Platoni

2 Shkurt 2026

Platoni, në dialogun “Phaedrus”, na dhuron një nga shpërfaqjet më të fuqishme të mendimit filozofik, karrocieri dhe dy kuajt. Kjo metaforë është një pasqyrë e shpirtit tripjesësh të njeriut, një strukturë që përmbledh tensionin e përhershëm mes arsyes, ndjenjës dhe dëshirës. Ajo nuk është thjesht një alegori morale, por një vizion ontologjik mbi njeriun dhe fatin e tij.

Logistikon – Arsyeja (Karrocieri).

Arsyeja është pjesa hyjnore e shpirtit, e lidhur me botën e ideve dhe të vërtetës së përjetshme.

Karrocieri mban frerët, duke u përpjekur të drejtojë forcat e brendshme drejt një horizonti më të lartë.

Kësisoj, Platoni e sheh arsyen si udhëheqëse të shpirtit, jo si tirane, por si orientuese që e çon njeriun drejt harmonisë dhe drejtësisë.

Në planin filozofik, arsyeja është logos-i që i jep kuptim ekzistencës dhe e lidh njeriun me kozmosin.

Vijmë te “Thymos” – Shpirti i bardhë (Kali fisnik).

“Thymos” është forca morale dhe emocionale, guximi, nderi, zemërimi i drejtë.

Ky kalë është i bindur ndaj arsyes, sepse e njeh autoritetin e saj.

Nëse arsyeja është drita, “thymos” është zjarri i brendshëm që e mban njeriun gjallë, i jep energji për të luftuar për të drejtën dhe për të bukurën.

Në prizmin filozofik, “thymos” është dimensioni etik i shpirtit: ai që e shtyn njeriun të mos dorëzohet përballë padrejtësisë, të kërkojë lavdinë e virtytit dhe të ruajë dinjitetin.

Fokusohemi ndërkohë te “Epithymetikon” – Dëshira (Kali i Zi).

Ky është instinkti trupor, uria, epshi, pasioni i pakontrolluar.

Platoni nuk e mohon nevojën e tij, pa dëshirë nuk ka jetë, nuk ka shtysë për të ekzistuar, nuk ka motivim për të shtytur tej caqet.

Por kur ai merr drejtimin, njeriu bie në skllavëri, bëhet i robëruar nga pasionet dhe humbet lirinë e brendshme.

Në aspektin filozofik, ky është dimensioni material i shpirtit, që kërkon kënaqësi të menjëhershme dhe e tërheq njeriun poshtë, drejt tokës.

Drejtësia, sipas Platonit, nuk është thjesht një ligj i jashtëm, por gjendja e brendshme e shpirtit kur secila pjesë është në vendin e vet.

Karrocieri (arsyeja) duhet të bashkëpunojë me kalin e bardhë (thymos) për të zbutur dhe drejtuar kalin e zi (dëshirat).

Kjo është sipas Platonit simfonia e shpirtit, arsyeja udhëheq, thymos e mbështet, dëshira zbutet dhe kanalizohet.

Nëse kjo harmoni prishet, njeriu humbet ekuilibrin dhe bie në kaos.

Metafora e karrocës është një ikonë e jetës së arsyeshme, të kuptosh ç’është e drejtë, funksioni i arsyes.

Të ndjesh ç’është e bukur, funksioni i thymos-it. Të dëshirosh ç’është e mirë, sublimimi i epithymetikon-it.

Platoni na mëson se liria e vërtetë nuk është mungesa e dëshirave, por aftësia për t’i drejtuar ato drejt së mirës.

Ky është një vizion teleologjik, sipas të cilit njeriu është i thirrur të ngjitet drejt botës së ideve, drejt së bukurës absolute, drejt së mirës së përjetshme.

Platoni

Metafora e karrocës është një drama e brendshme, beteja mes qiellit dhe tokës, mes hyjnores dhe materies, mes virtytit dhe pasionit.

Në tashmëri, kjo metaforë mbetet aktuale, duke cilësuar Arsyen si mendja kritike dhe kërkimi i së vërtetës, Thymos-in si pasioni për drejtësi, dinjitet dhe identitet dhe Epithymetikon është konsumizmi, instinkti i shpejtë, dëshira për pushtet dhe kënaqësi.

Harmonia e shpirtit është sfida e përjetshme e njeriut, të mos lejojë që kali i zi ta rrëzojë, por të udhëtojë drejt dritës me ndihmën e kalit të bardhë.

Në fund, metafora e karrocës është një udhërrëfyes i përjetshëm, ajo na kujton se njeriu është një qenie e ndarë mes qiellit dhe tokës, dhe se arti i jetës është të mbajmë frenat fort, duke e drejtuar shpirtin tonë drejt së vërtetës, së bukurës dhe së mirës.

Përgatiti: Albert Vataj