Zbardhet lista e biznesmenëve të lidhur me Ballukun që po hetohen nga SPAK, kontrolle në zyra, ambiente familjare…
17 Shkurt 2016
Zbardhet lista e biznesmenëve të lidhur me Ballukun që po hetohen nga SPAK, kontrolle në zyra, ambiente familjare, sekuestrime celularësh dhe dokumentacione, del lista me emrat e fuqishëm nga Salillari te Abazi dhe Sako, ja oligarkët që do të merren në pyetje
Prokuroria e Posaçme (SPAK) po ndjek ndaj klanit “Balluku” një strategji hetimore për ta futur në unazë (Rrethim), me qëllim goditjen jo vetëm subjektin e posaçëm Belinda Balluku, por edhe krasitjen e degëve të tjera të zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën dhe oligarkë që kanë përfituar fondet publike. Hetimet që SPAK, ka iniciuar ndaj zv/kryeministres, kanë përparuar në marrjen në pyetje të disa biznesmenëve të fuqishëm që kanë përfituar fondet publike përmes tenderave që kanë fituar në disa nga Lotet e ndërtimit të Unazës së Madhe.
Nisja e fazës së pyetjes së biznesmenëve është kryer menjëherë pas zhvillimit të kontrolleve në bizneset e tyre dhe sekuestrimin e aparateve telefonike, dokumenteve dhe pajisjeve të tjera kompjuterike. Shumë nga këto pajisje tashmë janë kqyrur dhe njëherësh janë çuar për ekspertim kompjuterik në laboratorin e ekspertizës kibernetike në SPAK. I pari që është thirrur për të dëshmuar është biznesmeni është Rrok Gjoka dhe Ram Geci, i cili u paraqit në SPAK javën e kaluar dhe u mor në pyetje nga një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ndërkohë radha për të marrë fletë-thirrjen nga SPAK është tek biznesmenët e tjerë, të cilët kanë zhvilluar bisedime apo dhe takime me ministren e Transportit dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Lista
Sipas gazetarit Elton Qyno, lista e biznesmenëve dhe zyrtarëve të ministrisë që do pyeten në SPAK është e gjatë, si Sindi Dushku, drejtoresha e Kabinetit të Ballukut, oligarku Sadik Ismailaj i “Alb-Star”, Pëllumb Salillari, biznesmeni Ilir Shtufi si dhe biznesmenët Gëzim Dani, Paqsor Buzi, Ylli Senka, Kujtim Arifaj e të tjerë mësohet të thiren në SPAK për të dëshmuar.
Sipas burimeve pranë prokurorisë së posaçme, emrat e tjerë të biznesmenëve që do thirren në ditët në vijim në SPAK janë Bledar Starova, Eduart Çohadari, Ardit Metaliaj, Iljan Metaliaj, Çuman Sejdiaj, Gramos Dalipi, Bledar Lloshi, Giovanni Pascale, Vladimir Pjetërgjokaj, Enea Kaçi, Basri Troci, Besmir Çako, Ervis Toska, Ergys Senka, Spartak Demiraj, Leonard Proko, Arbër Abazi dhe Artan Sako. Të gjithë këta persona, kanë përfituar tenderat tek ministria e Transporteve, që drejtohej nga Belinda Balluku. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria e posaçme, disa nga biznesmenët e mësipërm kanë marrë takim me ministren Balluku, me qëllim ndarjen e loteve që do fitonin për kryerjen e punimeve në ndërtimin e Unazës së Madhe.
Aktualisht asnjë nga biznesmenët nuk është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK, por zv/kryeministrja e pezulluar, Belinda Balluku, akuzohet nga SPAK për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si edhe për shkelje në 7 procedurat e lidhura me dosjen e Unazës së Madhe. Më 31 tetor, SPAK e mori zyrtarisht të pandehur Belinda Ballukun, ndërsa disa ditë më pas caktoi masën e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”, Pezullimit nga detyra dhe funksioni publik i Ministres së Transporteve dhe zv/kryeministres së vendit. Mirëpo për shkak të përplasjes me qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, SPAK më pas bëri një lëvizje të re, duke kërkuar në kuvend autorizimin për lejimin e arrestimit të Belinda Ballukut. Kjo kërkesë ende nuk marrë në shqyrtim për shkak se Komisioni i Mandateve, e ka shtyrë disa herë mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë së posaçme SPAK.

