Engjell Agaci

23 Dhjetor 2025

Emri i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi po përflitet së fundmi në qarqe politike dhe mediatike si një nga personat që ndodhen nën vëmendjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimit të aferave me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Burime jozyrtare flasin për një intensifikim të interesit të organit të akuzës ndaj një tenderi sekret, ku po verifikohen lidhjet, vendimmarrjet dhe përfitimet e mundshme të paligjshme të Agaçit, por edhe për një transaksion që lidhet me inceneratorët.

Ndërkohë, Agaçi është parë dje në zonën e Bllokut në kryeqytet, në shoqërinë e familjes së tij, ndërsa sot në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, këtë herë i shoqëruar nga disa persona që besohet se ishin badigardë.

Lëvizjet e tij në publik kanë tërhequr vëmendje, duke shtuar spekulimet në këtë klimë të tensionuar, ku çdo emër i lidhur me tendera publikë dhe teknologjinë e shtetit po shihet me lupë nga drejtësia e re.

Në tetor 2022, por edhe në maj të vitit 2024 Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi u thirr dhe u pyet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Herën e dytë ai deklaroi se ishte thirrur si person që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës.