Sukses: – Safet Gjici tejkalon Ramën, ‘hap’ 701 mijë vende pune vetëm në Kukës. Ka dhe fjalë të tjera te padëshifrueshme.

29 MARS 2021

Në vitin 2013, një prej premtimeve më të mëdha të kryeministrit Edi Rama, ishte hapja e 300 mijë vendeve të punës.

Por kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, duke se e ka tejkaluar objektivin e kryeministrit, pasi thotë se do hapen 701 mijë vende pune vetëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit, i cili pritet të jetë funksional brenda këtij muaji.

Gjatë një takimi elektoral para mbështetësve të PS, Gjici flet për 701 mijë vende pune në aeroportin e Kukësit. Sigurisht një lapsus i tij, por aq i bindur është kryebashkiaku sa e thekson disa herë faktin që do hapen 701 mijë vende punë.

“701 mijë vende pune, të punësuar vetëm brenda aeroportit. Zjarrfikës, sanitare, doganier, komisariati i policisë që do jetë brenda aeroportit, pra janë gjithësej 701 mijë veta të punësuar brenda aeroportit.”, deklaron Gjici, ndërsa një pjesë e fjalëve të tij janë të padëshifrueshme.

Gazeta Shqip