Seit Mansaku: E dhimbshme djegia dhe përmbytja e Bibliotekës Kombëtare, institucionet të ngrihen në këmbë…

12/07/2018

Shteti duhet të kthejë vëmendjen në institucionet e librit, pasi dëmtimi i librave është humbje e kulturës. Për problemin e Bibliotekës Kombëtare gjuhëtari i njohur prof. dr. Seit Mansaku tregon se është pasuri kombëtare dhe duhet të merren masa urgjente që mos të përsëriten më dëme të tilla as nga zjarri apo dhe uji, pasi disa ditë më parë u përmbyt. Në intervistën për “SOT” prof. dr. Mansaku tregon se një gjendje e tillë më parë nuk ishte parë në Bibliotekën Kombëtare dhe shprehet se Ministria e Kulturës duhet të jetë më pranë këtij institucioni që ai e quan dhe vend të shenjtë. Në intervistën e tij prof. dr. Seit Mansaku flet dhe për problemin me librin dhe fushën e botimeve. Ai shprehet se nëse pohohet se leximi ka rënë, nga ana tjetër duhet që të mendohet me më vëmendje që të botohen ata autorë që kanë vlera.

-Si po kalojnë ditët, ku është fokusuar puna juaj?

Sapo kam mbaruar një cikël leksionesh master shkencor, që kisha me studentët në Fakultetin e Histori -Filologjisë dega e Gjuhës Shqipe. Unë kam atje lëndën gjuha shqipe dhe gjuhësia historiko krahasuese, studimet që janë bërë për gjuhën shqipe në kuadrin e studimeve të gjuhësisë historiko krahasuese evropiane. Përfshirja e shqipes në këto studime së pari nga gjuhëtarë të huaj si gjermanë kryesisht, austriakë, pastaj dhe përfshirja e studiuesve shqiptarë në drejtimin e gjuhësisë historiko krahasuese. Arbëreshi Dhimitër Kamarda është i pari që ka bërë një gramatikë krahasuar të gjuhës shqipe që në vitin 1866. Pra që në atë kohë kur filloi gjuhësia historiko krahasuese edhe në vendet e Europës. Është një libër me mjaft vlerë, sepse shënon fillimet e historisë së gjuhësisë krahasuese nga vetë shqiptarët. Por dhe Kostandin Kristoforidhi ka kontribut në fushën e etimologjisë. Eqerem Çabej gjithashtu ka bërë një shkrim të veçantë për etimologjitë e Kristoforidhit dhe vlerëson ato etimologji, që kanë mundur ti qëndrojnë të vërtetës shkencore deri në ditët e sotme. Përfshij këtu dhe Samir Frashërin me veprën “Gjuha”, e cila ka elementët shumë të rëndësishme të një gjuhësie të përgjithshme me elementët e gjuhësisë evropiane dhe është me vlerë. Unë mbarova këtë kurs leksionesh, dhe studentët dhanë dhe provimin përkatës. Më vjen shumë mirë që kishin mësuar. Unë nuk kam shumë studentë, por ata që ishin kanë qenë të rregullt. Vinin në leksione dhe dëgjonin me vëmendje dhe kjo u pasqyrua dhe në provimin që dhanë. Edhe studentët mbetën të kënaqur, por dhe unë gjithashtu. Tani që kam mbaruar leksionet po vijoj punën me shkrimet e mia, po i rishikoj dhe plotësoj, pasi kam dëshirë ti botoj në një vëllim të veçantë. Lexoj mjaft dhe më pëlqen kjo. Madje e them shpesh që sa kohë të kem dëshirën për të lexuar e ndjej veten shumë mirë. Keq do ta ndjeja veten atëherë kur nuk do të kem mundësi të lexoj për arsye nga më të ndryshme. Unë kështu e mbaj veten gjallë shumë mirë duke lexuar, libra shkencorë të fushës sime, por dhe letërsi artistike apo filozofike.

-Leximi i librave pohohet se ka rënë, si është kjo situatë për ju?

Tani është dhe shprehja më shumë shkrimtarë se sa lexues. Por sot edhe botojnë shumë libra. Mendoj që botuesit duhet të dinë të përzgjedhin autorët për të botuar. Midis botimeve të zgjedhësh atë që është libër i mirë, kjo varet dhe nga fusha, autorët etj. Nëse janë libra të autorëve të afirmuar mirë e blen librin pa merak dhe lexohet. Nëse shikon në librari një libër të Umberto Ecos e merr pa frikë për ta lexuar apo dhe të tjerë si të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, etj. Te librat me autorë të panjohur është pak vështirë dhe do ti shikosh me rezervë, por dhe ata duhen lexuar, sepse nëse nuk i merr nuk mund të bësh seleksionimin pa i njohur.

-Sa ka qenë shqetësuese për ju përmbytja, që ndodhi para disa ditësh në Bibliotekën Kombëtare. Sa dëmtime sjell për librat?

Biblioteka Kombëtare për ne është si një vend i shenjtë. Aty kemi filluar të lexojmë librat shkencorë në fillim, tituj nga ata që nuk mund ti gjenim në librari. Ne shkonim në bibliotekë çdo ditë. Pas pune shkonim në shtëpi, hanim drekën dhe merrnim çantën dhe shkonim në Bibliotekën Kombëtare dhe rrinim deri vonë sa mbyllej. E kemi pasuri të madhe kombëtare, e pazëvendësueshme, të merren masa urgjente. Për ne është një institucion shumë i rëndësishëm dhe kështu duhet të shikohet nga e gjithë shoqëria, si dhe nga shteti. Duhet konsideruar si një nga institucionet me shumë rëndësi. Por kur dëgjoj tani që u dogjën librat, më pas u përmbyt dhe u lagën librat, më ther në shpirt sepse më dhimbset ajo pasuri kulturore. Mua më shqetëson fakti si është e mundur të lejohet një gjendje e tillë, që është vendi ku ruhen dhe mbrohen librat dhe ndodhin këto. Të gjithë institucionet që kanë të bëjnë me këtë duhet të ngrihen në këmbë dhe të gjenden shkaqet për ta ndrequr këtë që po ndodh me Bibliotekën Kombëtare që është kaq e rëndë për kulturën. Unë nuk i di arsyet pse ka ndodhur kjo, dhe nuk mund të them kush është përgjegjës, por ama është përgjegjësi e madhe e shtetit që të lihet në atë gjendje biblioteka.

