18 Prill 2024

Këshilltari për Cështjet Ekonomike në PD dhe njëkohësisht NënKryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti, i bën thirrje qytetarëve dhe familjeve të pastreha të Kryeqytetit, të protestojnë kundër braktisjes, vjedhjeve dhe abuzimeve të parave të buxhetit, nesër e premte në orën 11.00 para Bashkisë Tiranë.

Teliti shkruan se taksa 30 milionë euro e korrupsionit 5D kushton sa ndërtimi i 1200 banesave sociale.

Postimi i Telitit:

Taksa 30 milione euro e korrupsionit 5D kushton sa ndërtimi i 1200 banesave sociale.

Janë me mijëra familje të cilat presin strehimin e premtuar por kurrë të realizuar.

Janë me mijëra fëmijë të cilët mësimet e tyre i bëjnë në kushte skandaloze, në të ftohtë apo edhe duke u pikuar uji i shiut nga tavani mbi librat dhe fletoret e tyre të shkollës.

Janë me mijëra të moshuar, jeta e të cilëve shkurtohet cdo ditë e më shumë sepse jetojnë në kushte jashtë cdo standarti normal jeteseje.

Janë me mijëra ciftet e reja të cilat nuk guxojnë dot të nisin një jetesë bashkëshortore, sepse nuk kanë as lekët për të paguar qiratë e rritura ndjeshëm këto vite, e jo më të blejnë shtëpi.

Dhe kjo sepse ekipi drejtues i Bashkisë së Tiranës, në vend që të mendonte të ndërtonte banesa sociale për shtresat që kanë nevojë, mendonte si e si të gllabëronte miliona e miliona euro me procedura të sajuara e të kopsitura që në fillesë.

Nëse s’do kishim 5D që gllabëronte 30 milionë euro, me ato para do mund të ndërtonim plot 1200 apartamente për nevojtarët e qytetit tonë.

Ndaj, i bëj thirrje cdokujt, të strehë apo të pastrehë të Kryeqytetit tonë, ngrihuni dhe reagoni. Bashkë të gjithë, nesër ora 11.00, para Bashkisë Tiranë për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e Kryebashkiakut që nuk di se c’janë banesat sociale e nevojat e qytetit e qytetarëve.

Nga OraNews