Dikush po mbjell errësirën mes nesh. –

Përshkrim për gratë dhe vajzat që vishen me perçet e zeza. A ka vajza shqiptare të veshura kështu?

Nga Alba Malltezi.-

Katër gra të reja të veshura me nixhab të zi (shih foton ilustruese)nga koka në këmbë, teksa lëviznin mes ushqimeve të një supermarketi në qendër të Tiranës më bënë përshtypje. Nuk ishin shqiptare, flisnin arabisht dhe ishin në shoqërinë e një zotërie të veshur në mënyrë komode me këmishë e pantallona, që në fund pagoi ujin dhe pak gjera që të gjithë bashkë blenë në atë dyqan. Ndoshta është zgjedhja e grave të vishen kështu, por ndoshta jo. Eshtë një imponim i shoqërisë nga ku vijnë? Një gjë është e sigurtë: Në temperaturën dhe lagështirën e gushtit në Tiranë, në lëvizjet mes ushqimeve, 4 gratë nuk ishin komode.

Mund të jetë një rastësi, por vetëm pak ditë më parë, ndërsa zgjidhja mëngjesin në një hotel në Belluno, veriu i Italisë, një nënë, e veshur njësoj, përpiqej të merrte sikletshëm ushqimin në bufenë e hotelit për vete dhe djalin e mitur, e të hante më pas nën nixhabin që i mbulonte edhe gojën. Këto pamje në sytë e mi më sollën ndjenja mirënjohje për ata shqiptarë të ndritur që në kohën e duhur mbajtën larg gruas shqiptare veshje të tilla ekstremiste dhe sot na lejojnë të bëjmë zgjedhjet e duhura sipas besimit e dëshirës, në liri të plotë të ligjit dhe të mendimit. Mendova: Sa mirë që ne nuk kemi realitete të tilla në Shqipëri!

Por, a është vërtetë kështu? Në diskutimet e hapura në rrjetin social facebook, Altin Hazizaj, aktivist i njohur i shoqërisë civile dhe drejtues prej shumë vitesh i CRCA, Qëndra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri dha një informacion, për mendimin tim tronditës: Sipas Altinit në Shqipëri ka gra të veshura me këtë veshje ekstreme, madjes, sipas tij, është e drejtë e tyre të vishen kështu dhe jam gabim unë që i gjykoj.

Fillimisht mendova se Altini më kishte keqkuptuar, ndoshta ai fliste thjeshtë për veshjet të tjera, për shaminë që përmendet në Kuran, e cila jo vetëm që nuk prek, mbulon identitetin e një gruaje, por është një veshje që bashkon shumë fe, shumë kostume popullore, është pjesë e traditës që në shekuj është zbukuruar dhe rafinuar në kohë. Por nuk ishte kështu. Altini fliste për mbulimin total, atë që unë kisha publikuar në fotografi.  Nuk do të doja të besoja që një përfaqësues i shoqërisë civile të mbështesë mbulimin total të gruas përfaqësuar përmes mbulimeve ekstreme si nixhab apo burka, të ndaluara me ligj në shumë vende Perëndimore, kryesisht për arsye identifikimi dhe sigurie.

Por Altini vazhdoi më tej duke ngritur një pyetje që duket nuk shqetësoi njeri seriozisht: nëse ka apo jo ndonjë problem që gratë e vajzat në Shqipëri të mbulohen kështu, kokë e këmbë, vetëm me sytë jashtë, duke lënë të kuptohet qartë që për të vetë nuk ishte një problem. Më erdhën në mendje gratë afgane në regjimin taleban, i cili i detyroi të rivishnin burkën që të vogla dhe më erdhën në mendje qindra vite mundime e luftë e grave për barazi e dinjitet shoqëror. Më vjen në mendje puna e vepra e mendjeve të ndritura në glob që jetën ja dedikuan harmonisë së vlerave dhe traditave dhe braktisjes së ekstremeve kudo, në Lindje e Perëndim. Prandaj  ngre shqetësimin tim qytetar: Kujt i intereson sot të veshë gratë shqiptare me perçet e zeza kokë e këmbë? Sa gra deri më tani janë të mbuluara kështu? A ka në Shqipëri vajza të mitura të mbuluara me burka apo nixhab?

Nëse shoqëria civile, strukturat shtetërore e njohin fenomenin dhe, akoma më keq, e mbështesin, më duket se është një alarm serioz për shoqërinë. Dikush në Shqipëri ka nisur të mbjellë errësirën me mbështetjen e kujt? Duhet reaguar seriozisht sa nuk është vonë.

Nga Shqiptarja.com