Zjarri në Peqin lë pas 3 banesa të djegura dhe mbi 50 hektarë sipërfaqe të shkrumbuar

4 Tetor 2026
Tre ditë përballje me flakët kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në territorin e Bashkisë Peqin, ku raportohet për tre banesa të djegura, të gjitha të pabanuara, si dhe mbi 50 hektarë sipërfaqe të përfshirë nga zjarri, me shkurre, ullinj, dru frutorë dhe kultura të tjera bujqësore.
Këtë të shtunë, situata paraqitet nën kontroll, ndërsa vijon puna në terren për neutralizimin e plotë të vatrave të mbetura dhe për parandalimin e riaktivizimit të flakëve.
Zjarri ka prekur disa zona të Bashkisë Peqin, por situata më problematike është shënuar në Përparim, Pajovë dhe në fshatrat kufitare me Tiranën, ku flakët kanë përshkuar sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe kultura bujqësore, duke iu afruar në disa momente edhe zonave të banuara.
Operacioni është vështirësuar disa herë për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer, duke favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe duke e bërë të vështirë ndërhyrjen në disa prej vatrave. Banorët e zonave të prekura e konsiderojnë situatën një goditje të rëndë për mjedisin dhe ekonominë bujqësore të zonës, ndërsa dëshmojnë për orët e ankthit dhe frikës që kanë përjetuar gjatë ditëve kur flakët iu afruan banesave.
Përveç dëmeve në sipërfaqet me shkurre dhe bimësi, një pjesë e konsiderueshme e dëmit lidhet me ullinjtë, pemët frutore dhe kulturat bujqësore, duke prekur drejtpërdrejt ekonominë e familjeve në zonat rurale. Banorë të prekur kërkojnë që qeveria dhe institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë me mbështetje dhe dëmshpërblim për fermerët, për të zbutur pasojat ekonomike të humbjes së prodhimit dhe të kulturave të dëmtuara nga zjarri.
