Itali/ Vapë ekstreme në jug me mbi 44°C, veriut i mbërrijnë stuhitë

29 Gusht 2026
Vala e pestë e të nxehtit ka arritur kulmin në Itali, duke sjellë temperatura mbi 40°C në jug dhe në ishuj, ndërsa veriu i vendit po përballet me reshje të dendura, stuhi dhe breshër.
Në Kalabri është regjistruar temperatura më e lartë, me 44.6°C në Torano Scalo, ndërsa në Kozencë termometri ka shënuar 42.5°C. Situatë e rënduar është raportuar edhe në Siçili dhe Sardenjë, ku temperaturat kanë arritur deri në 43°C.
Nëntë qytete, mes tyre Roma, Bari, Catania, Palermo dhe Messina, janë vendosur në alarm të kuq për shkak të rrezikut nga temperaturat ekstreme. Lagështia e lartë e bën vapën të ndihet edhe më e fortë, ndërsa netët tropikale po sjellin temperatura pranë 30°C.
Ndërkohë, në veri janë regjistruar rrebeshe të fuqishme shiu dhe breshër në disa zona të Lombardisë. Stuhitë pritet të përhapen edhe në Piemonte, Luginën e Aostës dhe Lombardinë veriore.
Temperaturat e larta kanë rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve. Në malin Morrone, në Abruzzo, një zjarr i cili ishte konsideruar pothuajse i shuar është aktivizuar sërish, duke angazhuar mbi 100 persona në operacionet e shuarjes.
Sipas WWF, vera e këtij viti ka qenë jashtëzakonisht e nxehtë në Evropën Perëndimore, ndërsa në Itali janë djegur mbi 90 mijë hektarë pyje. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta, thatësira dhe mungesa e ujit po shtojnë presionin mbi ekosistemet dhe jetën e egër.
