Zbardhen prapaskenat e mashtrimit të kryetarit të KLSH-së Arben Shehu, ja dokumentet zyrtare që i fshehu Kuvendit për Kadastrën, pse e bllokoi raportin e auditimit për 2 vite?

3 Tetor 2026
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, ndodhet përballë një serie pikëpyetjesh që kërkojnë përgjigje mbi deklaratat e bëra në Kuvend për marrëdhëniet mes KLSH-së dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Përplasja mes asaj që deklaroi Shehu dhe dokumenteve që u paraqitën më pas në Kuvend nga drejtuesja e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, ngre pikëpyetje mbi aksesin e KLSH-së në dokumentacion dhe sistemet e Kadastrës, por edhe mbi mënyrën se si është zhvilluar një auditim i nisur që në shtator 2023. Dokumentet dhe afatet e publikuara nga vetë KLSH-ja sjellin një tjetër panoramë dhe hapin një sërë pyetjesh që ende presin përgjigje.
Çfarë ka ndodhur?
Arben Shehu raportoi në Kuvend se nuk kishte akses në dokumentacion dhe në sistem të ASHK-së. Dokumentet tregojnë një histori tjetër: Nga auditimet shumëvjeçare te llogaritë e hapura në sistem, nga neni 26 i ligjit te heshtja pas përgënjeshtrimit në Kuvend: çfarë mbetet pa përgjigje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Më 15 qershor 2026, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë për performancën e aktivitetit të KLSH-së për vitin 2025 bëri një deklaratë të rëndë: në raport me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, KLSH nuk kishte “asnjë lloj aksesi”, madje, sipas tij, nuk mund të flitej as për marrëdhënie normale ndërinstitucionale.
Deklarata u paraqit si një pengesë serioze për ushtrimin e funksionit auditues. Vetëm një muaj më vonë, më 15 korrik 2026, Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, e përgënjeshtroi publikisht në Kuvend. Por jo thjesht me fjalë. Sipas raportimeve të seancës, ajo deklaroi se pretendimi nuk përputhej me dokumentacionin zyrtar, se KLSH kishte pasur akses në dokumente dhe në sistemet digjitale dhe se Kuvendit dhe Kryeministrit i ishte dërguar një shkresë zyrtare ku listoheshin auditimet e kryera. Goxhobelli paraqiti gjithashtu të dhëna për audituesit dhe llogaritë e hapura për akses në sistem.
Dokumentet e KLSH-së tregojnë një histori tjetër
Këtu historia pushon së qeni një përplasje deklaratash. Njëra palë tha: “Nuk kemi asnjë lloj aksesi”. Pala tjetër nxori evidencë për auditimet, audituesit dhe aksesin në sistem. Dhe mbi të gjitha, dokumentet e vetë KLSH-së tregojnë se marrëdhënia audituese me Kadastrën kishte vite që ekzistonte. Nga viti 2020 e në vijim, në ASHK dhe në drejtoritë vendore janë kryer auditime të shumta përputhshmërie, financiare, auditime të zbatimit të rekomandimeve dhe madje auditim të sistemeve të teknologjisë së informacionit. Raportet e KLSH-së dëshmojnë në mënyrë të përsëritur marrjen dhe shqyrtimin e dokumentacionit të vënë në dispozicion nga strukturat e Kadastrës.
Auditimi i nisur në shtator 2023 dhe shtyrjet e përsëritura
Por rasti më domethënës është auditimi i nisur më 28 shtator 2023 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe në DVASHK Tirana Rurale 2, Lezhë dhe Berat. Ai nisi si auditim tematik përputhshmërie dhe më pas u paraqit si auditim përputhshmërie dhe IT. Afati fillestar për raportin përfundimtar ishte janari 2024. Por auditimi nuk u mbyll. Afatet u shtynë sërish e sërish.
