28 Tetor 2022

Vetëm pak ditë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi se nuk ka asnjë kandidat të interesuar nga radhët e prokurorëve dhe se gara për kreun e SPAK kishte ‘ngecur’, ka ardhur edhe kandidatura e parë.

TIRANË– Prokurori Adnan Xholi është prokurori i parë që ka depozituar kërkesën dhe ka shprehur interes për të zëvendësuar Arben Krajën në krye të Prokurorisë sëPosaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Vetëm pak ditë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi se nuk ka asnjë kandidat të interesuar nga radhët e prokurorëve dhe se gara për kreun e SPAK kishte ‘ngecur’, ka ardhur edhe kandidatura e parë.

Vetë Kraja u pyet për këtë stepje të prokurorëve, por u shpreh se gara është ende e hapur dhe se ai vetë nuk ishte në dijeni të ndonjë trembjeje nga ana e prokurorëve për ta zëvendësuar.

“Gara është akoma e hapur. Vazhdon akoma, nuk di të ketë trembje,”- tha Kraja. 

KLP hapi garën më 19 shtator. Përmes një njoftimi bëri me dije se kandidatët duhet të plotësojnë disa kushte, si eksperienca në  ndjekjen e çështjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar; aftësi në organizimin dhe drejtimin e një structure, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv si dhe imazh publik si prokuror.

Afati për aplikimin e kandidaturavë është 2 nëntor 2022, ora 24:00. Arben Kraja përfundon mandatin në datën 18 dhjetor.  Në momentin që do të largohet si kryetar i SPAK, Kraja do të vijojë të mbetet prokuror i SPAK edhe për gjashtë vite të tjera. Kjo pasi mandati i një prokurori është nëntë vite, ndërsa drejtuesi i SPAK zgjidhet çdo tre vjet dhe nuk ka të drejtë të rizgjidhet.