27 Mars 2024

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Rithemelimit, njëherësh dhe nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, është shprehur se vula e PD-së po mbahet peng, ndërsa shton se kjo sagë nuk duhet të vijojë pa fund.

Gjatë intervistës në studion e lajmeve në News24, Gjekmarkaj tha se Sali Berisha është kryetari i PD-së dhe se ish-kryeministrit është sot i vetmi politikan në arrest shtëpie pa akuzë dhe pa dënim.

“Në momentet e para mendoj se gjykata ka patur vështirësi dhe është dashur një periudhë qartësie. Kur gjërat u bënë të qarta nuk besoj se kjo sagë duhet të vijojë pafund dhe nuk duhet vetëm paanësi, por dashuri për vendin në mënyrë që opozita të mos mbetet peng pasi ne duhet të përballemi me qeverinë e Edi Ramës. Bonuset e këtij pengu i mban mazhoranca dhe qeveria në një kohë kur gjykata duhet të jepte vendimin prej kohësh. PD duhet të kthehet plotësisht brenda kornizës së saj ligjore dhe t’u përgjigjet qytetarëve dhe mbështetësve.

Unë kam qenë nënkryetar i PD dhe dhashë dorëheqjen për të hapur rrugë që PD të kthehet te bashkimi. E bëra si akt përgjegjësie dhe e pranova sërish pozicionin e nënkryetarit si akt përgjegjësie dhe shans për t’u ri ngritur dhe për t’u përballur me Edi Ramën dhëmbë për dhëmbë e sy për sy. Në optikën time aksioni opozitar ka qenë 5 muaj rezistence të paepur dhe dinjitoze, e shëndetshme për demokracinë. Këto protesta sollën zgjidhjen e kërkesave të opozitës. Opozita u përball me një rezistencë disa mujore të pazakontë, por konsistente dhe e gatshme të vazhdonte deri në limite, e detyruam qeverinë të tërhiqej dhe parlamenti të kthehej në shinat e Kushtetutës, së bashku me ndërkombëtarët. Kjo është e mira e kësaj proteste, ndërkombëtarët njohën opozitën e vërtetë dhe përpjekjen tonë për rikthimin e rregullit në Parlament. Mjafton që të ndizni televizorin për të parë kush është opozita e vërtetë. Janë numrat ato që vendosin dhe që kanë caktuar qartë kush është opozita shqiptare.

Sali Berisha është sot i vetmi politikan në arrest shtëpie pa akuzë dhe pa dënim. Secili mund t’i bëjë pyetje vetes si mund të konsiderohet arrestimi i tij, kur Kushtetua e mbron deputetin nga çdo vendim gjykatash pa miratim Kuvendi. Kjo ndodhi me Berishën dhe Kuvendi certifikoi atë që gjykata bëri gabim. Berisha është kryetari i PD, ne jemi bashkuar me diversitet, ku na bashkon historia e PD”, tha ai.

Gjekmarkaj u ndal dhe te komisionet hetimore të cilat u miratuan nga Kuvendi të enjten e shkuar, ku ha se do të bëhet transparencë për eurot e sterilizimit dhe dritëhijet e tjera.

Ndërsa për Reformën Zgjedhore, tha se do të donte që ajo të reflektonte vërejtjet e OSBE.

“Komisionet hetimore do të bëjnë transparencë, opozita është aty për të bërë transparencë për 200 milionë eurot e Sterilizimit dhe dritëhijeve të tjera. Nëse Parlamenti nuk e voton raportin, në fund dilet me dy raporte dhe është çështje vullneti e mazhorancës për të ruajtur eksponentët e saj. Beteja e opozitës do të jetë e fortë dhe nga pikëpamja morale do jetë betejë e fituar.

Sa i përket Reformës Zgjedhore, do doja që ajo të reflektonte vërejtjet e OSBE që shtohet pas çdo procesi zgjedhor që mazhoranca e Edi Ramës ka bërë këto vite. PD duhet të punojë për të futur në Kushtetutë qeverinë teknike para zgjedhjeve, ku besimi mes palëve është masakruar pas përdorimit të krimit për të mundur opozitën. Shqipëria e ka jetike këtë. Nuk do ta arrijmë me luftë, por do kontribuojmë që shoqëria të bëjë presion dhe të kërkojmë kuptim nga aleatët ndërkombëtare për të arritur një qeveri teknike, jo vetëm për këto zgjedhje, por në fundin e çdo mandati”, u shpreh ai.

Gazeta Panorama