21 Tetor 2025

Pas grabitjes spektakolare të bizhuterive në muzeun e Luvrit, ministri i Drejtësisë në Francë deklaroi se protokollet e sigurisë së vendit dështuan në parandalimin e kësaj ngjarjeje dhe i shkaktuan vendit një imazh të tmerrshëm.

“Ajo që është e sigurt është se kemi dështuar, duke qenë se njerëzit arritën të ngrenë vinçin në mes të Parisit dhe brenda pak minutash të marrin xhevahire të paçmuara”, tha Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin për mediat në Francë.

Hajdutët me vegla elektrike hynë me forcë në muzeun më të vizituar në botë në mes të ditës të dielën, duke vjedhur tetë bizhuteri me vlerë të paçmueshme, dhe më pas u larguan me skuter.

Kreu i një organizate të specializuar në gjetjen dhe rikuperimin e veprave të artit të vjedhura paralajmëroi se nëse hajdutët nuk kapen brenda 24-48 orëve të ardhshme, bizhuteritë e vjedhura, mes tyre një gjerdan me diamante dhe smeralde që Perandori Napoleon ia dhuroi gruas së tij, ka të ngjarë të jenë zhdukur prej kohësh. Bizhuteritë të cilat u vodhën gjatë grabitjes, mund të thyhen lehtësisht dhe të shiten në pjesë të vogla.