Zien selia rozë, themelues dhe figura të njohura të PS dalin hapur kundër Edi Ramës, e akuzojnë se kriminalizoi…

25 Qershor 2029
Nga Rigels Seliman
Partia Socialiste po zien nga revolta e brendshme, teksa figura të njohura të saj kanë dalë hapur kundër kryeministrit Edi Rama. Kështu fillimisht ka qenë ish-deputeti socialist, Ilir Zela ka reaguar lidhur me protestat për largimin e Ramës, duke i cilësuar kërkesat e të rinjve për më shumë demokraci, llogaridhënie dhe ndryshim politik si të drejta dhe legjitime. Në një postim publik, Zela shprehet se protesta është drejtuar kundër autokracisë, korrupsionit dhe kapjes së pushtetit, duke akuzuar drejtuesit aktualë të Partisë Socialiste se janë larguar nga idealet mbi të cilat u ndërtua e majta shqiptare.
Sipas tij, një pjesë e socialistëve po i bashkohen protestave pasi shohin degradimin e demokracisë dhe mungesën e llogaridhënies në vend. Ai argumenton se pushteti i gjatë ka prodhuar arrogancë, korrupsion dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Zela kërkon që Partia Socialiste të shkëputet nga figura që, sipas tij, kanë dëmtuar imazhin e saj dhe të mbështesë pa rezerva drejtësinë në luftën kundër korrupsionit. Në fund të reagimit, ish-deputeti lëshon edhe mesazhin më të fortë ndaj kryeministrit, duke deklaruar se Edi Rama duhet të marrë përgjegjësi për gjendjen e krijuar dhe t’i hapë rrugë ndryshimit. “Edi Rama ua ka borxh socialistëve dorëheqjen dhe lirimin e rrugës. Asnjë pushtet nuk mund të jetë i përjetshëm”, shkruan Zela.
Reagon Meksi
Ndërkohë edhe ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi, i është bashkuar thirrjes së ish-deputetit socialist, Ilir Zela, për reformim të brendshëm të PS-së dhe nevojën për demokratizimin e strukturave të saj, pas protestave masive që vijojnë prej 25 ditësh në Tiranë. Zonja Meksi thekson se demokratizimi i Partisë Socialiste nuk duhet të mbetet vetëm një slogan politik, por të kthehet në një proces konkret politik dhe statutor, që garanton përfaqësim, legjitimitet dhe vetëkorrigjim të vazhdueshëm.
Sipas saj, rreziku më i madh për një organizatë politike si PS është humbja e aftësisë për t’u vetëkorrigjuar. Në reagimin e saj në rrjetet sociale, ish-ministrja ndalet te mënyra e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste. Sipas Meksit, modeli “një anëtar, një votë”, në kushtet e mungesës së garës reale dhe pabarazisë së instrumenteve politike, nuk ka prodhuar domosdoshmërisht më shumë demokraci të brendshme. “I bashkohem reflektimit tënd Ilir Zela, i cili ngre një çështje thelbësore: demokratizimi i Partisë Socialiste nuk mund të mbetet thjesht slogan, por duhet të shndërrohet në një proces real politik dhe statutor.
Mesazhi kryesor i këtij propozimi lidhet me synimin për të shmangur rrezikun që kërcënon një organizatë politike si PS,atë të humbjes se aftësisë për t’u vetëkorrigjuar. Një parti që nuk reflekton mbi veten, që nuk hapet ndaj kritikës dhe që nuk rinovon mekanizmat e saj të brendshëm, rrezikon të humbasë lidhjen me anëtarësinë dhe me shoqërinë. Nëse duam një PS më të hapur, më përfaqësuese dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, duhet kurajë për t’ju rikthyer atyre parimeve që dikur garantonin ekuilibër, përfaqësim dhe legjitimitet të brendshëm, nëpërmjet zgjedhjeve e rifreskimit te strukturave te PS çdo 4 vjet.
Asambleja Kombëtare duhet të jetë produkt i vullnetit të delegatëve të Kongresit dhe jo të ndërtohet mbi anëtarësime ex officio që zbehin peshën e zgjedhjes demokratike. Deputetët dhe kryetarët e bashkive kanë përgjegjësi të rëndësishme publike, por ato nuk mund të zëvendësojnë vullnetin e anëtarësisë dhe të forumeve përfaqësuese të partisë. Aq më tepër kur një pjesë e madhe e deputetëve janë produkt i listave të mbyllura, çka e dobëson edhe më tej lidhjen e tyre direkte me bazën.

Edi Rama
Po aq e rëndësishme është edhe rishikimi i mënyrës së zgjedhjes së kryetarit. Përvoja e viteve të fundit tregoi se modeli “një anëtar, një votë”, në kushtet e mungesës së garës reale dhe të pabarazisë së instrumenteve politike, jo domosdoshmërisht prodhoi më shumë demokraci të brendshme. Përkundrazi, ai shpesh u shndërrua në një mekanizëm që forcoi më tej pushtetin e kryetarit mbi partinë. Kryetari duhet të marrë legjitimitetin e tij nga Kongresi, çdo 4 vjet, përmes debatit të hapur, konkurrencës së ndershme dhe përballjes së alternativave.
