Një dokument zyrtar i depozituar në KLGJ zbulon një skandal të rëndë institucional me efekt domino

21 Maji 2026
Nga Migena Aleksi
Në qendër është anëtarja e KPA-së, Ina Rama, e cila kërkon kalimin në Apel. Prova të reja nga sulmet kibernetike të SHISH-it e rreshtojnë Ramën si ish-bashkëpunëtore të shërbimeve sekrete – një ndalim ligjor taksativ – ndërsa vendimet e gjykatave provojnë se ajo fshehu statusin e magjistrates për t’u ulur në karrigen e Vettingut pa bërë vetë Vetting. KLGJ ndodhet para provës së zjarrit. Të bllokojë transferimin apo të bëhet hallka e radhës në infektimin e sistemit.
… Në vend që të bënte Vettingun si gjithë kolegët e saj, znj.Rama u ul në karrigen e atyre që bëjnë Vettingun, duke shkelur ndalimin kushtetues. Një emërim absolutisht i pavlefshëm që në zanafillë.
Një dokument zyrtar i depozituar së fundmi në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), ku renditen prova dhe vendime gjykate, zbulon një skandal institucional me efekt domino.
Rasti është flagrant dhe ka të bëjë me ish-Prokuroren e Përgjithshme dhe anëtarën aktuale të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), znj.Ina Rama, e cila po tenton të transferohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, pikërisht në kohën kur emri i saj lidhet me promovimin e z.Olsi Dado, ky i fundit aktualisht në gjyq administrativ për vlefshmërinë e emërimit të tij.
Hija e SHISH: Pyetja që KLGJ nuk mund ta anashkalojë më
Në kërkesën zyrtare të drejtuar KLGJ-së më 18 Maj 2026, kërkuesja Manjola Bejleri ka rindezur një alarm që institucionet kanë tentuar ta groposin me heshtje. Pas sulmeve kibernetike të fundvitit 2022, ku u hakeruan serverat qendrorë të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), të dhënat sensitive u bënë publike në aplikacionin Telegram nga rrjeti “Home Land Justice”.
Në listat zyrtare të dekonspiruara (konkretisht në listën numër 3, e emërtuar “Official”, faqe 175), emri i Ina Haxhi Ramës figuron me të dhëna konkrete identifikuese: numri personal H26121126L, datëlindja 21.11.1972 dhe fotoja e saj. Ajo rezulton aty si bashkëpunëtore/agjente/informatore e shërbimit sekret.
Neni 28, pika ‘f’ e Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” është taksativ: Magjistrati nuk duhet të jetë ose të ketë qenë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve sekrete.
“Manovra” me Kushtetutën: Si iu shmang Ina Rama Vettingut?
Pikëpyetja tjetër e madhe, e dokumentuar me vendime gjykatash, lidhet me vetë mënyrën se si Ina Rama hyri në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në vitin 2017.
Sipas Nenit C/5 të Aneksit të Kushtetutës dhe Nenit 6 të Ligjit nr. 84/2016, kandidatët për anëtarë të institucioneve të Vettingut nuk duhet të kenë qenë gjyqtarë apo prokurorë gjatë dy viteve të fundit përpara kandidimit. Ky rregull u vendos që trupa që bën Vettingun të ishte e pastër nga trupa që do të ndëshkohej.
Ina Rama kandidoi dhe u zgjodh në KPA në vitin 2017 si “juriste nga sistemi bankar”. Por dokumentet zyrtare fshehin një të vërtetë tjetër: Me Vendimin e formës së prerë nr. 2235, datë 26.10.2015 të Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, Ina Ramës i ishte njohur dhe rikthyer statusi i magjistratit (gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë).
Gjatë periudhës 2012–2015, ajo kishte përfituar paga kalimtare pikërisht për shkak të këtij statusi magjistrati.
Kjo do të thotë se në dritën e ligjit, përgjatë periudhës ndaluese dyvjeçare (shkurt 2015 – shkurt 2017), Ina Rama gëzonte statusin e magjistratit.
Rrjedhimisht, ajo ishte automatikisht një subjekt që duhej t’i nënshtrohej Vettingut nga KPK, njësoj siç ndodhi me ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj (e cila u shkarkua pikërisht mbi këtë standard).
Në vend që të bënte Vettingun si gjithë kolegët e saj, znj.Rama u ul në karrigen e atyre që bëjnë Vettingun, duke shkelur ndalimin kushtetues. Një emërim absolutisht i pavlefshëm që në zanafillë.
Efekti Domino: Kur e paligjshmja prodhon të paligjshme
Këtu skandali merr përmasa të rënda institucionale. Pasi u fut vetë në sistem përmes një emërimi me pikëpyetje të mëdha kushtetuese dhe nën hijen e bashkëpunimit me SHISH, Ina Rama u bë pjesë e makinerisë që futi dhe promovoi të tjerë njerëz në sistem. Rasti më i fundit dhe më flagrant është ai i Olsi Dado.
Sot, z. Dado ndodhet në një betejë të hapur në Gjykatën Administrative pikërisht për vlefshmërinë e emërimit të tij.
KLGJ përpara provës së zjarrit
Sot, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka në duar një patate të nxehtë. Përpara se të nënshkruajë kalimin e znj. Ina Rama në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, KLGJ duhet të ndalojë. Ligji dhe interesi publik kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të procedurës.
Nëse KLGJ hesht dhe e kalon këtë emërim me sy mbyllur, atëherë ky institucion konfirmon se nuk është garant i ligjit, por bashkëpunëtor në instalimin e një klani të paligjshëm që po mbron veten duke infektuar të gjithë sistemin e drejtësisë.
Nga: Gazeta Dita.
