Tensioni te “5 Maji”, banorët prangosin veten në derën e banesës dhe refuzojnë të largohen

Nga OraNews

19 Janar 2022

Shembja e banesave në zonën e “5 Majit” ditën e sotme, 19 janar u shoqërua me tensione të shumta dhe përplasje fizike mes banorëve dhe forcave të policisë.

Gazetari Edison Vatnikaj ndodhej në afërsi të shkollës “Ardian Klosi” ku përbri po prishen disa banesa të tjera.

Sot është projektuar të shemben 3 banesa, por nga njëra banesë nuk kanë dalë ende banorët të cilët thonë se nuk janë lajmëruar në kohë.

Në pamjet e siguruara nga Ora News shihet se banorët janë prangosur në derën e banesës dhe nuk lejojnë që policia mos i nxjerrë me forcë.

Policia po përpiqet që të negociojë me ta në mënyrë që të largohen, pro banorët e refuzojnë kategorikisht lirimin e banesave.

Banorët prej më shumë se 3 muajsh kanë refuzuar që të dalin nga shtëpitë e tyre pasi nuk kanë bërë ende një kontratë me bashkinë.

Nëse i hapet rrugë procesit të rindërtimit, sipas banorëve, qindra familje mbeten në qiell të hapur.

Ata kanë shprehur se vazhdimisht i kanë dërguar kërkesë bashkisë dhe institucioneve për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët, por Veliaj ka refuzuar të ulet dhe të bisedojë me ta.