Tjetër kryebashkiak i PS me të kaluar kriminale. PD: Qerim Ismailaj i dënuar në Greqi

08/01/2020

Pas Shkodrës, Vorës dhe Vaut të Dejës, Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë që të vetifikojë të kaluarën e Kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, specifikohet se kreu i Bashkisë ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Informacionet e PD-së, tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO”,-theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Sipas ligjit të dekriminalizimit pasqyrimi i të dhënave të pasakta dhe të pavërteta në Formularin e Vetëdeklarimit, përbën vepër penale dhe passjell skualifikimin e menjëhershëm të subjektit nga kandidimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funkisonit publik. Në këtë rast, sjell largimin e menjëhershëm nga detyra të Kryebashkiakut të Mallakastrës dhe ndjekjen e tij penale. Partia Demokratike e Shqipërisë, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, te largojë personat me te kaluar kriminale të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.

Qerim Ismailaj.

Vetë kreu i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, ka reaguar pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike, ku thotë se nuk është ndaluar nga Policia. ”Jam i hapur për çdo lloj verifikimi. Unë punoj si kryetar i Mallakastrës. Kam deklaruar formularin e dekriminalizimit. Nuk jam ndaluar asnjëhere nga policia Greke. Kam motrën në Greqi dhe ajo ka pasur disa probleme familjare. Isha para dy javësh atje”.

Ky është denoncimi i katërt i PD-së për kryebashkiakët e PS-së.

Gazeta Koha Jone