Policët ndërhyjnë fizikisht mbi vajzat protestuese. Bëhen grusht në tokë për të mos i çarë presioni i ujit

21 Tetor 2026
Tensionohet situata në qendër të Tiranës (20 Tetor). Policia përdor gaz lotsjellës, ujë me presion dhe spraj për të shpërndarë protestuesit, ndërsa një grup vajzash kundërshtojnë ndërhyrjen dhe përleshen fizikisht me efektivët.
Situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është tensionuar, ndërsa një grup të rinjsh janë përplasur fizikisht me efektivët e policisë.
Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit nga bulevardi qendror i Tiranës, duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Gjatë përplasjeve, protestuesit u janë drejtuar efektivëve me thirrjet: “Hiqni kapelet, bashkohuni me ne, mos e mbroni diktatorin”.
Një grup vajzash kanë tentuar fillimisht të bllokojnë lëvizjen e forcave të policisë, por këta i kanë goditur me presion uji.
Vajzat më pas janë ulur në shesh dhe janë bërë grusht për të përballuar së bashku presionin e ujit. Efektivët u janë sulur më pas fizikisht në numër të lartë kanë, por vajzat kanë vijuar rezistencën, duke u përleshur fizikisht.
Nga ana tjetër, një grup protestuesish kanë qëlluar me gurë dhe molotovë në drejtim të automjeteve të policisë që përdorin ujë me presion.
Ndërkohë, policia ka nisur arrestimin e protestuesve gjatë ndërhyrjes për të liruar bulevardin. Efektivët kanë kapur dhe shoqëruar disa prej tyre, ndërsa përplasjet me grupet e tjera kanë vijuar.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të arrestuar apo të shoqëruar në komisariat.
