Paketa e “frikësimit”, Rama drejt instalimit të diktaturës së re: Sanksione në TIMS, heqje bursash dhe burg për fëmijët që protestojnë!

Edi Rama
21 Tetor 20026
Pushteti nuk ka më nevojë për dialog, por për metoda represioni. Pasi dështoi të bindë studentët me logjikë, qeveria e Edi Ramës po përgatit me urgjencë një paketë masash drastike që synojnë hapur frikësimin e rinisë, mbylljen e gojës së kritikëve dhe shtypjen e frymës së protestës në Shqipëri. Nën petkun e “frenimit të dhunës”, kryeministri ka paralajmëruar një kontroll total që ngjan më shumë me metodat e sistemeve autokratike sesa me një vend që aspiron integrimin në Bashkimin Europian.
Në vend që të reflektojë për raportin tronditës të Avokatit të Popullit, i cili zbuloi se në Bllokun e Sigurisë mbaheshin 118 të shoqëruar në një hapësirë me kapacitet për vetëm 67 persona duke i detyruar të flenë në dysheme, qeveria ka zgjedhur të sulmojë me të gjitha mjetet ata që guxojnë të ngrenë zërin.
Masa më ekstreme që synon të godasë direkt ëndrrën e rinisë shqiptare është kërcënimi me izolim ndërkombëtar përmes një liste të zezë në sistemin TIMS. Qeveria po punon për t’u ndaluar protestuesve hyrjen në vendet e Bashkimit Europian, duke paralajmëruar madje edhe kufizime të aksesit në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti. Përdorimi i mekanizmave shtetërorë për të sanksionuar qytetarët që protestojnë tregon qartë se pushteti po e përdor marrëdhënien me BE-në si një mjet shantazhi të pastër politik për të mbjellë panik tek ata që duan të lënë Shqipërinë apo të udhëtojnë jashtë saj.
Përveç izolimit, paketa e re rikthen në vëmendje format e ndëshkimit kolektiv që të kujtojnë ligjet e vjetra të diktaturës, duke goditur direkt familjet e protestuesve. Prindërit jo vetëm që do të detyrohen të paguajnë dëmet materiale të shkaktuara nga fëmijët e tyre, por Rama ka paralajmëruar edhe ndërprerjen e shërbimeve shtetërore për të gjithë familjen. Hakmarrja e pushtetit shtrihet edhe më tej, ku po shqyrtohet ulja e moshës së përgjegjësisë penale nën 14 vjeç për të hapur rrugën e burgosjes së të miturve, ndërsa studentëve që përfshihen në revolta do t’u hiqen bursat dhe çdo mbështetje financiare. Edhe sistemi arsimor do të vendoset nën terror, ku nxënësit rrezikojnë masa administrative dhe mësuesit largim të menjëhershëm nga puna nëse guxojnë të nxisin apo mbështesin revoltën.

Edi Rama
Në fund, teknologjia nuk do të përdoret për të modernizuar arsimin e degraduar, por për të ushqyer paranojën e kontrollit total të qeverisë. Kryeministri ka premtuar investime masive për të deanonimuar profilet kritike në rrjetet sociale dhe për të identifikuar personat që protestojnë me kapuç apo fytyrë të mbuluar, duke deklaruar hapur se do t’i ndjekë këmba-këmbës përmes syve të teknologjisë. Ky kërcënim i hapur, i shoqëruar me idenë për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, vulos faktin se përballë paaftësisë për të zgjidhur krizat, qeveria Rama ka zgjedhur të instalojë frikën, shantazhin dhe represionin si mjetet e vetme për të mbajtur karrigen e saj të paprekshme.