Në programin e majit 2025, vetë KLSH shënon se auditimi kishte nisur më 28.09.2023 dhe se puna në terren kishte përfunduar më 25.04.2025. Projekt-raporti parashikohej më 09.05.2025 dhe raporti përfundimtar më 20.06.2025. Por as qershori nuk e mbylli historinë. Në programin e tetorit 2025, i njëjti auditim figuron ende: terreni mbetet i përfunduar më 25.04.2025, projekt-raporti shtyhet në 12.09.2025 dhe raporti përfundimtar në 20.10.2025. Pra, për muaj të tërë pas përfundimit të punës në terren, nuk po shtyhej më auditimi në subjekt (për mungesë aksesi!?), po shtyhej raportimi i KLSH-së. Ky është një dallim thelbësor dhe kjo meriton një sqarim ligjor.
Çfarë parashikon neni 26 i ligjit
Ligji nr. 154/2014 nuk e lë mungesën e aksesit në nivel ankese politike apo deklarate mediatike. Neni 26, pika 1, i jep KLSH-së të drejtën për akses në dokumentet zyrtare, dokumentet elektronike, bazat elektronike të të dhënave dhe çdo informacion tjetër që konsiderohet i nevojshëm për ushtrimin e kompetencave të tij. Pika 2 është edhe më e prerë: subjektet e audituara janë të detyruara t’ia sigurojnë këtë akses KLSH-së.
Dhe nëse hasen pengesa, veprime apo mosveprime që cenojnë këtë të drejtë, KLSH i drejtohet organit më të lartë administrativ ose organeve të pushtetit gjyqësor. Kjo do të thotë se, nëse Kadastra vërtet kishte bllokuar audituesit për muaj apo vite, duhet të ekzistojë një gjurmë e thjeshtë dhe e pakundërshtueshme: kërkesa për akses; sistemi apo dokumenti i kërkuar; afati i vendosur; refuzimi ose mosveprimi i ASHK-së; rikërkesa; konstatimi i pengesës; dhe më pas veprimi i KLSH-së sipas nenit 26.
Ku janë dokumentet që provojnë pengesën?
Ku janë këto dokumente? Nëse ekzistojnë, publikimi i tyre do ta mbyllte debatin brenda një dite. Nëse nuk ekzistojnë, atëherë pyetja bëhet shumë më e rëndë. Një pengesë në auditim nuk zbulohet pas dy vjetësh në mikrofonin e Kuvendit. Ajo konstatohet dhe dokumentohet në momentin kur ndodh. Goxhobelli e ASHK-së foli me të dhëna. Shehu i KLSH-së heshti.
Përgënjeshtrimi i Drejtoreshës së ASHK-së ishte publik dhe serioz. Ai prekte drejtpërdrejt besueshmërinë e Kryetarit të KLSH-së dhe, për pasojë, besueshmërinë e vetë institucionit suprem të auditimit. Nëse të dhënat e saj për audituesit, llogaritë e aksesit dhe sistemet ishin të pavërteta, KLSH kishte një mundësi elementare: t’i përgënjeshtronte. Të thoshte se lista ishte e rreme. Të thoshte se llogaritë nuk ekzistonin. Të shpjegonte se llogaritë ekzistonin, por nuk jepnin akses real. Të publikonte kërkesat e pambuluara nga ASHK. Të tregonte se kur dhe kujt i ishte drejtuar sipas nenit 26 të ligjit.
