erion kristo

9 Gsht 2022
Nga Erion Kristo.
Mora vesh që tatimet do kontrollojnë mediat, sigurimet dhe universitetet për pagat. Atyre u duket se ka abuzime. Jemi dakord. Ta luftojmë abuzimin. Por përpara se të nxjerrim dhjamë nga pleshti, a mund të më thonë tatimet dhe qeveria: a keni nxjerrë përgjegjësitë tuaja si shtet për abuzimet me të ardhurat tona si në rastet e vjedhjes me TVSH?
Pra, ju që doni të na kontrolloni dhe ndëshkoni neve, a keni ndonjë lidhje me ligjin?
A më shpjegoni dot se si u lejua që një plakë në azil të kishte miliona euro të marra nga shteti? Nëse ju nuk bëni transparencë për mënyrën si i përdorni paratë tona, as unë nuk ju jap llogari fare se sa para fitoj. Llogaridhënie para llogarikërkimit. Kështu funksionon shteti. Përndryshe jeni nga ata hajdutët që hëm të vjedhin e hëm s’të lënë as të qash 5 minuta.
Tregoni ku i çuat paratë që ju kemi besuar! Dhe bëhet fjalë për qindra milionë euro. Ju thoni: paguaj ti, që të vjedhim ne. Dhe unë nuk pajtohem. Nuk paguaj asnjë qindarkë, se jeni të pabesueshëm.
Ju duket gjë e kollajtë të shkelni mbi gjakun dhe djersën tonë? Një njeri që punon jep kontribut të jashtëzakonshëm në këtë vend që është bërë si anije ku ka rënë murtaja, ku të gjithë duan të ikin. Dhe ju abuzoni pa turp fare. Të mbështetur dhe nga reforma në drejtësi që nuk ka kohë për ju. Kjo ju vë në pozicionin e gjakpirësit, të vampirit. Pra, jeni ju vampirët e vërtetë. Bëni ligje të drejta. Bëni transparencë të plotë. Ndëshkoni ata që harxhojnë paratë tona jashtë shtetit. Ata që bëjnë zyra madhështore. Që blejnë makina superiore.
Që na vjedhin me naftën. Jepni llogari! Pastaj kërkoni llogari!
P.S. Zoti Kryeministër! Ju e keni përmendur shpesh se do çoni abuzuesit me dorën tuaj në prokurori, po asnjëherë nuk e keni bërë. Niseni nga tatimet. Dhe uleni tatimin për intelektin se na shkatërruat fare.