21 Tetor 2026

Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në kryeqytet.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, pas verifikimeve dhe kontrollit të kamerave në zonë, është konstatuar se 46-vjeçari është vetëvrarë pasi në kamera duket vetëm një e shtënë.

Sakaq, arma me të cilën dyshohet se u vetëvra 46-vjeçari është gjetur brenda makinës, ndërsa pas të shtënës mësohet se mjeti ka qëndruar në vend.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, ku u gjet pa shenja jete, brenda automjetit, shtetasi I. H., ju bëjmë me dije se:

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.

Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.

***

Në foton e siguruar nga gazetari Eraldo Harlicaj, shihet automjeti ku u gjet trupi i pajetë i 46-vjeçarit, i cili ndodhet ende brenda në makinë, ndërsa zona është kthyer në objekt të veprimeve hetimore të policisë.

Pas sinjalizimit për ngjarjen, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat u raportuan për një aksident fillimisht, se makina kishte devijuar nga rruga. Më pas, ai u gjet i vrarë brenda në makinë.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes, si dhe për të identifikuar autorët e mundshëm dhe motivet që mund të kenë çuar në këtë krim.

Top Channel