Heshtja pas përgënjeshtrimit në Kuvend
Nga kërkimi në njoftimet publike të KLSH-së pas 15 korrikut 2026, nuk rezulton një deklaratë publike e institucionit që të përgënjeshtrojë Goxhobellin ose të rrëzojë të dhënat e paraqitura prej saj. Faqja e njoftimeve të KLSH-së vijon me buletinin e korrikut dhe veprimtari të tjera institucionale, por pa një reagim të identifikueshëm për këtë përplasje. Heshtja nuk është provë juridike se pala tjetër ka të drejtë. Por heshtja bëhet fakt institucional që kërkon shpjegim, sidomos kur në Kuvend të thuhet publikisht se deklarata jote nuk është e vërtetë dhe paraqiten evidenca konkrete për ta kundërshtuar atë. Sepse, nëse Goxhobelli do të kishte mashtruar Kuvendin duke sajuar akses, llogari audituesish dhe dokumentacion zyrtar, kjo do të ishte një akuzë jashtëzakonisht e rëndë ndaj integritetit të KLSH-së. Dhe pikërisht për këtë arsye lind pyetja: Pse KLSH nuk reagoi?
Dy vite zvarritje
Auditimi i ASHK-së kishte nisur në shtator 2023. Programet e KLSH-së tregojnë se ai është shtyrë në mënyrë të përsëritur. Në prill 2025 puna në terren rezulton e përfunduar. Megjithatë, raporti vijon të shtyhet për muaj të tjerë. Prandaj, kur në qershor 2026 para Kuvendit artikulohet papritur si problem themelor “mungesa e aksesit”, pyetja është e pashmangshme: Kur u konstatua ky bllokim? Në vitin 2023? Në vitin 2024? Para përfundimit të terrenit më 25 prill 2025? Pas tij? Cili është dokumenti që e konstaton? Dhe përse një auditim që, sipas dokumenteve, kishte përfunduar terrenin vazhdonte të mos prodhonte raport përfundimtar? Kryetari i KLSH-së ka cenuar integritetin dhe besueshmërinë ndaj institucionit.
I njëjti standard duhet të vlejë edhe për KLSH-në
KLSH është institucioni që u kërkon të tjerëve gjurmë auditimi, dokumente, evidencë, përgjegjësi dhe transparencë. I njëjti standard duhet të vlejë edhe për vetë KLSH-në. Nëse ASHK e ka penguar, dokumentet duhet ta provojnë. Nëse audituesve u është mohuar sistemi, duhet të tregohet se cili sistem, kur, nga kush dhe me çfarë përgjigjeje. Nëse Kryetari ka kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit sepse mjetet ligjore të nenit 26 nuk mjaftonin, duhet të tregohet më parë se si janë përdorur ato mjete. Dhe nëse Drejtoresha e ASHK-së paraqiti të dhëna të pavërteta në Kuvend, KLSH duhet të thotë publikisht cilat ishin ato dhe t’i rrëzojë me dokumente.
“Nuk mjafton ta thuash — duhet ta provosh”
Derisa kjo të ndodhë, mbetet një kontradiktë që dokumentet nuk e lejojnë të fshihet: Kryetari i KLSH-së tha se nuk kishte “asnjë lloj aksesi”. Programet e institucionit tregojnë auditime që vazhdojnë për vite. Ligji tregon se çdo pengesë duhej dokumentuar dhe proceduar. Drejtoresha e ASHK-së paraqiti evidenca për akses në sistem. Dhe pas përgënjeshtrimit publik, KLSH nuk rezulton të ketë dalë me një kundërprovë publike. Në auditim ekziston një rregull më i fortë se çdo deklaratë: NUK MJAFTON TA THUASH — DUHET TA PROVOSH. Por ka dhe të tjera, Arbeni i KLSH-së është mashtrues serial, në Kuvend, me zë, me figurë, me procesverbale të zbardhura. Pra, nuk e ka problem se i dokumentohen mashtrimet, i pëlqen të filmohet.
Shënim: Të gjitha shkrimet dhe materialet që Gazeta “SOT” ka publikuar dhe do të publikojë lidhur me shkeljet e Arben Shehut të Kontrollit të Lartë të Shtetit do t’i dërgohen Prokurorisë së Posaçme (SPAK), së bashku me dokumentacionin përkatës, për t’iu nënshtruar verifikimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente.
Nga: Gazeta Sot
