Zef Çuni

2 Tetor 2026

Nga Julia Vrapi

Trashëgimia kulturore në Shkodër po përballet me një sërë problematikash, nga gjendja e monumenteve dhe mungesa e specialistëve të restaurimit, deri te ndërhyrjet në qendrën historike. Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, shqetësimi për mënyrën se si po administrohet dhe mbrohet kjo pasuri erdhi nga arkitekti Zef Çuni, i cili prej vitesh e ndjek nga afër këtë fushë. Arkitekti Çuni e lidh situatën aktuale edhe me mënyrën se si është menaxhuar ndër vite institucioni përgjegjës për trashëgiminë kulturore në Shkodër. Sipas tij, mungesa e specialistëve të restaurimit është një nga problemet kryesore që po ndikon në gjendjen e monumenteve. “Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. U bë një ndryshim në drejtimin e DRTK Shkodër. Skulptori Petrit Bilali zëvendësoi arkeologun Helidon Sokoli.

Në dy vjet e gjysëm ky është drejtori i pestë që zëvendësohet, megjithatë kjo drejtori dhe monumentet në Shkodër ndodhen në gjendjen më të keqe që kanë pasur ndonjëherë. Sot kjo degë nuk ka më asnjë specialist restaurimi, asnjë, kur në fillim të viteve ‘90 kishte mbi 60 vetë”, u shpreh Çuni në një reagim të tij në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të ndarë dhe në rrjete sociale. Por shqetësimet nuk ndalen vetëm te mungesa e specialistëve. Sipas tij, gjendja e monumenteve dhe ndërhyrjet në qendrën historike mbeten një tjetër problem serioz. “Mjaft monumente janë rrënuar plotësisht, ndërtimet pa leje në qendrën historike janë të pranishme, por nuk mungojnë edhe ato me leje të gabuara”, vijon Çuni.

Në reformë të kenë përparësi specialistët

Arkitekti Zef Çuni ka reaguar edhe më herët për problematikat që lidhen me ruajtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Edhe në 29 shtator në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, ai përsëriti apelin për një reformë që të sjellë ndryshime konkrete. “Në këtë ditë të trashëgimisë, si një kontribues i kësaj fushe prej 40 vjetësh do ju sugjeroja institucioneve përgjegjëse të shohin reformën në trashëgimi jo si ndryshim drejtorësh që nuk ndryshojnë asgjë, por si një reformë konceptuale, ku përparësi të kenë specialistët e restaurimit dhe jo administrata.

Në një institucion ku ka më shumë punonjës administrate sesa punonjës restaurimi, gjendja e monumenteve nuk do ketë përmirësim”, shprehet Çuni në reagimin e tij. Shqetësimet e ngritura nga arkitekti Zef Çuni janë pjesë e një debati më të gjerë mbi problematikat e trashëgimisë kulturore në vend dhe nevojën për më shumë vëmendje ndaj ruajtjes dhe restaurimit të monumenteve.