20 Maji 2026

Një shpërthim i Ebolës që ka vrarë të paktën 131 persona në Republikën Demokratike të Kongos mund të përhapet më shpejt nga sa mendohej fillimisht, paralajmëroi një përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Dr. Anne Ancia i tha BBC-së se sa më shumë që heton agjencia, aq më e qartë bëhet që rastet janë përhapur në zona të tjera. Zyrtarët thanë se më shumë se 513 raste të dyshuara në RD të Kongos që nga e marta, ndërsa një person ka vdekur në Ugandën fqinje. Por modelimi nga Qendra MRC për Analizën Globale të Sëmundjeve Infektive me seli në Londër, e publikuar të hënën, sugjeroi se kishte pasur nën-zbulim “të konsiderueshëm” dhe se nuk mund të përjashtonte mundësinë që tashmë të kishte pasur më shumë se 1,000 raste. Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili e shpalli shpërthimin një emergjencë ndërkombëtare javën e kaluar, tha se ishte “thellësisht i shqetësuar për shkallën dhe shpejtësinë e epidemisë”. Frikësohet se shpërthimi mund të ketë vazhduar për disa javë përpara se të zbulohej për herë të parë më 24 prill.

Nuk ka vaksinë për llojin e virusit Ebola që nxit rritjen e fundit të rasteve, por OBSH-ja po vlerëson nëse ilaçe të tjera mund të ofrojnë mbrojtje. Duke folur për BBC World Service Newsday, Ancia tha se provinca Ituri e RD Kongos, epiqendra e shpërthimit, është një “zonë shumë e pasigurt me shumë lëvizje të popullsisë”, duke e bërë të vështirë për agjencinë të hetojë dhe të ndihmojë në kontrollin e sëmundjes.