Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gra e vajza, reagoni!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Meidani
Gra e vajza, reagoni!

Mos vallë kryekomunari ose kryebashkiaku është ndonjë “dhunti” mashkullore?

Shikoni pak listat e kandidatëve të partive politike për kryetarë bashkie e komune dhe realizoni menjëherë se çfarë premtimesh, më saktë,…“përrallash”, janë emetuar ose emetohen nga gojët mashkullore të partive politike shqiptare. Një turp i vërtetë, madje një “rekord” ky në lëmin e gënjeshtrës dhe demagogjisë! Për fat të keq, po aq të pandjeshëm, bile të diskredituar, duhen konsideruar dhe zërat femërorë në forumet e këtyre partive. Akoma më ironike, pikërisht janë ato fytyra femërore, me sjellje e zhargon mashkullor, që kapardisen në çdo rast si gjoja “heroina” dhe “luftëtare” të lëvizjes feministe emancipuese shqiptare! Ndërkohë, me sa duket, më shpesh është e kundërta! Gra të tilla “udhëheqëse” bëhen krejt të “buta” apo të heshtura kur duhet të zienin në mbrojtje të të drejtave të tyre qytetare e ligjore të përfaqësimit politik; dhe çudia bëhet akoma më e madhe kur po ato fytyra i sheh nëpër emisione, panele apo seanca parlamentare gati duke të “futur thonjtë në fyt” po t’i preket një qime floku “primarit”, udhëheqësit të pazëvendësueshëm…

Në fakt, kjo është dhe e vërteta e hidhur e kandidimit aktual një-emëror. Pra, në kandidimin maxhoritar për degën ekzekutive kjo përqindje kandidimi nuk kalon 3%, ndërkohë që sipas potencialit ligjor ajo duhet të ishte 30%. A nuk është një turp i tillë politik një shkak i fortë për reagim, protestë e abstenim!… Situata duket pak më e mirë në kandidimin proporcional për këshillat e bashkive dhe të komunave. Për ta korrigjuar këtë situatë, më 17 qershor 2008, Parlamenti shqiptar votoi ligjin e ri mbi barazinë gjinore, nëpërmjet të cilit institucionalizohet një përqindje prej 30% e përfaqësimit të grave në trupat legjislativë, ekzekutivë dhe juridikë.

Sidoqoftë, me hilen “mashkullore” në Kodin Zgjedhor, ky përfaqësim, pas zgjedhjeve të 2009-s, ndryshe nga ai i pritshmi prej afro 30%, ka arritur në vlerën e 16 përqindëshit. Sepse dhe aty u sajua “rregullimi mashkullor” i mëposhtëm: Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini. (Neni 67, paragrafi 5, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008). Dhe, për më tepër, aty harrohet fare pjesa maxhoritare në zgjedhjet vendore!…

Faktorë negativë e kufizues

Faktorët e ndryshëm që lidhen me pjesëmarrjen e gruas në politikë mund të grupohen në: a) faktorë kulturorë dhe b) faktorë institucionalë. Faktorët kulturorë janë më bazikë, më fondamentalë, ndërkohë që ata institucionalë mund të gjenerohen dhe ndërtohen më me lehtësi. Përgjithësisht, rruga më e shpejtë (por jo patjetër më efektive) në reduktimin e vështirësive dhe barrierave ndaj pjesëmarrjes së gruas në politikë lidhet me shumë me punën apo përqendrimin te përbërësja institucionale, sesa ajo kulturore. Aq më tepër që kjo e fundit kërkon një kohë shumë më të gjatë për t’u ndërtuar në përmbajtje e thellësi. Disa elemente të rritjes brenda përbërëses institucionale janë: futja e sistemit të kuotave; adaptimi i sistemit të favorshëm elektoral (sistemi proporcional kombëtar, apo dhe sistemi rajonal me një përmasë relativisht të konsiderueshme etj.); metodat e emërimit brenda partive politike (që favorizojnë përfshirjen dhe promovimin e grave të kultivuara, të edukuara dhe të talentuara në politikë), kooptimi dhe “kuotimi” i tyre; rritja e fondeve për veprimtaritë politike të grave etj., kjo bëhet akoma më e domosdoshme dhe e dobishme në kushtet shqiptare…