-Ka ndodhur më parë që zjarri apo uji të krijojnë dëme në Bibliotekën Kombëtare?

Unë nuk e di që të ketë ndodhur. Është një gjë e jashtëzakonshme të dëmtohen librat në Bibliotekën Kombëtare. Gjithmonë është thënë, që nuk ka ambiente të mjaftueshme, që nuk ka hapësira për librat, dhe për mendimin tim një pjesë e mirë e librave duhet të jenë të ekspozuara. Të kemi biblioteka të hapura që studiuesi kur hyn ta marrë vetë librin në rafte dhe kur të mbarojë punë ta dorëzojë. Por tek ne libri është i mbyllur, duhet ta kërkosh patjetër në sportel dhe të shkojë punonjësja ta gjejë dhe ta sjellë. Unë personalisht apo kolegë të mi nuk kemi pasur pengesë për librat asnjëherë, madje punonjësit atje na kanë ndihmuar shumë si dhe respektuar. Por në përgjithësi me sa kemi parë dhe jashtë bibliotekat janë të hapura, një pjesë e mirë e fondeve me libra janë të aty. Ndërsa fondet e rralla dhe dorëshkrimet jepen me autorizim të veçantë, por librat duhet të jenë më pranë lexuesit.

-Pas njoftimit të parë që do qëndronte mbyllur deri më datë 30 qershor pas përmbytjes, Biblioteka Kombëtare më pas njoftonte se kjo do vijonte, por pa caktuar afat. Sa shqetësuese është kjo?

Mbyllja e Bibliotekës Kombëtare është shumë problem, ka studiues, studentët që vijnë aty dhe për t’u konsultuar, për të mbaruar tezat sepse kanë dhe tezat e diplomës dhe masterit, dhe kjo i pengon. Unë si njoh arsyet, por mendoj që kanë qenë të detyruar për ta mbyllur Bibliotekën Kombëtare. Por çdo gjë që po ndodh në bibliotekë duhet të jetë transparente, duhen sqaruar dhe lexuesit edhe ata që shkojnë të punojnë në bibliotekë. Të dinë arsyet se çfarë po ndodh.

-Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare ka pohuar se institucioni nuk është në standardet e duhura dhe se duhet një bibliotekë e re e Tiranës. Sa bashkoheni dhe çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës?

Drejtoresha e bibliotekës e njeh mirë gjendjen dhe mendoj se ka të drejtë. Realiste në ato që thotë ajo sepse nuk ka interesa të tjera veçse të mirëmbajtjes së librit. Degradimi i godinës së Bibliotekës Kombëtare ka ardhur shkallë- shkallë në vite. Besoj që ministria e njeh gjendjen, por ka munguar investimi për godinën. Unë shpresoj që Ministria e Kulturës do të përpiqet dhe do marrë masat e duhura. Ministria duhet të përpiqet që të ndryshojë gjendjen e vështirë të Bibliotekës Kombëtare, që të mos të mbetet siç është, por të jetë vend ku ruhet libri dhe pasurohet fondi i librave. Nëse ka ambiente të bibliotekës që siç shikojmë janë të zëna unë besoj se duhet të lirohen, të jenë në dispozicion të saj. Unë nuk e di gjendjen se si administrohen ambientet, por duhet menduar me shumë përgjegjësi për bibliotekën. Me të drejtë drejtoresha është shprehur që duhet menduar ndërtimi i një biblioteke të re për Tiranën. Ajo është Bibliotekë Kombëtare dhe të ketë dhe një bibliotekë Tirana, madje duhet të aktivizohen dhe bibliotekat e lagjeve si dukur. Se di sa funksionojnë sot, por duhet vëmendje. Nëse ndodh kjo edhe Biblioteka Kombëtare lehtësohet nga shërbimet dhe iu shërben atyre studiuesve, që kanë nevojë tamam për të punuar aty. Libri duhet të vlerësohet më shumë. Sa më shumë biblioteka dhe me kushtet e duhura aq më mirë është për ne.

-Sipas jush, sa po bëhet për librin?

Ne jemi një vend me shumë nevoja ekonomike dhe financiare dhe ndonjëherë këto problemet e kulturës vijnë në plan të dytë para të tjerave. Por ata që drejtojnë, qeveria duhet të ketë parasysh që secila ka vlerën dhe vendin e vet. E rëndësishme është që fondet që i përkasin kulturës ti jepen asaj, sigurisht që të kontrollohen dhe se si përdoret ky fond, drejtë apo jo. Sigurisht që shteti ka prioritete, por dhe kultura, arsimi, libri duhet të jetë një nga prioritet. Kërkesa për botime të shkrimtarëve do të ketë gjithmonë më shumë se sa janë mundësitë. Por është gjë e mirë që ka një bum librash dhe energjish krijuese. Nga kjo tërësi ka dhe libra me vlerë dhe nga ky shpërthim i energjive krijuese do të dalin dhe vlera, që duhet të përkrahen nga shteti, por ndihmë mund të ketë dhe nga iniciativa private.

 Intervistoi: Julia Vrapi