Partia Socialiste ka nevojë për më shumë kolegjialitet, më shumë debat, më shumë meritokraci dhe më shumë hapësirë për mendimin ndryshe. Vetëm kështu mund të rifitojë energjinë, besimin dhe rolin që historikisht ka pasur në jetën politike të vendit. Socialistë ne moshe te re dhe me përvojë si ju, por edhe brezi më i ri që mbart energji dhe ide të reja, kanë kapacitetin për të iniciuar dhe udhëhequr këtë proces ripërtëritjeje. Koha kërkon guxim për të ndryshuar dhe mençuri për të ruajtur vlerat më të mira mbi të cilat u ndërtua Partia Socialiste.”, shkruan Meksi.
Reagon Legisi
Nga ana tjetër, edhe ish-ministri socialist, Ndre Legisi ka shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj situatës ku ndodhet sot Partia Socialistë nën drejtimin e Edi Ramës, teksa vendi është përfshirë nga protestat masive kundër kreut të qeverisë prej më shumë se tri javësh. Z. Legisi shkruan në se nxjerra e PS nga “llumi ku e futi Edi Rama” është detyrim i socialistëve të viteve të sakrificave. Ai komentoi në reagimin e themeluesit të FRESSH, Ilir Zela, qëndrim të së cilit po e pasqyrojmë më poshtë të plotë.
Reagimi i plotë i Ilir Zelas:
“Në një pjesë të rëndësishme të rinisë shqiptare po protestojnë këto ditë në rrugët e Tiranës. Kërkesat e tyre për një sistem politik demokratik e funksional ndër shqiptarë janë thelbësisht të drejta! Socialistët i mishëruan këto aspirata në Kushtetutën e vitit ‘98. Socialistët i rezistuan fashizmit në pushtet në 1992–1997. Stabilizuan vendin pas krizës së ‘97, hapën perspektivën e shkatërruar të bashkimit me Europën, kontribuuan në çlirimin e Kosovës dhe ndërmorën reformën në drejtësi në 2015.
Ka një paralele midis shpirtit të socialistëve të mishëruar në këto kontribute dhe aspiratave të të rinjve në këtë protestë. Por për fat të keq, medalja ka edhe një anë tjetër. Është autokracia e sotme e cila është larguar nga aspiratat e shqiptarëve! Janë rilindasit e pasuruar, të trashur e stërplakur në pushtet, bartësit e korrupsionit dhe aleancave me krimin, të cilët janë objekt i kësaj proteste, siç janë edhe subjekt i SPAK. Kam parë këto ditë socialistë që po marrin pjesë në protesta duke dëshmuar shqetësimin e tyre për gjendjen në të cilën është katandisur demokracia në vend. Kam parë edhe disa socialistë të tjerë të cilët i kanë bërë jehonë artikulimeve nën panik të autokratit kryeministër.
Protesta si reflektim për të ardhmen e së majtës shqiptare
Raporti i socialistëve me protestën më ka nxitur të bëj pyetjen: vallë të jenë katandisur të gjithë socialistët në klone të subjekteve të SPAK, në viktima të oligarkisë? Do të dëshiroja që revolta e të rinjve të jetë një mundësi për socialistët të rigjejnë partinë e tyre të zaptuar nga trusti i betonit, të kuptojnë se sakrifikimi i demokracisë së brendshme në emër të unitetit fals ishte në thelb uzurpim i pushtetit nga një person ose një grup pa lidhje me socialistët e vërtetë, pjesa më e shëndoshë e të cilëve nuk i besuan kurrë Edi Ramës, por në të njëjtën kohë e përkrahën bujarisht.
Protesta është edhe një mundësi edhe për ata socialistë, të cilët besuan tek rilindasit pa e lidhur këtë besim me leje kullash e përbindësh të tjerë të betonit apo përfitime sharlatanësh, të administrojnë zhgënjimin e tyre e të kuptojnë që atdheu, pyjet e kullotat, bregdeti, plazhet e fushat janë më të rëndësishme se një vend pune në administratë, një kapardisje firmatosh në sallat e institucioneve nxjerrë jashtë funksionit kushtetues, apo një përfitim momental prej sistemit të korruptuar të pushtetit autokratik.
Kur shoh socialistë të kontributeve në protestë pyes veten nëse ka kuptim t’u thuash këtyre njerëzve se uzurpimi i vullnetit të tyre ka përzënë nga vendi ynë 1 milion shqiptarë, ka kontribuar në arrogancën e pushtetit dhe dobësimin e llogaridhënies. Ata i dinë këto dhe prandaj protestojnë! Socialistët e shohin se kolltukofagët e sotëm janë më të plakur e shumë më të dhjamosur se bllokmenët e brezit më të fundit të regjimit hoxhist.
