U promovua vëllimi i parë i serisë “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë”  te autoreve Agron Islami dhe Marie-Patricia Raynaud.
U promovua , në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, vëllimi i parë i serisë “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë”, një botim i çmuar, i cili i dedikohet mozaikëve në Qytetin Antik të Butrintit me autor Agron Islami dhe Marie-Patricia Raynaud.
Shqipëria zotëron shumë site arkeologjike, të pasura me mozaikë. Disa prej këtyre mozaikëve janë bërë objekt studimi dhe restaurimi ndër vite, të tjerë mozaikë presin të studiohen, restaurohen si dhe dokumentohen nëpërmjet publikimeve shkencore.
Aktivitetin e përshëndeti Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, e cila tha se: “Botimi i këtij libri është një iniciativë, të cilën e kam ndjekur me shumë interes por edhe me një lloj pasioni për arkeologjinë dhe Trashëgiminë Kulturore.

Ne kemi një Trashëgimi Kulturore të jashtëzakonshme, me vlera që dalin gjithmonë edhe më shumë në pah. Çdo moment që ne promovojmë një studim, një punim që ka të bëjë me një fushë specifike të Trashëgimisë Kulturore, siç janë mozaikët, është jo vetëm vlerësim, jo vetëm promovim për Trashëgiminë Kulturore shqiptare, por është njëkohësisht edhe një shkollë dhe një manual pune për studentët apo restauratorët e ardhshëm”. “Dua përgëzoj të dy autorët e këtij libri dhe të falenderoj Marie-Patricia Raynaud për ndihmesën e saj në botimin e këtij libri dhe kjo tregon në fakt se kultura nuk ka pasaportë. Kultura është vetë pasaporta më e mirë për komunikimin midis specialistëve, por edhe midis vendeve”, përfundoi në fjalën e saj Ministrja Kumbaro.


Gjithashtu, të pranishmit kishin mundësi të shikonin edhe një ekspozitë me foto të studimit të realizuar mbi mozaikët.