Porta antike jugore (kryesore) e qytetit ilir të Lisit. –

Nga Paulin Z. Zefi

Porta antike jugore (kryesore) e qytetit ilir të Lisit, e cila është edhe porta antike më e madhe dhe më impresionuese në vendin tonë, po i nënshtrohet procesit të konsolidimit, konservimit dhe restaurimit. Sipas mendimit tim, ky ansambël ndërtimor me 4 kulla fortifikimi(2 të brendëshme dhe dy të jashtme) të cilat siguronin mbrojtjen e portës së dyfishtë, por që shënon edhe fillimin e Rrugës Mbretërore(Via Genta) që më vonë do të zgjatej deri në Naissus(Via Lissus-Naissus/Lezhë-Nish); duhet të trajtohet si “Objekt i rëndësisë së veçantë”, sepse është i tillë.

Pas një këmbëngulje të vazhdueshme, më në fund po kryhet një ndërhyrje shumë cilësore, e cila konsiston në zbankimin e dherave, pastrimin e plotë nga vegjetacioni dhe trajtimin specifik të sipërfaqes së këtyre strukturave murale kaq madhështore. Muratura dhe teknika e ndërtimit paraqet një kaleidoskop historik, duke nisur nga shtresa e parë kulturore, ajo ilire, më pas romake, bizantine, arbëre dhe në fund veneciane. Punimi më cilësor lidhet me fazën e parë ndërtimore, pra me atë ilire të tipit poligonal dhe trapezoidal. Sa më shumë që afrohemi në kohë, po aq më të dobëta teknikisht dhe estetikisht paraqiten fazat e tjera ndërtimore dhe kjo do të thotë se “Para’ardhësit tonë të hershëm” ishin kryemjeshtra të pashoq në punimin, vendosjen në muraturë dhe plastikën e gurit…