Z. Shkreli, Tirana nuk mund të mirëkuptojë vibrimin e Erjonit. –

Nga: Lavdosh Ferruni

Më në fund një autoritet i qeverisë Rama tha se restaurimi i Teatrit është plotësisht i mundshëm dhe midis rreshtave la të kuptohej se kjo është gjëja që duhet bërë. Këtë e bëri Artan Shkreli, arkitekt, restaurues, aktualisht zv ministër i Infrastrukturës. Për këtë Shkreli e meriton një përgëzim. Me këtë  përgëzim shkruar në një status në FB muhabeti për teatrin mbyllej, por prononcimi i mëtejshëm i tij i lidhur me qëndrimin e Erion Veliajt dhe administrimit të qytetit meriton hapje të kësaj teme.

Shkreli thotë: “E mirëkuptoj Erion Veliajn, i cili kërkon të vibrojë qytetin që administron dhe është vota e qytetarëve që do të vlerësojë se si ka punuar Erion Veliaj. Nëse ka përdorur një gjuhë përçmuese për teatrin e vjetër këtë e bën sepse imagjinon teatrin e Bjarke Ingels, që është një bixhuteri e arkitekturës, pastaj nëse duhet bërë aty apo në vend tjetër është tjetër debat”. Së pari, Shkreli vazhdon i mëshon taktikës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të mos përmendur tjetërsimin e hapësirës  publike dhe ndërtimin e kullave private në këtë hapësirë, që është thelbi i çështjes, duke i mëshuar vetëm termave; Teatri Ri, Teatri Vjetër. Së dyti, dhe më e keqja është se Shkreli thotë se e mirëkupton Erion Veliajn që kërkon të vibrojë qytetin që administron, në këtë rast, nënkuptohet, vibrimin e sjellin kullat tek vendi i Teatrit.

Natyrisht gjithëkush nuk e mirëkupton Shkrelin, kur ai hesht për kullat, që do vibrojnë Tiranën, sikur të mos dinte gjë për to. Pra, Shkreli është dakord me kullat. Kështu? Ndoshta Shkreli nuk është dakord me kullat, por hapja e rrugës Erion Velisë për të filluar ndërtimin e tyre me argumentin që është vota  e qytetarëve që do e vlerësojë punën e Erion Velisë është shkatërruese për Tiranën dhe sigurisht për profilin e tij si profesionist.