‘Sondazhet nuk më shqetësojnë fare’, – Kryemadhi tregon kush janë dy qytetet që do të sjellin humbjen kryeministrit Rama

15 PRILL 2021

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi mbrëmjen e sotme se Shkodra dhe Vlora do të sjellin përmbysjen spektakolare të shumë gjerave.

E ftuar në ‘Real Story’, Kryemadhi tha se në Shkodër, LSI do të marrë 2.5 mandate, ndërsa shtoi se Vlora dhe Shkodra do të sjellin humbjen e rilindjes në 25 prill.
Ajo foli edhe për një diversion që tentoi të bënte sot kryeministri Edi Rama, pasi kishte kërkuar që të ndalonte për një kafe në një prej hoteleve që kandidon për LSI në Shkodër, siç është Agron Çela.

“Sondazhet fare nuk më shqetësojnë, pasi qoftë Vlora dhe Shkodra, rezultatet do të jenë…të paktën në Shkodër do të jetë dyfishuese. 2.5 mandate. Është si puna e garës që është si ai 100 metërshi i fundit që kërkon përgatitje mendore. Gjithë liderët e saj të fokusohen drejt objektivit. Sondazhet e 10 ditëve të fundit nuk tregojnë realisht se çfarë ndodh, por mund të tregojnë sjellje ndaj diçkaje që ndodh momentale. Ajo që është më rëndësi është se ne si LSI, që kur u miratua Kodi Zgjedhor që do të ishim në listë më vete, ndaj kemi nisur përgatitjet që në korrik-gusht. Për shpërndarjen e kandidatëve sipas zonave që kanë influencën apo atje ku kanë jetuar. Nga ana tjetër dua të theksoj se realitet tjetër është në Vlorë. Këto qarqe i sjellin humbjet rilindjes, por që do të bëjmë përmbysjen spektakolare të shumë gjerave. Sot e bëmë gati me strukturat e Shkodrës, pasi zoti Rama donte të shkonte në një nga pronat e zotit Agron Çela. Ai donte të shkonte të pinte kafe atje. Ne njoftuam mediat dhe i thamë se Çela ishte në Shirokë. Ashtu siç ka bërë diversione në çdo qark të Shqipërisë, si në Durrës, në Elbasan, në Korçë dhe në Vlorë. Situata e Vlorës është e qartë si kristali.”, tha Kryemadhi.

Gazeta Sot