Bajram Begaj Edi Rama

28 Tetor 2026
Protestat gjunjëzojnë Edi Ramën, Begaj thërret partitë për zgjedhjet lokale, kryeministri gati  dorëheqjen, vendi drejt zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore së bashku.

Teksa gjendet nën trysninë e pandalshme të protestave dhe një pakënaqësie popullore që po vlon në çdo cep të vendit, kryeministri Edi Rama duket se po përjeton ethet e goditjes përfundimtare. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka hedhur hapin zyrtar duke thirrur partitë politike parlamentare në konsolidimin e parë për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Data e fiksuar për të ulur palët në tryezë është 30 tetori 2026, me një takim kuptimplotë që do të zhvillohet në mjediset e Pallatit të Brigadave. Ftesa i është nisur të gjitha forcave me përfaqësim në Parlament. Zyrtarisht, zgjedhjet lokale pritet të dekretohen më 7 nëntor nga kreu i shtetit dhe të zhvillohen në një nga të dielat e para të majit 2027.

Prapaskenat e Rënies: Dorëheqja e Ramës në Tryezë dhe Dekapitimi i Kabinetit

Por prapaskena që vlon brenda godinës së Kryeministrisë fsheh një skenar krejt tjetër kaosi dhe paniku. Burime konfidenciale e të mirëinformuara nga zyrat e godinës kryeministrore bëjnë me dije për gazetën “SOT” se kryeministri Edi Rama e ka bërë gati letrën e dorëheqjes dhe zyrtarizimi i saj është tashmë vetëm çështje kohe. Valëzimi i goditjeve nuk do të ndalet me drejtorët e shkarkuar, pasi pas tyre pritet të fshihet e gjithë struktura e lartë drejtuese, ku një pjesë e mirë e ministrave aktualë do të shkarkohen pa asnjë paralajmërim. Kryeministri po përpiqet të menaxhojë një krizë që i ka dalë plotësisht nga kontrolli, për shkak të revoltës popullore (rinisë dhe qytetarëve që protestojnë kundër tij dhe i kërkojnë dorëheqjen), ku çdo lëvizje e tij po ngjan më shumë me një kapitullim të paralajmëruar sesa me një manovër politike të menduar ftohtë.

Skenari “Gruevski”, dy palë zgjedhje në maj për të mbijetuar

Në mendjen e një lideri të rrethuar nga pakënaqësia, sikundër është sot që flasim Edi Rama, po thuhet skenari i tij i fundit i mbijetesës. Edi Rama kërkon të luajë me një lëvizje të rrufeshme: djegien e mandateve dhe çuarjen e vendit brenda majit të vitit 2027 në dy palë zgjedhje të njëkohshme, si ato të përgjithshmet, ashtu edhe ato vendore. Objektivi i këtij taktizimi ekstrem është kopjimi i idesë së “variantit Gruevski”: hedhja e vendit në zgjedhje të parakohshme me shpresën se do të kapë mat një opozitë ende të përçarë dhe një lëvizje studentore të pakontrolluar mirë në terren. Ai po tenton të zërë në befasi energjinë e sheshit përpara se ajo të mpiksë një front të unifikuar popullor.

Por pyetja që shtrohet sot është: a mund ta shpëtojë kjo lodër e fundit e pushtetit të tij, apo maji do të jetë stacioni ku regjimi do të marrë përgjigjen e merituar? Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vijim, ndërkohë që theksojmë se kjo lëvizje e Presidentit Begaj vjen vetëm pak ditë pasi “Gazeta SOT” zbuloi se ndodhi takimi sekret mes ambasadorëve të fuqive të mëdha dhe kreut të shtetit. Përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë u ulën kokë më kokë me Presidentin Begaj për gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza, ndërsa Edi Rama u përjashtua plotësisht nga negociatat si shkaktari kryesor i kësaj situate.

Pra kryeministri i Shqipërisë u nxor krejtësisht jashtë lojës dhe diskutimeve diplomatike nga ndërkombëtarët. Kështu që i ndodhur përballë këtij izolimi të plotë diplomatik dhe presionit mbytës të rrugës (protestave), letra e dorëheqjes së Edi Ramës mbetet tashmë vetëm një çështje orësh për t’u bërë publike, teksa në horizont po jep të gjitha sinjalet se po shkojmë drejt dy palë zgjedhjeve të njëkohshme.

Nga: Gazeta Sot