21 Shkurt 2024

Kryetari i PD-së Sali Berisha u ndal sot tek protesta e një ditë më parë, që sipas tij u faktua se familja demokrate është më e madhja, më e bashkuara, më e fortë se kurrë sot.

Berisha kishte një kërkesë për demokratët, duke u shprehur se  uragani i protestës të mos shihet si një arritje, por si një start, si një pikënisje.

Berisha po vuan arrestin e shtëpisë prej 30 dhjetorit, ndërsa nga ballkoni bëri thirrje për krijimi e një qeverie teknike, pasi siç u shpreh ai me Ramën nuk ka zgjedhje.

“Nuk ka më kohë për të humbur, o sot o kurrë, ti futemi punës, shqiptarët na besojnë dhe na mbështesin, mosbindja civile do të vazhdojë. Shqipëria do të kthehet në normalitet vetëm kur Rama të iki, kur të krijohet qeveri teknike, të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Berisha.

Sali Berisha theksoi se ka ardhur koha që të trokasin në shtëpitë e shqiptarëve. Sipas Berishës, programi i ri dhe misioni i PD-së do të jetë që të investojnë tek shqiptarët.

“Është koha që njerëzisht të trokasim në shtëpitë e tyre, vatrat dhe zemrat e tyre, të tregojmë se opozita është në këmbë, të ju kërkojmë të mos ikin nga Shqipëria dhe ti japin Shqipërisë një shans.

Tu tregojmë se në programin e ri të PD-së misioni ynë do të jetë që të investojmë tek ata, tek  shqiptarët.

Duke i dhënë qytetarit shqiptar gjithçka esenciale që ka sot një qytetar europian me pikënisje më kryesore, më të parë, më urgjente, minimumin jetik, dyfishimin  e pagave, dyfishimin e pensioneve”, tha Berisha.

Pjese nga fjala e Berishes

Familja demokrate ka përfunduar reflektimin e saj, ka nxjerrë mësime nga opozita e saj e gjatë.

Ka gati projektin për shpëtimin e Shqipërisë dhe asgjë nuk e ndalon dot atë për ardhjen në pushtet.

Sepse ne jemi shpresa e vetme që po ruajmë pluralizmin, se jemi të vetmit që po qëndrojmë për traditën dhe dinjitetin e popullit shqiptar.

Sepse jemi i vetmi pushtet që nuk jemi korruptuar nga Edi Rama dhe po zbërthejmë gjithmonë e më shumë aferat e tij të tmerrshme.

Një vjedhës i papërmbajtur, një diktatoruc i ulët, këto na bëjnë neve shumicë, na bëjnë neve një rrezik të madh për regjimin.

Këto na bëjnë neve fitues të sigurtë.

Sollëm si fillim, shpresën tek rruga e shpresës. Dje shpresa, solli besimin. Nesër besimi do të sjellë fitoren.

Fitore, fitore, fitore.

Të dashur miq!

Kam vetëm një kërkesë për ju, për të gjithë ata që dje firmosën me uraganin e tyre fatin e Shqipërisë.

Uraganin e djeshëm të mos e shohim si një arritje, por si një start, si një pikënisje.

Nuk ka më sulm që na zmbraps ne.

Nuk ka më kohë për të humbur, o sot o kurrë, ti futemi punës, shqiptarët na besojnë dhe na mbështesin, mosbindja civile do të vazhdojë. Shqipëria do të kthehet në normalitet vetëm kur Rama të iki, kur të krijohet qeveri teknike, të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Dhe ja këtu po i them.

Hiç nga mendja skenat e Vuçiçit se po të jap fjalën e nderit, se nëse guxon të aplikosh një skenë të atillë, atë që ka pësuar babai yt shpirtëror rrugëve, do ta pësosh ti për së gjalli.

Mos luaj me lirinë e shqiptarëve.

Mos luaj me votën e tyre.

Armik.

Qeveri teknike, me ty nuk ka zgjedhje.

Ne jemi për zgjedhje, qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne jemi luftëtarë të votës së lirë.

Gazeta Panorama