Vajza e Ali Këlcyrës, letër Kryeministrit për Kalanë e Kelcyres. –

-Hana Klissura: Zoti Rama, më lejoni të kërkoj angazhimin Tuaj për ruajtjen dhe konsolidimin e rrënojave të kalasë dhe sarajeve të Këlcyrës

Nga Dhurata Hamzai. –

Hana Klissura (Këlcyra), e bija e Ali Këlcyrës – njërit prej personaliteteve më komplekse në historinë e vendit, i mërguar nga Shqipëria pas vendosjes së komunizmit – ka shkruar një letër të hapur për kryeministrin Edi Rama.

Letra e Hana Klissura-s, e siguruar nga burimet e “Shqiptarja.com”, bën fjalë për ruajtjen dhe konsolidimin e rrënojave të kalasë së lashtë dhe të Sarajeve të Ali Bej Këlcyrës, që janë djegur e shkrumbuar nga andartët grekë më 1914-n.

Ali Këlcyra ka qenë pjesëmarrës në Luftën e Vlorës në vitin 1920, ka qenë deputeti i parë i zgjedhur në Parlamentin e Zogut, ndërkohë që ka qenë edhe kundërshtar i fortë i Nolit, por edhe i komunizmit më vonë. Gjatë viteve të shkollimit në Europë, Këlcyra  ka qenë mik me Enver Hoxhën dhe të kunatin Bahri Omari. Këlcyra gjatë luftës së Dytë Botërore ka qenë pjesë aktive e Ballit Kombëtar, organizatë me të cilën ka ruajtur lidhjet dhe aktivitetin politik, me shpresë përmbysjen e komunizmit, edhe në mërgim.

Vetë Hana Klissura jeton në Austri, ndërsa familja Këlcyra ka një histori të gjatë për të shkruar, një pjesë e të cilave vajza e Ali bej Këlcyrës i ka rrëfyer kohë më parë në gazetën “Shqiptarja.com”. Tashmë pasi është realizuar një ekspeditë arkeologjike në Kalanë dhe Sarajet Këlcyra, Hana Klissura i dërgon këtë letër të hapur kryeministrit që Kalaja dhe Sarajet Këlcyra të ruhen dhe të konsolidohen si vlera të trashëgimisë historike dhe kulturore.

“LETËR E HAPUR DREJTUAR Z. EDI RAMA, KRYEMINISTËR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

I nderuar Zoti Kryeministër,

Unë që ju drejtohem publikisht jam Hana Klissura, e bija e Ali Klissurës, me origjinë nga qyteti i Këlcyrës, aktualisht me banim në Austri. Dua të paraqesë shqetësimin tim, por edhe të shumë qytetarëve të tjerë të krahinës së Këlcyrës e Përmetit, lidhur me përkeqësimin e gjendjes së kalasë historike të Këlcyrës, ku ndodhen edhe rrënojat e ish-rezidencës së familjes Këlcyra, Sarajet e Këlcyrës. Deri në vitin 1914, kohë në të cilën u dogjën e shkrumbuan sarajet nga andartët grekë, kalaja u braktis edhe nga ata pak banorë të tjerë që kishin ngelur. Theksoj se djegia e saj u bë për arsye të një ultimatumi që iu dha Muhamet bej Klissurës, xhaxhai i babait tim, që në rast se do të refuzonte të nënshkruante dokumentin e njohjes së kufirit të imponuar që duhej të kalonte përmes Përmetit e Këlcyrës, brenda 48 orëve, atëherë do të digjeshin sarajet e Këlcyrës. Me refuzimin e menjëhershëm të kërkesës së grekëve, ndërtesat historike u shkrumbuan, duke mos u rindërtuar deri më sot, dëm ky i rëndësishëm historik dhe ekonomik për krahinën.

Nga kjo kohë u krijua vendbanimi i ri buzë rrugës, aty ku më parë ishte një nga tregjet më të mëdha të jugut të Shqipërisë, i përmendur që nga mesjeta.

Këlcyra na paraqet shembullin e një qyteze tipike bizantine në Shqipëri që për shkak të pozicionit të rëndësishëm strategjik pati një vazhdimësi që nga periudha antike ilire deri në shekullin e XIX. Në Kalanë e Këlcyrës, dallohen disa faza ndërtimesh mbrojtëse, faza më e hershme i takon një fortifikimi të periudhës ilire, tjetra lidhet me fortifikimet e periudhës bizantine, kurse e fundit i takon periudhës së Ali Pashë Tepelenës. Në shpatin e malit një vend të rëndësishëm zënë edhe rrënojat e kompleksit ndërtimor të quajtura “Sarajet e Këlcyrës”. Ndërtimi i sarajeve të reja jashtë kalasë, nisi nga Ali Pashë Tepelena, kurse pas vdekjes së tij punimet u vazhduan nga mbesa e tij, Hejbetulla hanëm, vajza e motrës Shahnisha hanëm, nga familja e Arsllan Pashallinjve.

