidhje e përbashkët për të gjithë qytetet bashkë: ndarja e fushatës lokale nga fushata politike qendrore, ndarja e çështjeve të politikës kombëtare në rang vendi nga ato në nivel lokal. Ky mund të ishte kontributi i vërtetë për të themeluar mbi principe të shëndosha pushtetin lokal në këtë vend, duke i ndarë disa çështje që Edi Rama na i ka pleksur bashkë këta 10 vjet.

Të jesh me opozitën në nivel lokal në këto zgjedhje lokale, do të thotë të japësh një kontribut për ndarjen e luftës për pushtetin qendror nga ajo për pushtetin lokal; do të thotë të ndikosh në depolitizimin e qeverisjes së qyteteve tona. Do të thotë të kontribuosh për normalizimin e punës sonë, ku opozita duhet të jetë opozitë, qeveria qeveri dhe pushteti lokal një pushtet lokal i vërtetë.

Kjo po, ai vlen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama