Vendi i shumë aeroporteve pa fluturime

Mapo.al

Sot në atdheun e aeroporteve elektorale, në truallin ku do të ketë pista avionësh në çdo cep, aty ku me gjasë Kryeministri do të jetë duke premtuar një të ri edhe në takimin e radhës që ka në Jug, nuk ka pasur fluturime, dhe s’do të ketë deri nesër.

Izolim ndërkombëtar 24 orësh, për shkak të një greve të kontrollorëve ajrorë. Edhe pse, jo normale si  rrugë, e padyshimtë që kjo ka të bëjë me sjelljen arrogante të qeverisë.

Kontrollorët kanë kohë që paralajmërojnë për këtë masë ekstreme që ka lënë me qindra njerëz në mes të rrugës, ose pa ardhur, ose pa shkuar.

E sigurtë është se nuk janë dëgjuar, dhe nuk janë përfillur, derisa mbërritëm në këtë pikë. Për më tepër, disa prej tyre që kanë guxuar të ngrenë zërin janë pushuar nga puna. Nuk mund dikush të nxjerrë krye me rilindjen, apo të sfidojë ministren ose qeverinë.

Kontrollorët që janë punonjës tepër të specializuar dhe kanë në dorë një fushë delikate si sigurinë e udhëtimit ajror, kanë ulje page edhe pse i përkasin një institucioni që dorovit miliona sa andej këndej, dhe ka një prej buxheteve më luksoze në vend.

Nuk mungojnë pra paratë, por dominon dëshira e shefave për përvetësim.

Dhe ja ku jemi, njeriu që premton një aeroport në secilin qark të vendit, dhe thotë se do të ulë çunat kuksianë të Londrës në pistën verilindore para datës së votimit, ja doli ta bëjë të pamundur edhe të vetmen që kemi.

Ai vetë mund të mos jetë përgjegjës drejtpërdrejt. E besueshme është që ka dijeni për problemin, dhe dihet fort mirë se ka instaluar në çdo degë të qeverisjes, arrogancën e shpërfilljen për njerëzit, për kërkesat e tyre.

Pra ai qendron në krye të kësaj piramide, ku shefat dhe shefet e dinë vetë se çfarë ndodh, e dinë ata se ç’duhet bërë, e vendosin ata kur ulen, kur rriten pagat, ata e hedhin dikë në rrugë, ata se kanë problem nëse nuk ka fluturime.

Ky fodullëk e bëri Shqipërinë për dy ditë të paktën, vendin e shumë aeroporteve dhe asnjë fluturimi, dhe i vetmi stacion ndërkombëtar qe i vlefshëm për të dhënë Balluku një konferencë për shtyp.

Edi Rama Lodra kalamajsh

Gazeta Mapo