4 Tetor 2026

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan këtë të shtunë, 3 tetor, në qytete të ndryshme të Spanjës, duke kërkuar strehim më të përballueshëm dhe masa për të mbrojtur qiramarrësit.

Protestat u zhvilluan një ditë pasi parlamenti spanjoll rrëzoi me një diferencë të ngushtë dy projektligje emergjente që synonin të ndihmonin qiramarrësit dhe të parandalonin dëbimet nga banesat.

Demonstratat janë pjesë e një vale protestash që ka nisur prej rreth një jave, pas dëbimit nga banesa në Madrid të një gruaje 87-vjeçare, Maricarmen Abascalin. Ngjarja shkaktoi zemërim dhe riktheu në vëmendje krizën e strehimit në Spanjë, ku çmimet e banesave dhe qirave janë bërë gjithnjë e më të papërballueshme.

“Po tregon se jemi ne, njerëzit, që duhet të përshtatemi me partitë politike dhe jo politikanët me atë që duan njerëzit. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu”, tha për Reuters një protestuese 26-vjeçare në Madrid.

Valeria Racu, një nga zëdhënëset e Unionit të Qiramarrësve, që organizoi protestën, tha se lëvizja ka sjellë një energji të re në rrugët e vendit.

“Po ndiejmë një energji të re që nuk e kemi parë prej kohësh”, tha ajo.

Protesta në dhjetëra qytete

Në Madrid, policia vlerësoi se rreth 70 mijë persona morën pjesë në protestë, ndërsa organizatorët thanë se numri ishte rreth 500 mijë.

Protesta u zhvilluan edhe në rreth 50 qytete të tjera të Spanjës.

Në Valencia, në lindje të vendit, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve. Dhjetëra demonstrues kishin hyrë në “Qytetin e Arteve dhe Shkencave”, një nga monumentet më të njohura të qytetit, por u nxorën prej andej nga policia.

Çfarë pritet të ndodhë me qeverinë?

Masat e propozuara nga kryeministri Pedro Sanchez përfshinin rinovimin automatik të kontratave të qirasë dhe kufizime për dëbimin e qiramarrësve në situata të cenueshme.

Por projektligjet u rrëzuan të premten nga partitë opozitare, duke rritur zemërimin e protestuesve që prej ditësh kundërshtojnë krizën e strehimit.

“Po kërkojmë një të drejtë themelore: një banesë dinjitoze, stabilitet dhe kushte që na lejojnë të ndërtojmë një jetë normale”, tha për AFP një tjetër protestues 31-vjeçar në Madrid.

Mediat spanjolle raportuan se Sanchez mund të shpallë zgjedhje të parakohshme në nëntor, pas dështimit të projektligjeve. Sipas raportimeve, qeveria do të ndjekë me vëmendje protestat përpara se të marrë një vendim.