Mjedisi i ashpër politik në Shqipëri

Në rastin e mjedisit shqiptar ka ende plot arsye për nivelin e ulët të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike. Pra është ende i vështirë ky aktivizim, pavarësisht disa shembujve të suksesshëm të kohëve të fundit. Sidoqoftë, një parametër problematik për pjesëmarrjen e gruas në politikë është dhe ashpërsia e mjedisit tonë politik. Stereotipi i dominimit gjinor mashkullor në jetën shoqërore e atë politike, përfshirë atë parlamentare, me fjalimet e egra, fjalorin apo replikat joqytetare, e bën “ngurtësuese” e hezituese, deri penguese këtë pjesëmarrje. Kjo ka bërë që të dhënat statistikore në Shqipëri të flasin ende për poste drejtuese apo vendimmarrje politike e publike, të mbizotëruara kryesisht nga burrat, pavarësisht nga fakti që niveli arsimor i femrës shqiptare është i njëjtë dhe shpesh edhe më i lartë se ai i burrave, në sasi dhe cilësi.

Edhe organizimet e grave të veçuara apo brenda partive politike janë tepër të dobëta. Përgjithësisht, forumet politike të grave brenda partive më shumë shfaqen si “sfonde politike”, sesa struktura apo organizime që nxisin një rritje pjesëmarrje e aktivizimi. Asnjë nga forumet partiake të grave nuk kanë buxhetet e tyre. Më shpesh, udhëheqja e partisë ndikon shumë në atë që ndodh brenda një forumi të tillë apo i injoron vendimet e marra nga organizatat e grave në parti. Në thelb, vendimmarrja politike në këto forume është mjaft e kufizuar.

Barrierat kulturore e strukturore shqiptare

Në tranzicionin shqiptar, në lidhje me barazinë gjinore, kërkohen të plotësohen apo përmirësohen edhe dy kushte të tjera: 1. Ripërfshirja apo integrimi i femrës në tregun e punës, në kuadër të ristrukturimit apo zhvillimit të ekonomisë. 2. Promovimi i harmonizimit të punës në familje, lehtësimi dhe ndarja e “detyrave familjare”, përmirësimi i kushteve të përkujdesjes, ruajtjes dhe mbajtjes së fëmijëve etj. Pa plotësuar drejt këto kushte, nuk mund të konsiderohet e arrirë demokracia, qoftë dhe ajo e llojit hibrid. Sepse demokracia e vërtetë është ajo kur njëra gjysmë e popullsisë merr pjesë në mënyrë të barabartë me gjysmën tjetër, në vendimmarrjen sociale, ekonomike dhe politike në të gjitha nivelet e qeverisjes. Një problem më vete është dhe hedhja poshtë e barrierave kulturore e strukturore ndaj barazisë gjinore.

P.sh., një barrierë e tillë kulturore në Shqipëri ka mbetur ende binomi: politikë-patriarkalitet, në të cilin mashkulli ka dominuar dhe vazhdon të dominojë lojën politike, kontrollin dhe manipulimin e saj. Ndërsa, barriera strukturore janë, p.sh., vetë partitë politike dhe funksionimi i tyre i brendshëm, sistemi zgjedhor i llojit maxhoritar për degën ekzekutive të qeverisjes vendore, vështirësitë financiare individuale e kolektive për femrën shqiptare etj. Për mënjanimin e këtyre barrierave, disa nga strategjitë për arritjen e balancimit gjinor, të nënvizuara pak më sipër mbeten, p.sh., sistemi i kuotës (quota system), përfaqësimi proporcional, reformimi për financat në fushatën elektorale, trajnimet për gratë e vajzat që përfshihen në politikë etj. Synimi i vërtetë në një periudhë të afërt duhet të mbetet objektivi 50/50, dhe jo ai i ligjit të vitit 2008 nëpërmjet kuotës së 30 përqindëshit, edhe pse deri tani një ligj i tillë nga “prapësitë” mashkullore ende nuk ka prodhuar efektet e pritshme!…

Sistemet “Quota”

Kuotat janë shfrytëzuar me sukses në mjaft vende. Kështu, sot ka mjaft vende që kanë institucionalizuar “sistemin e kuotës” për të rritur përfaqësimin e gruas në politikë. Kështu, p.sh.:

