27 Prill 2024

Studiuesja Bleriana Bino, e ftuar në një emision televiziv, tha se Shqipëria është prej kohësh në një demokraci Hibride.

Madje ajo shtoi se sipas studimit të Freedom House, demokracia hibride në Shqipëri është edhe ciklike, pra po qëndron në vend, ndërsa shtoi se ka tendencë të ktheht në autokratike, pasi edhe pse ka shumë ligje dhe instrumente ligjore, në zbatueshmëri, këto cedojnë.

“Nuk janë larg të vërtetës, u përmend Freedom Huse por edhe të gjitha raportet e tjera ndërkombëtare por edhe vendase, të cilat prej vitesh kanë vënë në pah problemin. Ne prej vitesh vazhdojmë të jemi një demokraci hibride. Freedom House vitin e kaluar e cilësoi demokraci hibride ciklike, që po qëndrojmë në vend dhe një shkallë larg nga të qenurit autokratike.

Kjo do të thotë një vend që drejtohet nga një njeri shumë i pushtetshëm pa marrë parasysh ekzistencën e instrumenteve të tjerë për të vendosur kontrollin dhe balancën. Formalisht kemi instrumente, ligje, por praktikisht zbatueshmëria dhe problemet me kapjen e shtetit, me korrupsionin me mosfunksionimin e konsultimit publik, me llogaridhënie të dobët e të tjera me radhë janë probleme shumë të mëdha”,-tha studiuesja Bino.

Gazeta Sot