Epur si mouve! E megjithatë, Rama është një kandidim i gabuar

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 9 vite më parë

Henri Çili
Epur si mouve! E megjithatë, Rama është një kandidim i gabuar

Edhe pse në të gjitha qarqet politike dhe mediatike të Tiranës, është bërë e ditur se Rama do të jetë kandidati i Bashkisë së Tiranës, kryetari i opozitës nuk po e bën hyrjen në fushatën e vet si kandidat zyrtar. Në tërësi, kemi të bëjmë me një opinion në dilemë, me parti në dilemë dhe mbi të gjitha, me një kandidat në dilemë, për t’i hyrë apo jo për herë të katërt një gare për Tiranën, në kushtet ku prej 6 vjetësh udhëheq popullin e majtë, për të ardhur në pushtet si kryetar i opozitës. Konsumimi i një fabule tejet të gjatë, përtej të gjitha afateve të arsyeshme në një detyrë, ndarja me vite të tëra mes fabulës së Bashkisë dhe Partisë Socialiste, nevoja për të punuar fort dhe në kushte normale në krye të opozitës për të arritur qëllimin e saj final, ardhjen në pushtet dhe shumë rrethana të tjera që nuk kanë nevojë të përsëriten më për opinionin publik, e bëjnë kandidimin për herë të katërt të kryetarit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, një kandidim me këmbë të terstë.

Në fakt, duket se kemi të bëjmë me atë fabulën e një gabimi të pashmangshëm edhe pse të gjithë, përfshi dhe vetja e tij, i thonë Edi Ramës pikërisht të njëjtën gjë: ky kandidim është i pavend. Figura historike të PS e shohin këtë kandidim si ngërç; shumica e komentatorëve dhe analistëve të të gjithë krahëve e shohin kandidimin e ri të Ramës si të papërshtatshëm; por, përsëri, Rama me sa duket do të kandidojë.

Mjafton të kthehemi tek e njëjta logjikë, që si një sindrom i profilit të tij politik, duket se po e ndjek Edi Ramën. Në vitin 2007, të gjithë, pa përjashtim, i thonin të mos konfliktohej me LSI-në dhe Metën dhe Rama sërish e bëri. Të gjithë i thonin në 2008, të mos bënte ato ndryshime kushtetuese famëkeqe me Berishën dhe sërish i bëri; të gjithë i thonin në 2009, të mos e bënte atë kod elektoral, apo sistem elektoral me Berishën kundër një aleati si LSI, dhe aleatëve të tjerë dhe kundër demokracisë dhe, prapë i bëri. Të gjithë i thanë se duhej në 2009 të dorëhiqej nga kryetar i Bashkisë, për t’u vënë në krye të betejës për fitoren e opozitës në 2009 dhe prapë nuk hoqi dorë nga Bashkia. Për të gjitha këto, shpejt apo vonë u pendua, por kjo prodhoi kosto për opozitën dhe më pas për vendin.

Me sa duket, brenda këtij sindromi, sot Edi Rama po bën një tjetër lëvizje, tipike nga ato që nuk duhen bërë dhe për të cilat edhe qytetari më i thjeshtë, apo dhe mendjet e arsyeshme i thonë që të mos e bëjë. Dilema e tij i thotë, po ashtu fort, të mos e bëjë këtë kandidim të panatyrshëm, këtë kandidim, në kohën, vendin dhe për çështjen e gabuar. Por sërish Rama do të kandidojë.

Megjithatë, edhe pse të kandidojë apo jo, është një e drejtë e pacenueshme e tij dhe opozitës, sërish ajo mbetet një nga gabimet strategjike të këtij mandati në opozitë dhe në karrierën e tij politike, e cila teknikisht, që nga fillimet e karrierës së tij ka qenë një gjetje.

Politika është e thjeshtë, mjaft më e thjeshtë se sa duket në të vërtetë. Arsyeja e thjeshtë, logjika bazë e kujtdo e inkuadron kandidimin e Ramës si një diçka të sforcuar dhe të panatyrshme. Si një gabim. Thjesht kemi të bëjmë me një hap politik të papërshtatshëm. Të paktën për rrethanat dhe kushtet e sotme politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama