NERITAN CEKA: -Si u bë grek nga Ministria e Kultures, Tirane Butrinti i prasaibëve, kaonëve dhe epirotëve

06.01.20

Gazeta Shqiptare

(N. Ceka: -… në se Ministria e Kultures, Tirane mendon se epirotët ishin grekë, le ta dëshmojë, se vetë grekët nuk kanë arritur…).

Kanë qenë disa vërejtjet që profesor Neritan Ceka ka bërë mbi planin e menaxhimit të Butrintit. Pos intervistës për GSH, atyre në televizione dhe vetë atyre, që ju tha drejtpërdrejt, zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësuesve të AADF në takimin publik të mbajtur në Tiranë gjatë vitit të shkuar, Ceka i ka dërguar një letër zyrtare ministrisë, pjesë nga e cila në po botojmë sot. Prej 26 dhjetorit, plani i menaxhimit të Butrintit është online në kuadër të ‘konsultimit publik’, dhe mund të lexohet nga kushdo. Profesor Ceka thotë se nuk është e papritur mungesa e çdo reflektimi në Planin e Menaxhimit të Butrintit nga vërejtjet që u bënë në ditët e diskutimit. Duke u shprehur i gatshëm të pranojë pjesën kryesore të planit ai jep edhe njëherë mangësitë që gjykon si specialist i trashëgimisë.

Nga Prof. Neritan Ceka

Duke ju falënderuar për mundësinë që më dhatë që të shpreh pikëpamjet e mija për dokumentin “Plani i menaxhimit të integruar të Parkut të Butrintit”, të procedurave të realizimit të tij, si dhe perspektivën e zbatimit të atij plani, po ju përmbledh vlerësimin tim, të cilin pjesërisht ja kam kaluar edhe Fondacionit Amerikan Shqiptar. Plani paraqet një dokument të vlefshëm, të standardit bashkëkohor, që mund të shërbejë si një ‘vademecum’ për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit të paktën për dekadën e ardhshme. Si i tillë ka vlerën e një dokumenti paraprak, ende i pa papërfunduar për të qenë një instrument menaxhimi, sepse ka parashtruar çështjet KU dhe ÇFARË, por ka lënë pa trajtuar çështjet shumë të rëndësishme KUSH dhe SI? Pra, është një makinë e bukur, por pa motor (pavarësisht se ministres suaj nuk i pëlqejnë metaforat!)

KAPITULLI I MUNGUAR
Atij i mungon një kapitull i tërë ku duhet të ishte propozuar statusi fondacionit që merr përsipër menaxhimin; rregullorja e funksionimit të Fondacionit, marrëdhënia midis Fondacionit dhe shtetit shqiptar, struktura, kompetencat dhe rregullorja e funksionimit të stafit menaxhues të Parkut, profilet e punës së stafit drejtues, mënyra dhe kriteret e përzgjedhjes, e karrierës dhe e pagesës së tyre, rregullat e marrëdhënieve të stafit menaxhues me agjencitë dhe institucionet publike të angazhuara në mbrojtjen, restaurimin, kërkimin shkencor, promovimin e vlerave arkeologjike dhe ambientale të Parkut, si dhe me organet e pushtetit vendor, grupet e interesit, mediat, etj.
Ministria duhet të kërkojë plotësimin e këtij kapitulli, ku të përfshihet edhe drafti i kontratës midis MK dhe Fondacionit të ri, pastaj të marrë në dorëzim dokumentin, që në formën aktuale është ende një “histori suksesi” (ndjesë për metaforën!). Dokumenti duhet të parashikojë edhe dinamikën e zhvillimit të Fondacionit të ri dhe rrethit të veprimit të tij. Nëse përdorim teorinë e rrathëve, që parashtroi ministrja, kjo nuk do të funksionojë në se krijojmë nga një fondacion për çdo sit arkeologjik-ambiental, që mund të ishte Antigoneia, Oriku, Apollonia, Lezha apo Shkodra. Shembulli që do të ndiqej do të ishte ai i ‘British Heritage’, që është një charity, por me kontroll publik përmes emërimit nga Ministri i Kulturës dhe kontrollit ekonomik e profesional. Pra Fondacioni i ri mund të përfshijë në një shkallë të dytë, jo të largët Parkun e Finiqit dhe të Antigonesë, Syrin e Kaltër, Kështjellën dhe Gjirin e Porto Palermos (të shpallur sa më parë park kombëtar!) bashkë me tunelin e nëndetëseve, për të arritur një ditë deri në Shkodër, nëse koha do ta justifikojë. Përndryshe duhet të marrë statusin e ngjashëm të Parkut Bibracte në Francë, i cili funksionon si ‘sh.a’, apo atë të Parkut të Pompeit, që funksionon si sopraintendenza (ku përfshihen edhe Herculanum, Stabiae, etj) në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Faqja e parë e planit

BUTRINTI GREK?!

Duke paraqitur një dokument publik, studio duhet të kishte qenë e kujdesshme në paraqitjen e pjesës historike, që dominohet nga një megallomani anglosaksone (ndjesë për metaforën!), sipas së cilës Parku Arkeologjik i Butrintit është vepër e Fondacionit Butrinti që punoi atje në vitet 1993-2012, duke reduktuar në disa rreshta kontributin e misionit arkeologjik italian të drejtuar nga L. M. Ugolini dhe asistuar nga H. Ceka, që zbuloi pjesën kryesore të monumenteve, punën e arkeologëve shqiptarë të Institutit të Arkeologjisë D. Budina, S. Islami, S. Anamali, N. Ceka, K. Lako, Dh. Condi, B. Muka që drejtuan ekspeditat kërkimore nga 1958-2019, apo punën e historianëve të arkitekturës dhe restauratorëve të Institutit të Monumenteve K. Zheku, N. Ceka, Gj. Karaiskaj, A. Meksi, A. Baçe, që kanë punuar në Butrint gjatë së njëjtës periudhë. Personalisht kam drejtuar krijimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit në vitet 1969-1975, kur kam qenë punonjës i Institutit të Monumenteve dhe parku që kemi sot, me përjashtim të muzeut, është krijuar i gjithi në atë periudhë, që nga rrethimi, porta, rruginat e lëvizjes, restaurimi i skenës së teatrit, tempullit të Asklepit, termeve romake, nymfeut, etj. Po ashtu, kam drejtuar ekspeditën arkeologjike shqiptare-greke në vitet 1991-1992 dhe ekspeditën e Forumit në vitet 2004-2005. Ndërsa unë kam qenë autor i krijimit të parkut arkeologjik brenda rrethimit, i detyrohet A. Tares përfshirja në territorin e Parkut edhe të pjesës ambientale dhe vendosja e renxhersave, pa të cilën Parku arkeologjik sot do të ishte i rrethuar nga dhjetëra hotele, restorante dhe banesa. Është jo vetëm joetike, por krejtësisht megallomane mungesa e çdo referimi ndaj kontributeve shkencore e menaxheriale shqiptare për Butrintin në listën bibliografike, ku mund të gjesh citime si: Bescoby et ali, Shenjtë dhe mëkatarë (pa datë dhe vend botimi; al në vend të alii), apo Hernandez D. R; Mitchell, I.; Varrezat perëndimore: vrojtim arkeologjik i varreve romake përgjatë Kanalit të Vivarit, Butrint 4. Oxbow books (Pa datë! dhe përse shërben???), citime që nuk kanë të bëjnë aspak me përmbajtjen e dokumentit, por evidentojnë diletantizmin e hartuesve.

Diletantizmi dhe megallomania bëhen komprometuese për dokumentin veçanërisht për termat e përdorura kuturu, por me rrezikun e interpretimit politik. Butrinti dhe qytetërimi i tij cilësohen grek dhe romak, ndërkohë që Butrinti nuk është koloni helene si Apollonia, Dyrrahu dhe Oriku, që cilësohen nga autorët antikë dhe historia moderne si greke. Ato burime dhe mbishkrimet na dëshmojnë se është kryeqytet i prasaibëve, kaon dhe epirot (në se MK mendon se epirotët ishin grekë, le ta dëshmojë, se vetë grekët nuk kanë arritur). Po kaq diletante është përfshirja e të gjithë mureve antike të qytetit nën termin helenistik, që cilëson periudhën 335- 30 p. Kr., ndërkohë që në muret e Butrintit ka një periudhë arkaike të shek. VII p. Kr., klasike të shek. V p.Kr, klasike të vonë të fillimit të shek. IV p. Kr, ndërsa periudha helenistike ka vetëm dy rindërtime të kufizuara dhe nuk gjendet fare në akropol, ku e vendosin hartuesit e dokumentit. Kjo nuk është vetëm me rëndësi shkencore, por edhe për punën konkrete të vlerësimit turistik, konservimit e restaurimit, mbi bazën e teknikave të secilës periudhë (metaforikisht do të ishte sikur të vlerësoje një grua të bukur bionde si midis të tridhjetave dhe shtatëdhjetave!).

Arkeologu Neritan Ceka

PPP APO CILI STATUS?
Me rëndësi të veçantë është statusi i Fondacionit dhe i vetë Parkut, që mbetet krejt i paqartë. Të shkruash që do të jetë një aset publik, nuk thua asgjë, sepse nuk mund të imagjinohet privatizimi i një siti arkeologjik çfarëdo dhe jo pastaj i Butrintit. Nuk shpreh një koncept juridik as kur thuhet se nuk do të jetë as koncesion dhe as PPP. Për mua nuk duhen krijuar terminologji të reja ekuivoke, por të cilësohen ato që janë sot legale. Pra do të jetë një PPP në planin administrativ dhe teknik-shkencor, por jo të pronësisë, ku shteti ruan pronësinë, të drejtën e përfitimit ekonomik dhe teknik-shkencor, si dhe të kontrollit mbi mënyrën e menaxhimit mbi bazën e një kontrate të hollësishme, të përfshirë në kapitullin mungues të dokumentit. Personalisht jam për një fondacion krejtësisht publik, që drejtohet nga një bord profesional shqiptar dhe i huaj, krejtësisht autonom me kontroll financiar e profesional publik dhe me shtrirje të gjerë gjeografike nga Butrinti në Shkodër me parqe arkeologjike- ambientale. Në kushtet e sotme do ta pranoja me një kompromis të dhimbshëm mefistofelian, vetëm që të shoh MK sa më larg Butrintit dhe me shpresë të zotit nga gjithë trashëgimia kulturore e të njëjtit karakter.
Është e papranueshme që në këtë lloj të veçantë PPP presidenti i Bordit të Fondacionit të ri të jetë ex uficio ministri i Kulturës. Së pari sepse kjo do ta politizonte menjëherë iniciativën dhe do të hapte rrugën për pushtimin e stafit nga klientela partiake, por shtron edhe pyetjen përse ministri i kulturës dhe jo i shkencës, apo i ambientit? Arsyeja e parë do të mjaftonte për ta lënë presidentin në kompetencë të bordit, por me miratim (jo vetëm honorifik) të tre ministrave përkatës.

ZANAFILLA
Pjesa më e madhe e paqartësive, mungesave dhe gafave të mësipërme vijnë në radhë të parë nga ndërtimi i gabuar i fillimit të punës në marrëveshjen midis Ministrisë së Kulturës, Fondacionit Amerikan Shqiptar dhe studios angleze të ngarkuar me studimin. Shfaqja e parë në Muzeun Kombëtar, ku nuk u ftuan specialistët e Butrintit, nuk u pranua asnjë pyetje dhe diskutim, as nga A. Tare, të cilit ju mohua fjala, ka qenë vetëm shprehja e filozofisë arrogante dhe megallomane që karakterizon Ministrinë e Kulturës kundrejt intelektualëve shqiptarë dhe përulësisë ndaj të huajve. Edhe dy diskutimet e tjera, të afishuara në sitet e MK dhe IMK pasqyrojnë po këtë raport, kur pesë shqiptarë, plotësisht inkompetentë për çështjen, paraqiten të mrekulluar përpara një babloku anglez, po aq inkompetent sa ata. Në rastin e dytë, janë treguar edhe dy përfaqësues të Institutit të Arkeologjisë, profesor dhe asistent-profesor, të vendosur në fund të sallës, në gjysmerrësirë dhe të paraprirë nga persona anonimë për çështjen që trajtohet, pa tituj, grada shkencore, artikuj, apo libra. Është e natyrshme që babloku anglez të mendonte që kjo është Shqipëria dhe të përgatiste gjellën e përshtatshme për ta (edhe një herë ndjesë për metaforat!). Si rrjedhim, isha i detyruar që në atë takim, jashtë temës së ditës, por brenda kuadrit në të cilin duhet të zhvillohet ajo në të ardhmen, të parashtroja edhe vërejtje. Nëse duam që të ndryshojmë gjendjen në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, duhet të kthehemi tek koncepti i administrimit shkencor-teknik, përmes një agjencie të sanksionuar ligjërisht si e tillë. MK është e vetmja ministri në Shqipëri, që ka ruajtur atributet e menaxhimit direkt, tipike për periudhën komuniste. Parimi demokratik është që ministritë bëjnë politika, ndërsa menaxhimin direkt e bëjnë agjencitë e saj. Imagjinoni sikur drejtoritë e policisë, rrugëve, energjisë, etj., të menaxhoheshin direkt nga ministrat! Ndërkohë ministri i kulturës është ligjërisht menaxhuesi direkt i parqeve arkeologjike, muzeve, drejtorive rajonale dhe, natyrisht, i askujt (kush do të përgjigjej për një zjarr në muzeun e Apollonisë, apo në Butrint, largqoftë! Do mjaftonte dorëheqja?).