Zbardhen detajet kush është i burgosuri tek “313-ta” i infektuar me COVID-19

21 PRILL 2020

Një i burgosur, i cili ndodhet në burgun ‘313’ në Tiranë rezulton i infektuar me COVID-19. Mësohet se i burgosuri është shtetas italian, i cili është arrestuar për trafik droge në vitin 2018 gjatë një operacioni të forcave RENEA.

Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore, ndërkohë që ende lajmi nuk konfirmuar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Më herët në këtë burg ka rezultuar i infektuar edhe një punonjës, por sipas Drejtorisë së Burgjeve ai nuk ka pasur kontakte me persona të tjerë. Ndërsa pak ditë më parë u testuan edhe të burgosur të tjerë, të cilët dyshonnin se ishin të infektuar, mes tyre edhe ‘Niçja’ i Shijakut.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi ditën e sotme se numri total i të infektuarve në vendin tonë ka shkuar në 609, ndërkohë kanë humbur jetën 26 persona. Ndërsa, betejën me COVID-19  e kanë fituar 345 qytetarë. Harta është zgjeruar në Krujë,  ku kanë rezultuar pozitivë 17 persona dhe në Kurbin ku kemi 8 raste të reja. Gjatë 24 orëve të fundit nuk është shënuar asnjë rast i ri në Tiranë dhe Shkodër. Aktualisht në spitalet COVID po marrin mjekim 32 pacientë.