Socialistët e dinë që ka ardhur koha që një brez i ri të rigjejë vlerat më të mira të së majtës dhe të kërkojë modestisht të marrë pjesë në udhëheqjen e atdheut. Por të jesh socialist dhe të shkosh në protestë, do të thotë që ke hequr dorë nga përpjekja për ta çliruar politikën, nuk beson tek mundësia që një lidership i ri për socialistët, por edhe për të gjitha alternativat e tjera politike, të realizohet përmes proceseve të demokracisë së brendshme. Vendi i protestës së socialistëve duhet të jetë në radhë të parë vetë Partia Socialiste.
Socialistët duhet të rigjejnë vetveten, t’ia dorëzojnë drejtësisë të gjithë rilindasit që ajo po i kërkon prej kohësh. Të bëhen njësh pa mëdyshje të mëtejshme me aspiratat e shqiptarëve për shtet, drejtësi, dinjitet e bashkim me Europën! A ka vërtet një mundësi për një rrugë të re të bazuar në kolegjialitet përkundrejt arrogancës, të bazuar në legjitimitet përkundrejt aleancës me korrupsionin, monopolet dhe krimin, të bazuar në konkurrencë dhe zgjedhje përkundrejt sjelljes uzurpatore sipas së cilës zgjedhjet janë të mira derisa unë zaptoj kreun, pastaj zgjedhjet janë të këqija që unë të mbretëroj? A ka socialistë që e kanë parë fundin e rrugës së drejtimit autokratik ditën kur 81 nga 83 mandatet propagandisht të tyre u përdorën për të mbrojtur paprekshmërinë e korrupsionit në krye të qeverisjes pa llogaridhënie? A ka socialistë që besojnë në llogaridhënie, ndryshimin dhe ripërtëritjen? Kushdo që është përfshirë në hajni në këto vite, që ka lejuar korrupsionin apo e ka relativizuar atë duhet të hapë krahun, duhet të hapë rrugën, duke u kërkuar falje thellë të gjithë socialistëve! Për të mos lënë asnjë mëdyshje, faljen më të madhe duhet ta kërkojë Edi Rama, i cili në 2005 u përgjërua për demokraci të brendshme, një anëtar një votë dhe për luftë ndaj korrupsionit.
Megjithëse u mbështet bujarisht nga e gjithë struktura e Partisë Socialiste, ai nuk arriti kurrë të bëhej një socialist, por thjesht i pa socialistët si hambar votash duke i futur në grackën e zgjedhjes midis tij dhe Saliut. Edi Rama duhet të kërkojë falje për të gjitha kundërthëniet e tij në krye të PS dhe të qeverisë, që nga kriminalizimi i përbërjes së Kuvendit e deri tek emërimet e horrave në qeveri, nga shkatërrimi i konceptit të shtetit e deri tek largimi nga vendi i më shumë se 1 milion shqiptarëve, nga vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi e deri tek pengimi i drejtësisë përmes marrjes nën mbrojtje politike të subjekteve të SPAK.
Tani maskat kanë rënë dhe Edi Rama ia ka borxh socialistëve dorëheqjen, lirimin e rrugës. Nëse nuk e bën, socialistët nuk mund të hidhen bashkë me të në greminën ku po i tërheq, do të dinë të zgjedhin një rrugë tjetër! Nëse ka një fije mirënjohjeje në qenien e Edi Ramës, është koha ta shfaqë atë. Prej 13 vjetësh është kryeministër me votat e socialistëve. Asnjë pushtet nuk mund të jetë i përjetshëm! Hezitimi për t’i hapur rrugë ndryshimit tani rrezikon ta lërë partinë e Dritëro Agollit si një kujtim të bukur të një të shkuare të largët, me shumë mundësi pa anëtarë dhe pa votues. Ose PS ndryshon rrugë tani, ose një e majtë e re, e paralajmëruar nga disa prej intelektualëve më në zë të saj do të ngrihet si alternativë e qenësishme politike.
Eksperimenti dhe praktika e autokracisë kanë përfunduar me dështim, shëmtim, hajni dhe tallje. Është koha për demokraci! Si themelues dhe Kryetar i parë i FRESSH, si një anëtar i Partisë Socialiste që prej vitit 1992, si deputet i saj i zgjedhur dy herë me votë të drejtpërdrejtë, si anëtar i zgjedhur në forumet më të larta drejtuese të saj në kohën kur zgjedhjet ishin të vërteta, do të dëshiroja të besoja tek njerëzit e thjeshtë të së majtës bujare.
Do të doja t’i shoh t’i japin fund përkrahjes për të keqen, sidomos në rastin kur ajo ka helmuar një pjesë të shpirtit të tyre! Do të doja t’i shoh ta rikthejnë partinë e tyre aty ku i takon, në brazdën e aspiratave të shqiptarëve për liri, paqe, barazi, dinjitet e bashkim kombëtar! Uroj që sa më parë, përfaqësuesit më të mirë të rinisë të cilët e kuptojnë gjeneratën Z, jo klonet e zaptimit, të vijnë në krye të së majtës dhe të kontribuojnë me një mendësi të re për një Shqipëri që duhet patjetër të mbyllë tranzicionin dhe të renditet me demokracitë perëndimore si anëtare e BE dhe jo të kthehet mbrapsht nën zaptim!”, shkruan Zela.