- Në vitin 1994, Afrika e Jugut zinte vendin e 141- të në botë në lidhje me përfaqësimin e grave në Parlament. Pas futjes së kuotës prej 30% nga “African National Congress”, Afrika e Jugut kaloi, më 2004-n, në nivelin e 13-të, me një përfaqësim parlamentar të grave me afro 32.8% në Dhomën e Ulët.
- Po kështu, “Panchayat Raj Act” në Indi u rezervon grave 33% të vendeve në këshillat e fshatit, atë të fshatrave të bashkuara apo në këshillin e distriktit. Sot konstatohen në Indi afro 1 milion gra të tilla të zgjedhura në nivel fshati. Një përfaqësim i tillë ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit në këtë nivel qeverisje.

- Ligji finlandez kërkon të paktën 40% të secilës gjini të përfaqësuar në trupat e ndryshme vendimmarrëse. Një gjë e tillë ka çuar një rritje të përfaqësimit të femrave nga 25% në vitin 1980, në atë 48% në vitin 1996.

- Argjentina ka një kuotë prej 30% të grave në listat elektorale të kandidatëve. Si rezultat, numri i grave të zgjedhura në Dhomën e Ulët ka mbetur nga viti 2001 në 2003-shin te vlera afro 34.1%. Në Senat aktivizimi i tyre, sado numerikisht i rritur, nuk ka dalë akoma aq rezultativ.

-  Kushtetuta franceze u amendua më 1999-n për të arritur te formulimi: “Ligji favorizon aksesin e barabartë të burrave dhe grave ndaj mandateve elektorale dhe funksioneve zgjedhore”. Me këtë korrigjim, në vitin 2000, ligji francez për zgjedhjet u ndryshua në mënyrë të tillë që partitë politike të detyrohen të paraqesin numra të njëjtë kandidatësh burra e gra (me diferencë brenda një intervali prej 2%) për shumicën e zgjedhjeve etj.

Rëndësia e sistemit të kuotimit

Në përgjithësi, nëpërmjet kuotimit, vihet re një rritje e menjëhershme e përfaqësimit politik femëror në shumë vende të botës. Rasti i Francës flet qartë për një rritje të shënuar të numrit të grave deputete, madje me aplikimin e “Parité”-s, përqindja e grave të zgjedhura arriti vlerën 47%, d.m.th. dhe një rritje prej mbi 22% të legjislaturave të mëparshme. Por, ky sistem me kuotë, në variantet e ndryshme të tij, ka funksionuar në të gjitha kulturat. Nëpërmjet tij, në dhjetëvjeçarin e fundit kanë ndodhur ndryshime dramatike në përfaqësimin politik të grave. Aq sa vende të tilla, si: Ruanda, Kosta Rika, Argjentina, Mozambiku dhe Afrika e Jugut, kanë sfiduar vendet nordike, si: Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia e Suedia. Sidoqoftë, sipas rezultateve të suksesshme në pjesëmarrjen politike të femrave, në përgjithësi, sidomos në Europën Veriore, mund të pohohet se: Kuotat kanë rezultuar si mjetet më të shpejta dhe të suksesshme në garantimin e pjesëmarrjes politike të femrave. Sistemet e kuotimit e përmirësojnë në mënyrë efektive politikën për të mos pasur më si strumbullar mashkullin dhe ndihmojnë gratë dhe të ardhurit e rinj për të marrë pjesë në politikë.

Por ato nuk kanë arritur të realizojnë qëllimin e tyre për rastin shqiptar, pra rritjen e përfaqësimit politik femëror në çdo nivel. Shumë më i pranueshëm do të kishte qenë rezultati dhe në Shqipëri, në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, po të mos “trishohej” në mënyrë mashkullore në Kodin Zgjedhor dhe më tej të mos respektohej kuota në kombinimin e kabinetit. Prandaj, për ta kapërcyer këtë barrierë anadollake ka vetëm një zgjidhje – një reagim i fuqishëm femëror. Pse jo dhe tepër tronditës për politikën shqiptare. Aq më tepër që jemi përpara zgjedhjeve vendore, ku përsëri në kandidimin për degën ekzekutive u harrua fare zbatimi i ligjit të 30përqindëshit!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama