27 Dhjetor 2023

Vazhdojnë sulmet e hackerave ndaj faqeve të institucioneve shqiptare. Këtë herë nën sulmin e tyre kanë ranë faqja e KLSH-së, Tatimeve dhe ILDPI-së.

Përmes një njofitmi AKSHI- pohoi se gjendemi nën sulme masive duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike, por siguron se situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë.

Parlamenti i Shqipërisë njoftoi të martën se kishte pësuar një sulm kibernetik, gjatë të cilit hakerët ishin përpjekur të ndërhynin tek të dhënat dhe t’i fshinin ato, duke ndalur kështu përkohësisht punën e këtij institucioni. Deklarata njofton se sulmi kibernetik i së hënës nuk arriti të prekë të dhënat e sistemit dhe se ekspertët po punonin për të zbuluar pasojat e mundshme të sulmit, ndërsa shërbimet do të rifuteshin në funksionim më vonë.

Mediat vendase raportuan se ishte sulmuar edhe kompania e telefonisë celulare ONE dhe kompania ajrore Air Albania nga sulmet kibernetike të së hënës të bëra nga një grup hakerësh iranianë, të mbiquajtur “Drejtësi për Atdheun”, informacion që nuk u arrit të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Shqipëria pësoi një tjetër sulm kibernetik në korrik 2022, për të cilin qeveria dhe kompanitë shumëkombëshe të teknologjisë fajësuan Ministrinë e Jashtme iraniane. Sulmi mendohej se ndodhi si kundërpërgjigje ndaj strehimit në Shqipëri të grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq (MEK) dhe shkaktoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dy muaj më vonë.

Ministria e Jashtme e Iranit mohoi që Teherani të ketë orkestruar sulmin ndaj faqeve në internet të qeverisë shqiptare dhe vuri në dukje se Irani ka pësuar sulme kibernetike nga grupi MEK.

Në qershor, autoritetet shqiptare bën kontroll në kampin e anëtarëve në azil të grupit MEK, për të sekuestruar pajisjet kompjuterike që mendohej se kishin lidhje me aktivitete të ndaluara politike.

Që nga viti 2013, gati 2500 azilantë iranianë strehohen në Shqipëri, ku nuk duhet të angazhohen në aktivitete politike dhe duhen të zbatojnë ligjet e vendit. Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian mbështetën Shqipërinë, vendin aleat në NATO, gjatë kësaj mosmarrëveshjeje.

Pohimi i AKSHI-t:

Informojmë opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike. Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Theksojmë se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.

Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.

Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale. Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti.

Nga OraNews