21 Nentor 2023

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i është përgjigjur deklaratës së bërë më herët nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili gjatë vizitës në Serbi u shpreh se grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës nuk e ndihmonin situatën e normalizimit të marrëdhënies mes dy vendeve. Vuçiç tha se është puna e Serbisë se ku do të vendoset ushtria serbe dhe se nuk pranon një urdhër të tillë.

“Është puna jonë, ne nuk e pranojmë atë lloj urdhri”, tha ai.

Këto komente ai i bëri në një konferencë për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kjo duke iu përgjigjur këtij të fundit, i cili tha se ngritja e gatishmërisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit të Kosovës nuk i shërben përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe zbutjes së tensioneve.

“Sa i përket Ushtrisë Serbe, ajo i ka kryer detyrat e saj në mënyrë profesionale, nuk i ka tejkaluar asnjëherë të drejtat, kompetencat e saj, ka pasur gjithmonë marrëdhënie korrekte me KFOR-in dhe NATO-n. Dhe se ku dhe si do ta vendosim ushtrinë tonë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe ligjet e këtij vendi, pa rrezikuar askënd në asnjë mënyrë, kjo është punë e jona”, tha Vuçiç.

Gazeta Sot