gardhi ne pishporo

20 Maji 2026

Aktivisti Andi Tepelena, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, foli për situatën në zonën e mbrojtur të Pishporës, ku prania e makinerive të rënda dhe rrethimi i një sipërfaqeje të madhe toke ka ngritur shqetësime tek qytetarët dhe grupet mjedisore.

Sipas tij, reagimi i menjëhershëm i aktivistëve erdhi pas mungesës së informacionit dhe transparencës për atë që po ndodh në parkun e mbrojtur.

“U dha alarmi që janë futur makineri të rënda në parkun e mbrojtur të Pishporës dhe instinktivisht u nisëm për të parë çfarë po ndodhte. Kur shkuam aty pamë një situatë surreale, rreth 600 hektarë tokë të rrethuar me gardh dhe makineri të rënda brenda.”-tha aktivisti.

Tepelena tregoi se ditën e protestës makineritë ishin të ndaluara dhe ngriti dyshime se operatorët mund të jenë njoftuar më herët për mbërritjen e protestuesve.

Andi Tepelena

Ai tha se në zonë kishte edhe forca policie dhe roje private, ndërsa situata mbeti e tensionuar, edhe pse nuk pati përplasje.

“Informacioni po del pak nga pak. Nuk ka projekt publik, nuk ka qartësi dhe kjo i bën njerëzit të reagojnë. Disa media ishin prezent në terren, por më pas kronikat nuk u transmetuan ose u hoqën.”-shtoi Tepelena.

Aktivistët kërkojnë transparencë të plotë për projektin që po zhvillohet në Pishporë dhe paralajmërojnë se ndërhyrjet në zonat e mbrojtura nuk mund të bëhen larg syrit të publikut.