Dashnor Sula…me Presh

28 Tetor 2026

Kryeinspektori Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, ka komentuar zhvillimet politike në Partinë Demokratike, protestat e opozitës dhe vendimin e tij për t’iu bashkuar mazhorancës socialiste.

Sula, i cili në të kaluarën ka qenë deputet i PD-së dhe është bërë i njohur edhe për daljen në Kuvend me qepë dhe presh, kritikoi gjendjen e opozitës, duke deklaruar se përçarjet e brendshme dhe mungesa e një strukture të konsoliduar po dëmtojnë besimin e qytetarëve. Ai u ndal edhe te protestat e opozitës, duke u shprehur kundër dhunës dhe përdorimit të molotovëve. Sipas tij, opozita duhet të krijojë shpresë te qytetarët dhe të ushtrojë presion politik ndaj mazhorancës, në vend që të përfshihet në përplasje të dhunshme.

Duke folur për largimin nga PD-ja dhe kalimin në krahun e socialistëve, Sula përdori një metaforë për të shpjeguar vendimin e tij, duke thënë se asnjë marrëdhënie nuk mund të mbahet me forcë. Ai pranoi se vendimi nuk kishte qenë i lehtë dhe se e kishte menduar për javë e muaj, ndërsa bëri të ditur se kishte zhvilluar disa takime me kryeministrin Edi Rama, i cili i kishte kërkuar të kontribuonte.