Sarajet e Këlcyrës janë monumenti i vetëm i llojit të tij që ruhet deri tani në territorin e Shqipërisë, të paktën në gjendje rrënoje. Për vlerat, historike, arkeologjike, arkitektonike dhe të natyrës që përcjellin deri më sot kalaja dhe sarajet e Këlcyrës (sarajet nuk janë trajtuar si Monument Kulture), si pjesë e Grykës së Këlcyrës dhe rreziku që po i kanoset për çdo ditë nga punimet e pa licencuara për nxjerrjen e rrasave të gurit, mendoj se duhet një vëmendje më e shtuar e institucioneve qendrore, pasi ato lokale nuk kanë mundur ta ndalojnë këtë shkatërrim të këtyre vlerave. Këlcyra dhe gjithë Përmeti mund të zhvillohen shumë përmes turizmit, duke ruajtur dhe propaganduar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe ato natyrore që ka kjo zonë.

Nisur nga dashuria që unë ndiej për vendin e origjinës dhe që për mua është edhe një detyrim moral, si bija e fundit e familjes Këlcyra që ka banuar aty pa ndërprerje që nga shekulli XIII, jam përpjekur sa herë jam kthyer në Këlcyrë të kontribuoj sadopak për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Këlcyrës. Vitin e kaluar duke e parë se fjala dhe përpjekjet e mia nuk po gjenin një terren të përshtatshëm, ndërmora iniciativën për të bërë disa pastrime në Sarajet, për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta arkitektonike dhe që të ndërgjegjësoheshin banorët për ta mbrojtur këtë trashëgimi dhe për të inkurajuar pushtetin lokal për të pasur më shumë vëmendje në këtë drejtim. Me gjithë dëshirën time u ndesha në shumë pengesa burokratike që me heshtjen e tyre më bënë të tërhiqesha përkohësisht nga kjo ndërmarrje.

Zoti Kryeministër,

Unë mendoj se ruajtja, investimi dhe pasurimi i çdo vlere të trashëgimisë kulturore shqiptare është jo vetëm dëshirë por edhe detyrim moral e ligjor i çdo shqiptari. Si rrjedhim, më lejoni edhe të sugjeroj se përmirësimi i kushteve aktuale të sotme në sarajet dhe kalanë e Këlcyrës shkojnë edhe në shërbim të krahinës së Përmetit e sidomos të qytetit të Këlcyrës.

Dua të sjell në vëmendje se në rast të mbështetjes për konsolidimin e rrënojave të sarajeve do të kishte disa dobi publike si:

Qyteti i Këlcyrës është sot një nga qytetet më të varfra, rindërtimet e natyrës historike sjellin hapje të vendeve të reja të punësimit publik,

Po e tillë është edhe Bashkia e Këlcyrës. Fuqia punëtore aktive e pakët, prodhimet e frutikulturës dhe blegtorisë apo ato industriale pothuaj të papërfillshme, turizmi nuk ka zhvillimin e merituar, ndërsa vetë qyteti i Këlcyrës, me tepri trashëgimie kulturore, është lënë gati në harresë,

Në Këlcyrën e lashtë ruhen më së miri në sipërfaqe pjesë të mureve rrethuese të qytetit antik dhe atij bizantin, banesat e tjera të arkitekturës bizantine, rrënoja e plotë e kështjellës së ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, si dhe sarajet e fortifikuara të ndërtuara në fillim të shek. XIX, të filluara nga Ali Pasha dhe të përfunduara nga bejlerët e Këlcyrës.

Në Këlcyrë nuk është bërë deri tani asnjë gjë për të ruajtur dhe konsoliduar këto rrënoja historike.

Aktualisht kjo trashëgimi kërcënohet në vijimësi nga gërmimet që kryhen për nxjerrjen e gurëve dhe askush nuk i ndalon dhunuesit e trashëgimisë kulturore, megjithëse duhet të mbrohen me ligj si trashëgimi arkeologjike.

Për sa më sipër, unë kam bërë edhe ankesa të herëpashershme në bashkinë e qytetit, por deri tani pa rezultat konkret. Iniciativa ime për të bërë disa pastrime në rrugën për tek Sarajet, që shquhen për vlerat e tyre arkitektonike, nuk gjeti përkrahje nga institucionet përgjegjëse. Pastrimi dhe hapja e tyre jo vetëm do të nxirrte në pah vlerat e këtij kompleksi arkitektonik që është unik në Shqipëri, por do të siguronte një material të pasur arkeologjik të periudhës otomane, me të cilin mund të ndërtohet eventualisht edhe një muze në shërbim të qytetit të Këlcyrës.

Si përfundim, Zoti Kryeministër Rama, më lejoni të kërkoj mundësinë e angazhimit Tuaj personal apo të qeverisë që drejtoni, për ruajtjen dhe konsolidimin e rrënojave të kalasë dhe sarajeve të Këlcyrës, si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, pse jo edhe në shërbim të zhvillimit të turizmit në zonën e Përmetit e të ekonomisë së vendit tonë. Unë besoj se një angazhim direkt i Juaji, person që përfaqësoni kulturë dhe art në Shqipëri, do të kontribuonte shumë edhe në angazhimin e strukturave të tjera shtetërore e jo shtetërore, qendrore e lokale, për këtë qëllim.

Me besim se kërkesa do të shihet me përparësi,

Hana Klissura,  Tiranë, 28.09.2018