Vidhet në Vjenë gjerdani mbretëror me 673 diamante

Gjerdani që u vodh në Vjenë
29 Gusht 2026
Një gjerdan i çmuar, i përbërë nga 673 diamante, është vjedhur nga Muzeu i Arteve të Aplikuara në Vjenë, ndërsa policia austriake ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Sipas të dhënave të publikuara nga muzeu, objekti i vjedhur mund të jetë një gjerdan mbretëror me më shumë se 200 karatë diamante.
Gjerdani ka një histori të veçantë. Ai ishte mbajtur në vitin 1939 nga mbretëresha Nazli e Egjiptit gjatë dasmës së vajzës së saj, Fawzias, me Princin e Kurorës së Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili më vonë u bë Shah i Iranit.
Objekti ishte pjesë e ekspozitës “Glanzstücke”, kushtuar bizhuterive dhe objekteve të çmuara.
Sipas policisë, dy persona të paidentifikuar kanë thyer vitrinën gjatë orarit të hapjes së muzeut, kanë marrë gjerdanin dhe janë larguar me vrap.
Muzeu konfirmoi vjedhjen, duke bërë të ditur se nuk pati persona të lënduar. Për shkak të hetimit në vazhdim, autoritetet dhe institucioni nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi ngjarjen.
Policia vijon kërkimet për autorët dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të vjedhjes.
