Shembja e banesave tek “5 Maji”. –  Banorët përplasen fizikisht me policinë: Nuk preken femrat me dorë, a doni luftë?

19 JANAR 2022

Tiranë- Forca të shumta policie kanë rrethuar mëngjesin e sotëm zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë pasi disa qytetarë po protestojnë kundër prishjes së banesave të tyre. Siç shihet dhe në pamjet e siguruara nga Gazeta Shqip, banorët e zonës i kanë zënë rrugën fadromave të IKMT-së për të bllokuar procesin e shembjeve në kuadër të procesit të rindërtimit

Shembja e banesave te “5 Maji” është shoqëruar me tensione mes forcave të policisë dhe  banorëve të cilët po përpiqeshin të çanin kordonin e policisë.

Banorët në përpjekje për të ndaluar shembjen e shtëpive, janë përplasur fizikisht me forcat e policisë.

“Njoftimi ishte në orën 10:00. A mund të na thotë zoti Veliaj sot se ku i çon këto familje sot? Të na japë përgjigje përmes televizionit se ne nuk ka takon dot.”

“Nuk preken femrat me dorë. Ik andej,” thotë një zonjë.

“Mos bëni dhunë me banorët se do ju dalë keq,” dëgjohet të thotë një banor tjetër.

“A doni luftë ju? Mos na shtyni, te shiriti do shkojmë,” thotë një banor tjetër.

Gazeta Shqip